PËRKTHYESI I PARË NË ISLAM

PËRKTHYESI I PARË NË ISLAM

0 941

Ai është Zejd ibn Thabit ibn Dahhak El-Hazrexhi El-Ensari, njëri prej djelmoshave të sahabeve me origjinë nga Medineja, kishte cilësinë e gjeniut (i mprehtë në mendje) deri në atë gradë saqë Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ai ishte i pari sa i përket zgjuarsisë.”, gjithashtu edhe Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë për të: “Zejd ibn Thabiti ishte më i zgjuari prej njerëzve.” Nuk ka pasur si ai dhe njëkohësisht ka qenë i njohur për katër shkenca të mëdha: përkthim, shkrim, trashëgimi dhe gjykatë.

FILLIMI I PUNËS SË TIJ ME PËRKTHIMIN

Ai ka qenë i aftë në përkthimin e gjashtë gjuhëve veçmas gjuhës arabe dhe një aftësi të tillë nuk e ka ditur asnjë prej sahabeve. Motivuesi i tij për mësimin e tyre ishte urdhëri i të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem. Tregon i biri i tij Harixh ibn Zejd se babai i Zejdit kishte treguar për te të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem, në Medinë.

Thotë Zejdi: “Ai më çoi tek i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem, andaj unë u impresionova.

Tha: “O i Dërguari i Allahut, ky djalosh është nga Beni Nexharët (fis arab), i cili e di kuptimin e dhejtra sureve që të kanë zbritur.”

I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem, u habit me këtë rast dhe tha: “O Zejd, ma mëso mua shkrimin e çifutëve.. Sepse pasha Allahun, çifutët nuk besojnë në Librin tim.”

Thotë Zejdi: “Kam mësuar shkrimin e tyre dhe nuk më mori mësimi i tij më shumë se pesëmbëdhjetë netë derisa e memorizova. Pastaj ia lexoja ato që i shkruanin atij dhe gjithashtu iu përgjigjesha atyre kur shkruanin.” [Këtë rast e transmetojnë: Ahmedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu].

Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, lidhur me këtë ka thënë: “Kjo është një mençuri tepër e jashtëzakonshme!”

Shihet nga këto ngjarje se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem, u impresionua për forcën e memorizimit të tij me të cilën edhe u gëzua Zejdi. Kështu pra, i mençuri duhet ta ndalojë një person me një talent të shquar për t’i treguar pëlqyeshmërinë e tij për te dhe ta nxisë atë që t’i shfrytëzojë ato për të mirë dhe për dobi. Andaj, ai, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, nuk e ndërpreu vetëm me mësimin e gjuhës çifute, por i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem, e urdhëroi që të mësonte edhe gjuhë tjera, ashtu siç e tregon këtë Ibn AbdulBerri duke thënë: “I Dërguari i Allahut dëshironte të komunikonte në gjuhën siriane (kryesisht me krishterën e asaj kohe që banonin në ato rrethina), andaj edhe e urdhëroi Zejdin që ta mësonte shkrimin e tyre brenda një dhjetëditësh.” [Ky rast është transmetuar në Musnedin e Imam Ahmedit].

Transmetohet nga vetë Zejdi se ka thënë: “A e përmirësove gjuhën e sirianëve?”

I thashë: “Jo!”

Më tha: “Mësoje!” Andaj edhe e mësova për shtatëmbëdhjetë ditë.”

Në vazhdim e sipër ai nuk u ndal, ashtu siç tha Ebu Hasen El-Berrai: “E mësoi persishten nga një i dërguar i Kisras (mbretit të Persisë) për tetëmbëdhjetë ditë, e mësoi gjuhën e etipoëve, romakëve dhe koptëve prej shërbëtorëve të të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem.”

VITET KUR AI MERREJ ME GJUHËT DHE PËRKTHIMIN

Është interesante se në jetën e tij ishte bërë një vit nga ardhja e të Dërguarit të Allahut në Medine, pra ai ishte diku njëmbëdhjetë vjeç, ndërsa kur vdiq i Dërguari i Allahut, ai ishte vetëm njëzet e një vjeçar. Imagjinoni të dashur lexues, në këtë moshë Zejdi zotonte gjashtë gjuhë të huja, punonte si përkthyes me vulën e pejgamberisë dhe me Librin më të Madh, Librin e Mrekullueshëm. Ndërsa shumica e muslimanëve nuk dijnë asgjë rreth tij.

Disa mund të jenë të befasuar nga kjo dhe e mohojnë atë, veçanërisht kur Zejdit i ka marrë më pak se një muaj për të mësuar një gjuhë të caktuar, por mentalisht kjo është e mundur, për shkak se ajo ka nevojë për disa gjëra që kanë qenë në dispozicion të Zejdit:

* E para: mësimi i gjuhëve varet kryesisht nga fuqia e memorizimit, dhe Zejdi e ka poseduar këtë;

* E dyta: ai që dëshiron ta mësojë gjuhën, duhet pasur kontakt me ata që e flasin atë gjuhë, dhe një mundësi të tillë e kishte Zejdi;

* E treta: sa më shumë të plotësohet koha e mësimit, aq më afatshkurt është mësimi. Zejdi ishte i vogël dhe nuk kishte preokupime që e bllokonin atë në mësim;

* E katërta: sa më shumë të motivohet nxënësi në përfitimin e dobive, aq më shumë do të jetë i motivuar dhe i vendosur. Andaj edhe Zejdit i ndodhi ajo se u motivua nga i Dërguari i Allahut dhe e dinte se fruti është ruajtja e Kur’anit nga manipulimet dhe se ai do të jetë ndërmjetës midis Profetit salAllahu alejhi ve sel-lem dhe të dërguarve nga mbretëritë e ndryshme, si dhe me qytetarët përveç arabëve.

SHKENCAT TJERA NË TË CILAT AI KISHTE ZGJUARSI

Ajo që është më mbresëlënëse, siç e përmenda në fillim të artikullit se ka qenë i njohur edhe në shkrime. Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: “Kur’anin e përmlodhën katër persona prej ensarëve në kohën e të Dërguarit të Allahut: Ubej ibn Ka’b, Muadhi, Zejd ibn Thabiti dhe Ebu Zejdi (babai i Zejdit).”

Ibn AbdulBerri ka thënë: “Zejdi e shkruante shpalljen (e zbritur) e të Dërguarit të Allahut salAllahu alehi ve sel-em, dhe të tjera. Pas tij ai shkroi për Ebu Bekrin dhe Omerin.”

Dhehebiu ka thënë: “Prej madhështisë së Zejdit është se ai ishte besnik dhe u mbështetën tek ai në shkrimin e Kur’anit Famëlartë nëpër fleta dhe e mblodhi atë nga gojët e njerëzve e nga shpatullat e qafa. Pastaj e mbajti atë nëpër fletë për një kohë dhe ishte besnik ndaj tij. Pastaj ia dorëzoi Farukut (Omer ibn Hattabit), pas tij vijoi nëna e besimtarëve Hafsa, pastaj e mori Othmani dhe njëri nga Kurejshitët në shkrimin e Mus’hafit Osman dhe nuk ka mbetur në duart e Ummetit një tjetër Kur’an.”

Ai kishte njohuri edhe në gjykim. Esh-Sha’bij ka thënë: “Gjykatësit ishin katër: Omeri, Aliu, Zejdi dhe Ibn Mes’udi.”

Ai kishte njohuri edhe në fikh (jurisprudencën islame) dhe në dhënien e fetvave. Mesruku ka thënë: “Prej sahabeve të të Dëtguarit të Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem, për dhënien e fetvave ishin: Omeri, Aliu, Ibn Mes’udi, Zejdi, Ubej ibn Ka’bi dhe Ebu Musa.”

Ai kishte njohuri edhe rreth trashëgimisë. Kjo shkencë është e vështirë dhe ka të bëjë me llogaritje dhe numra. Ez-Zuhriu ka thënë: “Nëse për një kohë do të zhdukej Othmani dhe Zejdi , do të zhdukej shkenca e e ndarjes së trashëgimisë sheriatike. Ata erdhën në një kohë për njerëzit kur të tjerët nuk kishin njohuri rreth saj. (trashëgimisë).”

Ai vdiq, Allahu e mëshiroftë, duke qenë në moshën 56 vjeçare. Kur vdiq, Ebu Hurejreja tha: “Vdiq lajmëtari i Ummetit.”

Ibn Abbasi tha: “Kështu shkojnë dijetarët, sot është varrosurnjë dituri e madhe.”

Kjo është një paraqitje e shkurtë rreth këtij sahabiu të veçantë të cilin nuk e njohin shumica e njerëzve dh ndoshta përmbledhja më e mirë për ta përfunduar. Thënia e historianit Edh-Dhehebi rreth tij (Zejdit) ishte: “Largpamësia e tij ishte e madhe.”

Burimi: Imam Dhehebiu në “Sijer Ealam En-Nubelai”, Ibn Kethiri në “El-Bidaje ven-Nihaje”; Ibn AbdulBerri në “El-Istijab fi mearufeti el-as’hab”

Përktheu dhe përshtati nga gj. arabe: Amir Shabani

GJITHASHTU NË ALBISLAM