JAM I ZËNË APO I PRIVUAR?

JAM I ZËNË APO I PRIVUAR?

0 1135

Dr. Sultan El Umeri
Përktheu: Dr. Amel Kurtishi
Sa shpesh e dëgjojmë arsyetimin, jam i zënë. Një fjali/parullë që përsëritet nga kategori të ndryshme të njerëzve. Këtë arsyetim e dëgjojmë shpeshherë dhe në veçanti kur nxisim dikë për vepër të mirë si lexim të Kuranit. Mos u befaso nëse i dëgjon njerëzit duke thënë dua të lexoj Kuran por jam i angazhuar, dua të agjëroj vullnetarisht por jam i zënë, dua namaz nate, kryerje të umres, pjesmarrje në tubimet e dijes dhe vepra tjera të mira, por jam i zënë. Duke e shqiptuar këtë formulë, njeriu, e bind dhe e arsyeton veten për mosangazhim me vepra të dobishme.
Dilema është a është vërtetë i zënë apo është i privuar.
Jeta është plot angazhime dhe preokupime, dhe këtu nuk ka asnjë dilemë. Sa mbaron një punë tjetra thotë ja ku më ke. A thua vallë jemi të paaftë në rregullimin e jetës sonë, mungon renditja e prioriteteve dhe nuk mundemi ti bashkojmë angazhimet e kësaj dynjaje dhe ahiretit?
Është gabim të angazhohemi plotësisht me punë të kësaj dynjaje duke u argumentuar me ajetin “Duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë” (El Kasas, 77) dhe në orarin tonë të mos vendosim vepra të mira që janë nozulli ynë për vetminë e varrit dhe ditën e ringjalljes “Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria” (El Bekare, 197).
Kam bindje se njeriu krahas angazhimeve që i ka është i aftë të planifikojë kohën e tij duke e zbukuruar edhe me vepra të dobishme. Kjo nuk mundet të realizohet nëse nuk bindemi se nevoja jonë për punë për ahiret është me e madhe se sa puna për këtë dynja. Vepra e mirë veçohet sepse:
– Sjell qetësi dhe rehati shpirtërore.
– Siguron grada të larta tek Allahu.
– Rrugëdalje e vazhdueshme dhe suksese në ballafaqim me këtë dynja “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje.” (Et Talak, 2).
– Është rruga drejtë mëshirës së Allahut.
– Mundëson arritjen në xhenet “Ja, ky është Xheneti që ju është dhënë në trashëgim për atë që keni bërë.” (Ez Zuhruf, 72).
Dobitë e veprave të mira janë të shumta, prandaj si është e mundshme që ahireti dhe puna [ër të të jetë poshtë në listën e angazhimeve dhe prioriteteve! Biseda për veprat e mira nuk nënkupton anulimin e projekteve tona të kësaj bote. Ajo është një thirrje që të gjejmë një barazpeshë mes angazhimit për këtë botë dhe angazhimit për botën e përjetësisë. Mos u bë prej të privuarve dhe mos e humb sevapin e veprave të mira me arsyen “jam i zënë”.

GJITHASHTU NË ALBISLAM