Si duhet të veproj nëse më kanë mbetur borxh disa ditë të Ramazanit deri sa arrin Ramazani tjetër?

Si duhet të veproj nëse më kanë mbetur borxh disa ditë të Ramazanit deri sa arrin Ramazani tjetër?

0 3359


Pyetja: Kam ngrënë në disa ditë të Ramazanit për shkak të ciklit mujor, dhe atë qe disa vite dhe nuk i kam agjëruar këto ditë deri tani, çfarë duhet unë të veproj?

Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut…

Dijetarët janë të një mendimi se kush nuk ka agjëruar  ndonjë ditë gjatë Ramazanit, duhet t’i kompensojë para se të vijë Ramazani tjetër.

Por nëse e ka vonuar kompensimin derisa ka ardhur Ramazani tjetër atëherë kemi dy raste:

I parë: Vonimi të jetë me arsye, sikur kush ka qenë i sëmurë dhe ka vazhduar sëmundja e tij derisa ka filluar Ramazani tjetër, në këtë rast ky nuk ka mëkat në vonimin ngase është i arsyetuar. Ky person nuk ka obligim tjetër pos të kompensojë ditët të cilat nuk i ka agjëruar.

I dytë: Vonimi i kompensimit të jetë pa arsye, sikur ai që ka mundësi të agjërojë mirëpo nuk i ka agjëruar derisa ka filluar Ramazani tjetër. Ky është mëkatar për vonimin e kompensimit pa arsye. Dijetarët janë të një mendimi se ai duhet të kompensojë, mirëpo kanë kundërthënie rreth asaj se a detyrohet që krahas kompensimit të agjërimit të ushqejë për secilën ditë një të varfër (një racion), apo jo?

Mendimi më i saktë është se nuk obligohet të jep një racion, duke u argumentuar se Allahu nuk ka urdhëruar për atë që prish një ditë në Ramazan pos me kompensim dhe nuk e ka përmendur të ushqyerit, Allahu thotë: “dhe kush ka qenë i sëmurë apo në udhëtim (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” Bekare 185.

Ky është edhe mendimi i zgjedhur i Imam Buhariut Allahu e mëshiroftë kurse Ibrahim Nehaiu ka thënë: Buhariu ka thënë: Allahu nuk e ka përmendur të ushqyerit, por ka thënë: “dhe kush ka qenë i sëmurë apo në udhëtim (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.”

Shejh ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Mendimi i saktë në këtë çështje është se nuk obligohet më shumë se të agjërojë, pos se ai është mëkatar për vonimin.” Sherh Mumti 6/451.

Për atë, obligim është kompensimi me agjërim, por nëse njeriu ka dëshirë dhe mundësi të ushqejë për secilën ditë një të varfër, do të ishte mirë.

Për atë që ka vonuar kompensimin e ditëve pa arsye, duhet të pendohet tek Allahu dhe të vendos që të mos kthehet në të ardhmen në të njëjtin gabim.

Allahu e di më së miri.

Përktheu: Shpend Zeneli