PËRGOJIMI I ZEMRËS

PËRGOJIMI I ZEMRËS

0 1424

Mendimi i keq për vëllanë mysliman është i ndaluar ashtu siç është i ndaluar përgojimi. Ashtu siç është e ndaluar që me fjalë t’i bartim cilësitë e këqija të dikujt, po ashtu është e ndaluar që të kemi mendim të keq për dikë dhe të besojmë në të. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Mënjanoni shumë dyshime…” (El-Huxhurat, 12)

Buhariu dhe Muslimi në Sahihet e tyre e përmendin thënien e Ka’b bin Malikut radijallahu anhu e cila flet për pendimin e tij. I Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem kur ishte me ushtrinë e tij në Tebuk, ai pyeti: “Pse Ka’b bin Maliku nuk është nisur me neve?” Një njeri i fisit Benu Seleme tha: “O i Dërguari i Allahut, atë e kanë penguar mendjemadhësia dhe vetëpëlqimi i tij.” Muadh bin Xhebeli radijallahu anhu tha: “Këtë që e the, kjo është e keqe! O i Dërguari i Allahut, pasha Allahun, ne për Ka’bin dimë vetëm atë që është e mirë.” I Dërguari i Allahut vetëm heshti në këto fjalë. (Buahriu)

Ebu Davudi në Sunenin e tij e përmend thënien e Xhabir bin Abdullahut dhe Ebu Talhasë radijallahu anhu të cilët transmetojnë se i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem kishte thënë:

“Cilido njeri që e nënçmon myslimanin duke e përdhosë shenjtërinë e tij dhe duke e ndotur nderin e tij, Allahu do ta nënçmojë atë atëherë kur ndihma e Tij për të është më e dashur. Cilido njeri që e ndihmon myslimanin kur të tjerët ia ndotin nderin dhe e përdhosin shenjtërinë e tij, Allahu do t’i ndihmojë atij atëherë kur ndihma e Tij për të është më e dashur.” (Hadithi është hasen)

 

Buhariu dhe Muslimi në Sahihet e tyre e përmendin thënien e Ebu Hurejres radijallahu anhu i cili transmeton se i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem kishte thënë:

“Ruajuni prej supozimeve, sepse supozimet janë fjalët më gënjeshtare.” Hadithet që flasin për këtë temë janë të shumtë. Në këtë hadith mendohet në atë se nuk guxojmë që për dikë të gjykojmë vetëm në bazë të supozimeve.

Sa i përket mendimeve të këqija që paraqiten përnjëherë në shpirtin e njeriut për dikë tjetër, të cilat edhe ai vetë nuk i vërteton dhe nuk i konsideron të vërteta, ai nuk do të ketë mëkate për to dhe sipas konsensusit të dijetarëve, kjo do t’i falet, sepse ato mendime nuk janë paraqitur për shkak se ai ka dëshiruar e as që mund të ruhet e t’i ndalojë ato.

Buhariu në Sahihun e tij e përmend thënien në të cilën thuhet se i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem kishte thënë:

“Allahu subhanehu ue te’ala ia ka falur umetit tim atë që paraqitet në shpirtrat e tyre jashtë dëshirës së tyre, nëse nuk e thonë apo nëse nuk veprojnë sipas saj.”

Dijetarët thonë: “Me këtë nënkuptojmë mendimet të cilat as vetë njeriu te i cili janë paraqitur, nuk janë të pranuara, pa marrë parasysh se a janë ato mendime përgojim për dikë apo janë shkak i daljes prej fesë etj., sepse te ai që papritmas paraqiten në shpirtin e tij mendime që e thërrasin të bëjë diçka që është mosbesim e të cilën ai e refuzon dhe nuk vepron sipas saj, ai me këtë rast nuk bëhet jobesimtar dhe nuk ka kurrfarë mëkati.

Është transmetuar në një hadith autentik ku disa sahabë kishin thënë: “O i Dërguari i Allahut, nganjëherë në shpirtrat tanë na paraqitet diçka të cilën e konsiderojmë aq të madhe, saqë nuk guxojmë as ta themi.” I Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem u tha atyre: “Kjo është shenjë e imanit të vërtetë.” (Muslimi)

Shkaku se pse Allahu subhanehu ue te’ala do t’i falë këto mendime, siç e përmendëm, është se askush nuk është në gjendje që të ruhet prej tyre. Me këtë rast, mund të largohemi prej tyre vetëm nëse i pranojmë dhe vazhdojmë në këto mendime dhe kjo është ajo që është e ndaluar rreptësisht.

Sa herë që në shpirt të paraqiten mendime të ngjashme me këtë, ti duhet t’i refuzosh ato dhe ta kujtosh atë që të ndihmon që mos të veprosh sipas tyre.

Ebu Hamid el-Gazali thotë: “Kur te ti lajmërohet mendimi i keq, dije se është pëshpëritje e shejtanit me ndihmën e të cilit të sulmon dhe ti je i detyruar që ta refuzosh, sepse ai është mëkatari dhe gënjeshtari më i madh. Allahu i Lartësuar ka thënë: “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë), për të mos i bërë dëm ndokujt pa dashje, e të pendoheni pastaj për atë që keni bërë.” (El-Huxhurat, 6) Në asnjë rast nuk lejohet që t’i besojmë Iblisit, edhe nëse ekziston diçka në bazë të së cilës mund të dyshojmë në dikë, prapëseprapë duhet të veprojmë në kundërshtim me atë në të cilën na thërret shejtani dhe duhet ta largojmë mendimin e keq për vëllanë mysliman. Një prej shenjave të mendimit të keq për dikë është që raporti yt ndaj vëllait tënd mysliman të ndryshojë dhe ti fillon të largohesh prej tij, shoqëria e tij fillon të të pengojë, nuk dëshiron që të sillesh mirë me të, nuk dëshiron që ta gostitësh dhe nuk ia falë gabimet. Shejtani nganjëherë ta tregon ndoshta gabimin edhe më të vogël të ndonjë njeriu, ndërsa tek ti vjen me mendimin se ti je mendjemprehtë dhe i mençur kur me shpejtësi e ke zbuluar karakteristikën e tij. Besimtari gjithmonë sheh me ndihmën e dritës së Allahut subhanehu ue te’ala Nëse dikush të vjen dhe ai i mashtruar me pëshpëritjet e shejtanit, të lajmëron për ndonjë njeri diçka të keqe, mos i beso e as mos e vërteto me qëllim që për njërin prej këtyre dyve të mendosh diçka keq. Kur mendon diçka keq për myslimanin, shtoje menjëherë mirësjelljen ndaj tij dhe nderoje, sepse kjo e zemëron shejtanin dhe më nuk mund të të afrohet dhe më kurrë nuk do të të bind në ndonjë gjë të ngjashme, sepse do të frikësohet se sapo që ta ndiesh, ti do të lutesh për vëllanë tënd mysliman. Nëse ndonjëherë merr vesh për ndonjë të metë të vëllait tënd mysliman dhe për të ke argument të pakontestueshëm, këshilloje atë në vetmi. Mos e lejo shejtanin që të të bind që të fillosh ta përgojosh. Kur e këshillon, mos e bën këtë i gëzuar që e ke zbuluar të metën e tij, ashtu që ai në të ardhmen të të shikojë me respekt e ti atë me nënçmim. Qëllimi yt le të jetë që ai të shpëtojë prej mëkatit, ndërsa ti mërzitu ashtu sikur kur mërzitesh që ti je ai që e ka bërë atë mëkat. Ty duhet të të vijë mirë se ai e ka lënë atë mëkat para se ta kishe këshilluar atë.”

Përktheu: Agim Bekiri

GJITHASHTU NË ALBISLAM