Hadithi “O Allah, na beko në muajin Rexheb dhe Shaban, dhe na mundëso të arrijmë muajin Ramazan” është daif (i dobët)

Hadithi “O Allah, na beko në muajin Rexheb dhe Shaban, dhe na mundëso të arrijmë muajin Ramazan” është daif (i dobët)

0 2703

Pyetja: Do të doja të dija a ka ndonjë dua të veçantë që thuhet në natën e parë të muajit Rexheb? Sikur duaja: ” O Allah, na beko në muajin Rexheb dhe Shaban, dhe na mundëso të arrijmë muajin Ramazan”. E lus Allahu, e madhëruar, të na përqendrojë me veprim sipas sunetit autentik.

Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut.

Së pari:

Nuk ka asnjë hadith sahih (autentik) nga Profeti (paqja dhe bekimi e Allahut qofshin mbi të) që flet për vlerat e muajit Rexheb.

Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

Nuk ka hadith sahih që flet për vlerën e muajit Rexheb. Muaji i Rexheb nuk ndryshon nga muaji i Xhumada al-Ahirah (muaji i gjashtë hixhrij) që është para tij, përveç se llogaritet vetëm si një muaj i shenjtë. Përndryshe, nuk ka agjërim që është obliguar në këtë muaj, dhe nuk ka namaz ose umre, apo ndonjë gjë tjetër të jetë vepër e aprovuar fetarisht. Është si të gjithë muajt e tjerë.[1]

Së dyti:

Është transmetuar nga Abdullah, i biri i Imam Ahmedit, në librin e tij (Zevaid al-Musnad) me numër (2346), Tabarani në (al-Aësat) me umër (3939), Bejhakiu në (ash-Shuab) me numër (3534) dhe Ebu Nuajm në (el-Hiljeh) me numër (6/269) përmes Zaidah ibn Ebi Rukad-it i cili tha: Zijad al-Numajri, na tregoi nga Enes ibn Maliku i cili ka thënë: i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) kur hynte muaji Rexheb, thoshte: “O Allah, na beko në muajin Rexheb dhe Shaban, dhe na mundëso të arrijmë muajin Ramazan “.

Ky transmetim është i dobët. Zijad al-Numajri është i dobët dhe është klasifikuar si i tillë nga Ibn Maini. Ebu Hatimi tha: Nuk mund të argumentohemi me të.

Ibn Hibban e përmendi atë në librin e tij (ed-Du’afa) dhe tha: Nuk lejohet të marrim atë si dëshmi.[2]

Zaidah ibn Ebi Rukad është më shumë i dobët se ai. Ebu Hatimi ka thënë: Ai ka transmetuar nga Zijad al-Numajri, nga Enesi, disa hadithe të mohuara të transmetuara nga i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), të cilat ne nuk e dimë vetëm se a janë prej tij ose prej Zijadit.

Buhariu ka thënë: Hadithet e tij janë të çuditshme. Nesaiu ka thënë: Hadithet e tij janë të çuditshme. Thuhet në (el-Kuna): Ai nuk është i besueshëm. Ibn Hibani ka thënë: Ai transmeton hadithe të çuditshme nga njerëz të mirënjohur dhe transmetimet e tija nuk mund të citohen si dëshmi dhe nuk shkruhen, përveçse me qëllim dhënie të një shembulli (të një hadithi të dobët). Ibn Adiji ka thënë: el-Mikdami dhe të tjerët kanë transmetuar nga ai hadithe me të cilat veçohen, dhe disa prej haditheve të tija janë të mohuara.[3]

Hadithi është klasifikuar si i dobët nga Neveviu në librin e tij (el-Edhkar), (fq. 189) dhe Ibn Rexhebi në (Lataif el-Ma’arif), (fq. 121). Gjithashtu u klasifikuan si i dobët nga shejh Albani në librin e tij (Daif el-xhami) me numër (4395).

El-Hejthemiu ka thënë:

Ky hadith u transmetua nga Bezari, dhe në zingjirin e transmetimit është Zaidah ibn Ebi Rukad. Buhariu ka thënë: Hadithe e tij janë të mohuara, dhe një numër studiuesish e konsiderojnë atë si injorantë.[4]

Pastaj, hadithi -përveç të qenit daif – nuk përmban asgjë që tregon se kjo duhet thënë në natën e parë të muajit Rexheb; por është një dua e përgjithshme që kërkon bekimin gjatë atij muaji, gjë që është e vlefshme të bëhet në muajin Rexheb dhe gjithashtu para tij.

Së treti:

Përsa i përket muslimanit që i kërkon Zotit që tia mundësojë atij të arrijë Ramazanin, nuk ka asgjë të keqe me këtë.

Hafidh Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

Muala ibn Fadl ka thënë: Ata (të parët) i luteshin Allahut për gjashtë muaj të arrinin Ramazanin, dhe i luteshin Allahut për gjashtë muaj tjerë që Ai të pranojë atë prej tyre.

Është pyetur shejh Abdulkerim el-Hudajri, (Allahu e ruajttë), për saktësinë e këtij hadithi, dhe është përgjigjur:

Ky hadith nuk është autentik, mirëpo, nëse muslimani lutet që Allahu t’ia mundësojë ta arrijë ai Ramazanin, e t’i jep sukses në agjërim e namaz, e t’i jep sukses që ta arrijë natën e Kadrit, pra të lutet me lutje të përgjithshme, me lejen e Allahut, nuk ka gjë të keqe.

Allahu e di më së miri.

Islamqa.info / albislam.com

Përktheu: Shpend Zeneli

[1] Lika el-Bab el-Meftuh, 174/26.

[2] Mizan el-I’tidal, 2/91.

[3] Tahdhib et-Tahdhib, 3/305-306.

[4] Maxhma ez-Zevaid, 2/165.