NDALIMI I QËNDRIMIT NË RRUGË, PËVEC NËSE KUJDESEMI PËR TË DREJTAT E SAJ

NDALIMI I QËNDRIMIT NË RRUGË, PËVEC NËSE KUJDESEMI PËR TË DREJTAT E SAJ

0 2490

HADITHI:

Ebu Said el-Hudrij (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Mos qëndroni në rrugë”, i thanë: o i derguari Allahut, çfarë të bëjmë që patjetër na bie të qëndrojmë në rrugë ku ne bisedojmë me njëri-tjetrin. Tha: “Nëse refuzoni, atëherë jepjani hakun rrugës”. E pyetën: E cila është e drejta e rrugës? U përgjigj: Të ulësh shikimin, të pengosh nga e keqja, ta kthesh selamin, të urdhërosh në të mirë e të ndalosh nga e keqja.”[1]

KOMENTI:

Është prej virtyteve të moralit të mirë që njeriu të mos ulet në rrugët ku aty kalojnë njerëzit, dhe se të qëndrosh aty është sjellje jo e mirë, për këtë i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) na e tërhoqi vëmendjen (Mos) që është një fjalë parandaluese (qëndroni në rrugë) pra; në rrugët të cilat njerëzit ecin, sepse aty kalojnë gjinia femërore, aty kalon ndokush që nuk dëshiron të shikohet nga të tjerët, ngaqë zakonisht njerëzit kërkojnë privatësi, ndërsa ai që ulet në rrugë zbulon fshehtësitë e njerëzve, dhe i zbulon ato gjëra që njerëzit nuk dëshirojnë të zbulohen.

Tjetra është se ky e ekspozon veten në sprovë dhe shikimin në haram gjatë kalimit të gjinisë femërore, sepse aty kalojnë njerëzit e moshuar e të rinj, burra e gra, të pasur e të varfër, kështu që ai që dëshiron të shpëtojë nuk qëndron në rrugë, për këtë erdhi edhe vërejtja nga i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).

Kur thanë: O i dërguar i Allahut, e kemi patjetër të qëndrojmë në rrugë. Pra: Ku të shkojmë? Kemi nevojë që të mbidhemi e të bisedojmë mes vete, që të kemi kontakte me njëri-tjetrin, dhe nuk kemi mundësi diku tjetër përveç se në rrugë, nuk kemi vend ku mund të tubohen fqinjët e ku tubohen njerëzit, pos në skajet e rrugëve, nuk mund t’i ikim qëndrimit në rrugë. Pra; nuk mundemi pa qëndruar aty, sepse nuk dëshirojnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre përherë, e të mos shihen mes vete.

Ai (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) u tha: (Nëse refuzoni), pra, nëse ju nuk ndaleni duke qëndruar në rrugë, për këtë disa dijetarë kanë thënë se ndalesa e të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) nuk aludon në ndalesën (haram), sepse po të ishte haram ata do largoheshin pa polemizuar, dhe për faktin se ata iu arsyetuan të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) tregon se ndalesa nuk aludon se është haram, por është gjë e papëlqyer, dhe jo një punë shumë e mirë.

(atëherë jepjani hakun rrugës), nëse ti ia jep hakun rrugës të lejohet të qëndrosh aty, e nëse nuk ia jep hakun rrugës nuk të lejohet të qëndrosh në rrugë.

Ata thanë: (E cila është e drejta e rrugës?), kështu pra pyeten të diturit për gjërat që janë konfuze; e i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) i përmendi katër rregulla të rrugës:

Një: (ulja e shikimit); njeriu duhet të ulë shikimin e tij në atë që e ka të ndaluar të shikohet, kur kalojnë gratë, nuk i shikon, kështu duke vepruar me fjalën e Allahut: “Thuaju besimtarëve që të mos hedhin shikimet e tyre dhe le t’i ruajnë organet e veta gjenitale.” Sureja Nur, 30.

Ndërsa ai i cili ulet në rrugë dhe përcjell gratë dhe pret që ato të kalojnë, ky është mëkatar, dhe është haram për të ky veprim, nga këtu kuptojmë se ata të cilët dalin në tregje dhe në rrugë për t’i përcjellur gratë, dhe të shikojë në ato, e të ballafaqohet me to, ky është mëkatar, sepse këto veprime janë haram, nëse i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka ndaluar vetëm nga ndeja në rrugë, e si atëherë për atë i cili shkon dhe ndjek gratë, dhe këtë e bën me qëllim, shkon në tubime ku ka gra, e i ngacmon ato, ky është një veprim shumë i shëmtuar dhe mëkat shumë i rëndë, Allahu na ruajtë.

Dy: (të pengosh nga e keqja); të pengosh nga dëmtimi i kalimtarit, të mos e dëmtosh ti, qoftë me fjalë që lëndojnë ndjenjat e tyre, e mos bë asgjë që mund të pengojë kalimtarin, sikur që dëmi mund të jetë me fjalë, si ai i cili qeshet apo tallet me njerëzit, i nënçmon kalimtarët, ky veprim i tij është dëmi më i madh ndaj kalimtarit.

Tre: (kthimi i selamit) nëse kalon pranë teje një musliman dhe të jep selam, të është bërë obligim t’i përgjigjesh me selam, fillimi i selamit është sunet, ndërsa kthimi i tij është obligim, Allahu thotë: “Kur të ju përshëndet dikush me respekt, kthenia përshëndetjen në mënyrë më të bukur, ose si ajo! Se Allahu është llogaritar për çdo gjë.” Sureja Nisa, 86.

Së paku t’ia kthejë me të njejtën përshëndetje, e më e mira është të shtohet.

Katër: që është shumë me rëndësi (të urdhërosh në të mirë e të ndalosh nga e keqja); nëse je ulur në rrugë, apo je me shoqërinë tënde, dhe ti e sheh një të keqe, të obligohet ta ndalosh atë të keqe.

nëse sheh një njeri i cili dëmton të tjerët apo i sulmon ata, të obligohet të ndalosh atë, apo të lajmërosh për të, ky veprim llogaritet ndalim i së keqes, i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush prej jush sheh një të keqe, le ta ndrrojë me dorën e tij, e nëse nuk mundet atëherë me gjuhën e tij, e nëse nuk mundet atëherë me zemër.”[2]

Nëse njeriu sheh dikë që nuk falet, dhe nuk shkon në xhami pasi të ketë thirrë ezani, atëherë ky e urdhëron atë me namaz, e nuk hesht, por sado që sheh një të keqe e pengon atë.

Përktheu: Shpend Zeneli

Autor: Salih ibn Feuzan el Feuzan

HADITHE MBI MORALIN DHE ETIKËN TË PËRMBLEDHURA NGA LIBRI (BULUGUL MERAM)

HADITHI I GJASHTËDHJETË E KATËR

albislam.com

[1] E shënon Buhariu me numër (2465), dhe Muslimi me numër (2121).

[2] E shënon Muslimi me numër (49).

GJITHASHTU NË ALBISLAM