Kur është dita e Ashures këtë vit (2012) dhe çfarë vlere ka kjo ditë?

Kur është dita e Ashures këtë vit (2012) dhe çfarë vlere ka kjo ditë?

0 1670


Pyetje: Kur është dita e Ashures këtë vit (2012) dhe çfarë vlere ka kjo ditë?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut të madhëruar, paqja dhe bekimi i tij qofshin mbi të Dërguarin dhe ithtarët e tij:

Dita e Ashures është dita e dhjetë e muajit muharem që është muaji i parë i vitit hënor. Këtë vit, dita e Ashures bie të shtunën, me datë 24/11/2012 në bazë të vendimit nr. 39  të Gjykatës së Lartë në Mbretërinë e Arabisë Saudite.

Agjërimi i kësaj ditë është një vepër e pëlqyer dhe me shpërblim të madh. I Dërguari ka thënë: “shpresoj tek Allahu që me agjërimin e kësaj dite të na falë mëkatet e vitit të kaluar” (Muslimi)

I Dërguari “kujdesej tepër për të agjëruar këtë ditë të cilën e mbivlerësonte nga ditët tjera” (Buahriu)

Kur i Dërguari migroi në Medinë vuri re se hebrenjtë agjëronin këtë ditë dhe pasi i pyeti për arsyen e agjërimit, ata thanë: në këtë ditë Allahu i shpëtoi hebrenjtë  nga faraoni, prandaj këtë ditë e agjëroi Musai. I Dërguari tha: “unë jam më i denjë të pasoj Musain se sa ju. Kështu agjëroi këtë ditë dhe urdhëroi të tjerët të agjërojnë” (Buhariu)

Preferohet që kësaj ditë t’i shtohet me agjërim një ditë para, pra dita e nëntë e muajit muharem sepse i Dërguari ka thënë: “nëse jam gjallë vitin e ardhshëm do agjëroj edhe ditën e nëntë” (Muslimi)  kështu vendosi në mënyrë që t’i kundërshtojë ithtarët e librit (Ibën Tejmije në Fetava Kubra)

Disa dijetarë kanë preferuar që kësaj ditë t’i shtohet edhe një ditë pas duke u mbështetur në një hadith rreth të cilët ka mospajtime për vërtetësinë e tij. Të tjerët këtë e kanë preferuar në mënyrë që të sigurohen për agjërimin e kësaj dite sepse muajt hënor dinë të ndryshojnë.

Nëse ndonjëri kompenson ditë të ramazanit gjatë këtyre ditëve dhe bën nijet edhe Ashuren atëherë merr shpërblimin e agjërimit të borxhit të tij që janë ditët e Ramazanit ashtu siç merr edhe shpërblimin e agjërimit të Ashures. (Ibën Uthejmin, Fetava sijam, 438)