INJORANCA SI VIRTYT

INJORANCA SI VIRTYT

0 1066

Dituria vazhdimisht ka qenë një cilësi e lavdëruar, poashtu edhe dijetari. Në anën tjetër, injoranca asnjëherë s’ka paraqitur gjë tjetër përpos cilësisë së keqe, ndërsa injoranti asgjë më shumë se një e metë. Këtë e kemi dëgjuar vazhdimisht, e kemi mësuar dhe ua kemi mësuar të tjerëve. Kemi përsëritur shpesh thënien: “dituria është dritë ndërsa injoranca errësirë”.
Mirëpo, ja që ekziston një injorancë e cila është e patjetërsueshme, një injorancë e cila na dhuron qetësi dhe na ndihmon të përballojmë vështirësitë e jetës.
Mund të çuditeni si ka mundësi që injoranca të jetë aq e dobishme, mirëpo është një e vërtetë që s’pranon debatin rreth saj.
Ekziston një injorancë që është më e dobishme se dituria. Injoranca rreth qëllimeve të njerëzve, rreth asaj se ç‘fsheh njerëzimi në zemrat e tyre dhe injoranca e gjërava që Zoti na i fshehi (gajbijat). Nuk na u fshehën për diç tjetër përpos që kjo gjë na sjell mirësi dhe shpëtim. Po të kishte ndonjë dobi dituria rreth tyre, sigurisht që do të kishim qasje në to, apo së paku dikush nga ne do t’i njihnim, mirëpo, jo, mbi to u lëshua perdja e trashë në mënyrë që jeta të duket më e bukur.
Injoranca jote rreth asaj që fshehin smirëkëqinjtë është më e dobishme se dituria që mund te kesh për to. Injoranca rreth pengesave që mund të të dalin në rrugë të jep mundësinë që të merresh me çdonjërën veç e veç, pa i mbajtur të gjitha mbi supe, përnjëherë. Injoranca rreth asaj që është shkruar për ty në të ardhmen të jep kënaqësinë e përvojës dhe mundësinë e zbulimit. Injoranca rreth dështimit në një projekt tëndin të dhuron eksperiencë dhe fuqi. Pra, është një injorancë që të mëson prej nga nuk e pret, filozofinë e jetës dhe suksesit. Ne, njerëzit, jemi të prirur t’ju besojmë përvojave të hidhura më shumë se sa këshillave që na vijnë të gatshme e të ambalazhuara.
Injoranca rreth asaj që të rrezikon mirëqenien të hap derën e shpresës se do të ngjajë më e mira. Injoranca rreth urrejtjes së atij që të urren të shtyn drejt sjelljes së mirë ndaj tij dhe kjo të sjell largimin e ndonjë të keqe të mundshme.
Po të mos ishin këto injoranca do zhbëhej bamirësia mes njerëzve. Parafytyro sikur gjendesh mes njerëzve egoist, zemërsëmurë, më thuaj, si do t’i pranoje, si do jetoje me ta kur e di çfarë mendimesh të frikshme fshehin në brenditë e tyre.
Thuhet që Omeri r.a. ka thënë: “sikur të dinin njerëzit se ç‘fshihet në zemrat e njëri tjetrit nuk do t’i zgjatnin dorën njëri tjetrit përveç se me shpata.” Një thënie që përmban në vete esencën e shumë librave psikologjik e sociologjik.
Parafytyro sikur dikush ta dinte momentin e vdekjes, çfarë jete do bënte? Si është e mundur që njeriu të ndërtojë, të zhvillohet teksa shikon përfundimin që i afrohet dita ditës?!
Pra, është virtyti i injorancës që ndanë njeriun nga e fshehta (gajbi) të cilën e di vetëm Allahu. Kjo ndarje është mëshirë e Zotit, po të ishte mirë e kundërta, do t’ju mundësohej profetëve, mirëpo Musai pyeste Hidrin, Isai nuk dinte ca gjëra, Muhamedi mohonte diturinë rreth të fshehtës edhe pse Allahu i pat veçuar me shumë mrekulli të ndryshme përpos njohjes së gajbit – që ekskluzivisht i takon Allahut, të Urtit që nuk e përshpejton dënimin, Bujarit që nuk ndalon dobinë, Falësit që nuk bezdiset nga mëkatet e robërve, të Gjithfuqishmit që s’e pengon asgjë, të Gjithmëshirshmit, mëshira e të cilit ka përfshirë çdo krijesë. Ai e di të dukshmen dhe të fshehtën, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen dhe sikur të mos ishte kjo dituri do të përfundonim në shkatërrim. Veprat e Tij janë gjithë urtësi, vijnë nga i Urti, i Dituri, Përcaktuesi, Planifikuesi. Ndërsa ne jemi të dobët, shikimi ynë është i mangët sado që pretendojmë qartësinë dhe gjithmonë do të vlejë për ne ajeti “nuk na është dhënë nga dituria përpos pak”.
Përmbyllje:
Me diturinë tënde krenohu një herë, ndërsa me këtë lloj injorance njëqind herë. Injoranca rreth asaj që njerëzit fshehin në zemrat e tyre si dhe rreth të fshehtës (gajbit) është virtyt me të cilin krenohemi.
Halid b. Ibrahim El-Xhurejvi

Përktheu: Agim Bekiri
25/07/2021

GJITHASHTU NË ALBISLAM