NGJARJE QË KA NDODHUR NË VITIN E KATËRT HIXHRIJ

NGJARJE QË KA NDODHUR NË VITIN E KATËRT HIXHRIJ

0 2360

Ndodhia në Rexhia

Gjatë këtij viti te i Dërguari, (salallahu alejhi ve selem) në Medine kishin ardhur përfaqësues të fisit Adal dhe Karra, të cilët thanë se në mes tyre kishte prej atyre që e kishin pranuar islamin dhe kishin dëshirë të madhe që ai t’ju dërgonte disa njerëz të ditur të cilët do t’i mësonin për islamin dhe rregullat e tij. I Dërguari, (salallahu alejhi ve selem) iu përgjigj lutjes së tyre dhe dërgoi gjashtë sahabë:

  1. Merthed b. Ebu Merthed el-Ganevijun,
  2. Halid b. Bukejra el-Lejthi,
  3. Asim b. Thabit el-Evsij,
  4. Hubejb b. Adijj,
  5. Zejd b. Dethinn el-Bejadij dhe
  6. Abdullah b. Tarikun, aleatin e klanit Benu Dhafer.

Për përgjegjës i Dërguari, ﷺ e përcaktoi Merthed b. Ebu Merthed el-Ganeviun.

    Gjashtë sahabët udhëtuan për realizimin e detyrës së dhënë, e kur arritën deri në Rexhia, papritur i kishte sulmuar një grup nga njerëzit e njëjtë që kishin shkuar te i Dërguari, (salallahu alejhi ve selem) për të kërkuar që t’ju dërgonte dikë, i cili do t’i mësonte për rregullat islame. Sulmuesit paraprakisht për ndihmë e kishin thirrur edhe Benu Lihjan, një degë nga fisi Hudhejl, të cilët të gatshëm iu përgjigjën dhe erdhën me njëqind shigjetarë, mandej bashkërisht i sulmuan gjashtë myslimanët të cilët në pamundësi që t’u rezistonin armiqve të shumtë, u tërhoqën në kodrinën e afërt. Sulmuesit i thirrën myslimanët që të dorëzoheshin, duke u premtuar se aspak nuk do t’i dëmtonin, andaj disa prej tyre me të vërtetë u dorëzuan. Asim b. Thabit el-Eusi refuzoi të dorëzohej duke thënë: “Pasha Allahun, nuk do të dorëzohem, sepse nuk ju besoj premtimeve të mosbesimtarëve! Zoti ynë, të lutem që të dërguarit Tënd t’ia transmetosh lajmin për ne!” pas kësaj, Asimi, Merthedi dhe Halidi u dhanë rezistencë sulmuesve dhe luftuan kundër tyre derisa që të tre u vranë. Zejdi, Hubejbi dhe Abdullahu u dorëzuan, kurse sulmuesit i lidhën me pranga. Abdullahu atëherë tha: “Ky është fillimi i tradhëtisë dhe mashtrimit!”, Pas së cilës armiqtë e ekzekutuan. Dy të përjetuarit, Zejdin dhe Hubejbin, i morrën në Meke dhe atje i shitën si robër. Hubejbin e blenë pasardhësit e Harithe b. Amir b. Neufelit, me qëllim që ta ekzekutonin në emër të hakmarrjes, sepse Harithen pikërisht Hubejbi e kishte vrarë në Betejën e Bedrit. E mbanin të ngujuar në shtëpinë e gruas me emrin Mavijja, shërbëtorja e Huxhejr b. Ebu Ihabit. Derisa i ngujuar qëndronte në shtëpinë e saj, i kishte kërkuar një brisk që me të të pastronte trupin e tij, sepse dëshironte që vdekjen ta priste në pastërti maksimale. Kjo grua ia kishte dhënë një djaloshi, duke e porositur që t’ia jepte Hubejbit. Djaloshi kishte ardhur deri te Hubejbi dhe ishte ulur në prehrin e tij. Kur gruaja vërejti se fëmija i ishte ulur Hubejbit në prehër, ulëriti nga frika, kurse Hubejbi i tha: “Ke frikë se do ta vras? Mos u brengos, mashtrimi dhe tradhëtia nuk janë cilësi tona (të myslimanëve).” Pas këtij rasti, ajo grua thoshte: “Kurrë nuk kam parë të burgosur më të mirë dhe më falënderues se sa Hubejbi. E kam parë se si han një rrem rrushi, edhe atë në atë kohë kur në Meke nuk kishte asnjë kokërr rrushi. Ajo nuk ishte gjë tjetër, përpos furnizim me të cilin Allahu e kishte furnizuar Hubejbin.”

Kur e kishin nxjerrë nga kufijtë e Haremit dhe e kishin sjellë deri te vendi ku konsideronin se u lejohej ta vritnin, Hubejbi i luti që ta lejojnë të falte dy rekate namaz para se të ushtronin dënimin me vdekje mbi të, gjë të cilën edhe ia lejuan. Ai përndryshe është njeriu i parë i cili ka falur dy rekate namaz para ekzekutimit, gjë e cila më vonë u bë legjitime, sepse i Dërguari, (salallahu alejhi ve selem) kur dëgjoi për këtë gjest të tij, e kishte miratuar me heshtje. Më vonë, duke ndjekur shembullin e tij, shumë myslimanë e falnin këtë namaz para se të kryhej ekzekutimi me vdekje mbi ta. Pasi që i fali dy rekate, Hubejbi xhelatëve të tij u tha: “Sikur të mos brengosesha se do të mendoni se i frikësohem vdekjes, unë do të falesha shumë më gjatë.” Mandej i recitoi vargjet në vijim:

Nëse si mysliman unë do të vritem,

Nuk kam dert ku dhe si do të përfundoj,

Sepse kjo vdekje është në emër të Allahut, i Cili nëse do,

Kufomën time të coptuar, Ai do ta bekojë.

    Pas këtyre vargjeve, Hubejbi e tha këtë lutje: “Zoti im, Ti tuboi që të gjithë, vriti që të gjithë dhe asnjërin prej tyre mos e lë në jetë!” Pas kësaj mosbesimtarët e kryqëzuan. Iu afrua Ukba b. Harith me qëllim që t’i jepte rënien vdekjeprurëse, e i tha: “A do të kishe dëshiruar që Muhammedi të ishte në vendin tënd, e ty të të lirojmë?”, kurse Hubejbi iu përgjigj: “Kurrë, pasha Allahun! Nëse lirimi im do të kushtëzohet që vetëm një ferrë ta shponte Muhamedin, unë as atëherë nuk do të dëshiroja që të lirohesha!” Ukba pas kësaj e vrau. Kështu Hubejbi e dha shpirtin e tij fisnik, Allahu e mëshiroftë dhe me të qoftë i kënaqur.

    Sa i përket Asim b. Thabit el-Evsi, mosbesimtarët e dërguan një njeri që tua sillte kokën e tij me qëllim që ta shitnin te një grua të quajtur Sulafa bint Sa’d. Pra, Asimi në betejën e Uhudit i kishte vrarë dy djemtë e saj, pas së cilës ajo ishte besatuar se do të pinte verë nga kafka e Asimit. Mirëpo, kur deshtën ti afrohen trupit të Asimit, përreth tij ishin tubuar bletët të cilat i penguan mosbesimtarët që t’ia pritnin kokën. Në pamundësi që të bënin atë që kishin vendosur, ata e pritën natën të kalonte, që nesër të merrnin kokën e Asimit. Por, në terrin e natës ishte paraqitur një vërshimë e cila e kishte bartur trupin e Asimin në drejtim të panjohur, ndaj mosbesimtarët kishin mbetur me duar thatë. Kështu Allahu i Madhëruar e kishte plotësuar betimin e Asimit, i cili ishte betuar se sa të jetë gjallë sdo të prekte trup të mushrikut me dorë e as që do të lejonte që ta preknin mushrikët. Allahu i Madhëruar i kishte penguar mosbesimtarët që të preknin trupin e Asimint edhe pas vdekjes së tij, sikur që i kishte penguar edhe derisa ishte gjallë.

    Zejd b. Dethinin Safvan b. Umejje e kishte dërguar te ai shërbëtorin e tij Nistasin me qëllim që ta ekzekutonte, sepse Zejdi në Betejën e Bedrit e kishte vrarë babanë e tij Umejj b. Halefin, i cili pas vdekjes ishte hedhur në pusin e lëshuar. E kishte porositur që ta dërgonte në Ten’im dhe atje ta vriste. Kur Nistasi kishte dalë nga kufijtë e Haremit dhe pasi kishte arritur në vendin e caktuar, e kishte pyetur Zejdin: “Të betohem në Allahun që të më përgjigjesh në pyetjen në vijim. A do të kishte dashur që tani në vendin tënd të ishte Muhammedi dhe në vend të kokës tënde, ta pres kokën e tij e ti ti kthehesh familjes tënde?”, në çka Zejdi iu përgjigj: “Nuk do të kisha dashur që Muhammedin tani ta shponte as një therë atje ku gjendet, e unë të jem në mes familjes sime!”Me të dëgjuar këto fjalë, Ebu Sufjani, i cili ishte në mein e Kurejshëve të cilët kishin ardhur që të prezantonin në këtë ekzekutim, tha: “Kurrë nuk kam parë qo dikush dikë të dojë, sikur që shokët e Muhammedin e duan atë.” Mandej Nistasi e ekzekutoi Zejdin, i cili e lëshoi shpirtin e tij dhe u shpërngul nën flatrat e mëshirës së pafundshme të Allahut dhe kënaqësisë së Tij.

    Një nga ndodhitë e çuditshme, të cilat mund të numërohen në keramete, të cilat Allahu i Madhëruar ia kishte dhënë Hubejbit, radijallahu anhu është ajo që Seid b Amri, njeriu i cili kishte prezantuar në ekzekutimin e Hubejbit e i cili më vonë e kishte pranuar islamin, i binte të fiktë sa herë që e kujtonte Hubejbin ose sa herë që dikush e përmendte atë. Kur ky lajm kishte arritur deri te Omeri, radijallahu anhu, ai e kishte pyetur Seidin lidhur me këtë, kurse ai ishte përgjigjur: “Po, kjo është e vërtetë. Kurrë nuk përmendet Hubejbi e mua të mos më vijë të fiktë”, gjë e cila Seidin në sytë e Omerit e bëri edhe më të ndershëm dhe më të rëndësishëm se sa që ishte deri në atë moment.

Mësime dhe porosi

  1. Mashtrimi dhe tradhëtia zakonisht janë cilësi të pabesimtarëve dhe idhujtarëve.
  2. I kemi përmendur kerametet e Hubejbit me të cilat e ka nderuar Allahu i Madhëruar, ndërsa bëhet fjalë për rrushin të cilin e kishte ngrënë në Meke, ku në atë kohë aspak rrush nuk ka pasur, si dhe epilepsia e cila do t’i ndodhte Seid b. Amrit sa herë që Hubejbi, (radijallahu anhu) përmendej para tij.
  3. Sherijatikisht është e lejuar që myslimani të falë dy rekate namaz para se të ekzekutohet. I pari i cili e ka bërë kët ishte Hubejbi, radijallahu anhu, gjë të cilën më vonë i Dërguari, (salallahu alejhi ve selem) e ka miratuar me heshtje.
  4. Kemi treguar për cilësitë dhe virtytet e Zejd b. Dethines, i cili e ka preferuar vdekjen e tij mbi atë që të dërguarin, ﷺ ta shponte madje edhe vetëm një therrë e në këtë mënyrë t’i shkaktohet ndonjë pakëndshmëri.
  5. E tërë ngjarja tregon qartë për faktin se sahabët, (radijallahu anhum) e donin të dërguarin, (salallahu alejhi ve selem) shumë më shumë se sa që e donin veten, që kuptohet se ishte obligim i tyre, sikur që është edhe obligim i çdo besimtari dhe besimtareje.

Ali Shabani

Marrur nga libri “Hadhal-habib Muhamedun salallahu alejhi ve selem, ja muhib” të dijetarit Ebu Bekër El-Xhezairi Allahu e mëshiroftë

8 Shtator 2018