SI REALIZOHET TEVEKULI NË ALLAHUN?

SI REALIZOHET TEVEKULI NË ALLAHUN?

0 5646

Definicioni i Tevekulit

Allahu i Madhëruar urdhëroi njeriun që vetëm Atij t’i mbështetet, kështu që mbështetja në Allahun është veçori e robërve të sinqertë, Allahu urdhëroi edhe profetët dhe besimtarët.

Tevekul është: mbështetja e sinqertë e zemrës së muslimanit në Allahun e Lartmadhëruar, në kërkim të dobive dhe largim të këqijave, prej punëve të kësaj bote apo të ahiretit, dorëzimi i të gjitha çështjeve Atij dhe besimi i prerë se nuk jep kush tjetër pos Allahut, nuk ka kush të t’pengon pos Allahut, nuk sjell dobi askush tjetër pos Tij e as që mund të bëjë dëm pa lejen e Tij.

Seid ibn Xhubejri ka thënë: “Tevekuli është përmbledhës i imanit.”

Vehb ibn Munebih ka thënë: “Synimi më i lartë i besimtarit është tevekuli.”

Hasan el Basriu ka thënë: “Kuptimi i tevekulit – mbështjetjes në Allahun është kur robi të kuptojë se vetëm Allahut mund t’i ze besë.”

Mbështetja në Allahun është argument për besimin e njeriut dhe zemrën e tij të shëndoshë, që është pohimi i njëshmërisë së Allahut, dorëzimi i të gjitha çështjeve Krijuesit të vetëm, i Cili menaxhon çdo gjë, vetëm Ai rregullon çështjet tona, të vogla apo të mëdha.

Ibn Batal ka thënë: “Tevekul është të kesh besueshmëri në Allahun, t’i nënshtrohesh urdhrit të Tij, dhe të jesh i bindur se caktimi për të është i mëhershëm.”

Allahu thotë: “Mbështetu ti – në të Gjallin (Perëndinë), i cili nuk vdes.” Sureja Furkan, 58.

Dhe, mbështetu në të Plotëfuqishmin dhe Mëshiruesin.” Sureja Shuara, 217.

Ky ajet: “Andaj besimtarët le të mbështeten vetëm te Allahu!.” Sureja Ali Imran, 122. Është përsëritur shtatë herë në Librin e Allahut, është përmendur në suren Ali Imran në dy vende, në suren Maide, Teube, Ibrahim, Muxhadele, dhe Tegabun.

Si realizohet Tevekuli në Allahun

Shumë gjëra nëse i vepron muslimani e realizon tevekulin në Allahun e Madhëruar, prej tyre:

  • Largimi nga mëkatet të cilat e hidhërojnë Allahun.

Veprimi i mëkatit mohon tevekulin në Allahun e Madhëruar, Allahu thotë: “Dhe furnizohuni me gjërat që u nevojiten për rrugë, e furnizimi më i mirë është devotshmëria.” Sureja Bekare, 197.

Tevekuli realizohet me besim se çdo gjë që Allahu ka regjistruar do të ndodhë, atë që Allahu i ka caktuar do të bëhet, edhe nëse gjërat shihen në të kundërtën e asaj që robi dëshiron, kështu që ai duhet të besojë se Allahu ka zgjedhur më të mirën për të, Allahu thotë: “Thuaj: “Do të na godas vetëm ajo që na ka caktuar Allahu, Ai është Zoti ynë dhe vetëm te Allahu le të mbështeten besimtarët!.” Sureja Teube, 51.

Realizimi i tevekulit tek njeriu nuk e mohon veprimin e kujdesin rreth shkaqeve, të cilat mundësi i krijoi Allahu, kështu është ligji i Allahut tek krijesat e Tija.
Allahu e urdhëroi njeriun t’i merr shkaqet sikur që e urdhëroi t’i mbështetet Atij, kështu që kërkimi i shkaqeve mund të jetë me anë të gjymtyrëve në respekt të urdhrit të Tij, mbështetja në Allahun me zemër me besim në Të, Allahu thotë: “O besimtarë! Bëhuni syçelë e marrshoni (në luftë), qoftë në grupe-grupe ose të gjithë së bashku!.” Sureja Nisa, 71.

Kundër tyre përgatitni kuaj dhe forcë për luftë, sa të mundeni, me të cilën do t’i shtini frikën armikut të Allahut dhe armikut tuaj, dhe të tjerëve, përveç tyre.” Sureja Enfal, 60.

Dhe thotë në suren Xhumuah: “E kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë dhe kërkoni nga begatitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, për të arritur shpëtimin.” Ajeti 10.

Shumë prej njerëzve janë neglizhent në mbështetjen e tyre në Allahun duke u ndalur vetëm në shkaqet e dukshme që i rrethojnë, duke u lodhur pas përmbajtjes së shkaqeve e duke dhënë mundin maksimal, e që pas gjithë kësaj nuk ju vije atyre përpos atë që Allahu ka caktuar, e që ata përskaj marrjes së shkaqeve do realizonin tevekulin në Allahun me zemër dhe Allahu do lëshonte mbi ta riskun, qoftë me shkakun më të vogël e më të thjeshtë, sikur që lëshon riskun për shpezët, vetëm pasi ato të lëvizin e të fluturojnë, e që është kërkim i riskut, për këtë robi duhet të kujtojë tre gjëra, ato janë:

  1. Nuk ka kundërshtim mes tevekulit dhe marrjes së shkaqeve.
  1. Muslimani detyrohet t’i ndërmerr shkaqet edhe nëse në sytë e tij duken shkaqe të dobëta apo të pa efekt, kemi rastin e Merjemes kur Allahu deshi që ta ushqejë e urdhëroi të shkundë gjethin e palmës, ajo morri shkaqet përkundër që ishte gjë e dobët. Muadh ibën Xhebeli e përcjell këtë hadith dhe thotë: Isha duke e shoqëruar të dërguarin e Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) të hipur në një gomar i cili quhej Afir, ai më tha: O Muadh! A e di cila është e drejta e Allahut për njerëzit dhe e drejta e tyre tek Allahu? Unë i thashë: Allahu dhe i dërguari i Tij e dijnë. Tha: E drejta e Allahut është që njerëzit ta adhurojnë e të mos i bëjnë shirk në asgjë, dhe e drejta e tyre tek Allahu është që të mos ndëshkojë askënd që nuk i bën shirk Atij. I thashë: O i dërguari i Allahut! A t’i përgëzoj njerëzit? Tha: Mos i përgëzo e t’i mbështeten (vetëm kësaj).” E shënon Buhariu me numër (2856).
  1. Mos mbështetja e plotë dhe e vetme në shkaqe, por muslimani në fillim e në fund mbështetet në Allahun e Madhëruar duke ndërmarrë shkaqet, sepse Allahu i cakton gjërat me shkaqe.
  • Tevekuli realizohet kur muslimani të kuptojë se me tevekul arrihet kënaqësia e Allahut dhe dashuria e Tij, Allahu thotë: “Kur të vendosish për diçka, mbështetu te Allahu. Se Allahu me të vërtetë, i don ata që mbështeten tek Ai.” Sureja Ali Imran, 159.

Dhe njeriu që mbështetet në Allahun shpërblehet me xhenet, e që është një prej shpresave më të mëdha për besimtarin, Allahu thotë: “Na, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do t’i vendosim në pallatet e xhenetit, nën të cilët rrjedhin lumenjtë, aty do të qëndrojnë përgjithmonë. Sa i bukur është shpërblimi i punëtorëve. të cilët kanë duruar dhe janë mbështetur te Zoti i tyre.” Sureja Ankebut, 58-59.

Tevekuli realizohet kur njeriu ndjen dobësinë e tij, varfërinë, dhe nevojën e tij për Allahun, sado që të ketë arritur prej shkaqeve të fuqisë mbetet i dobët, dhe ka nevojë për ndihmën e Allahut në çdo çështje të jetës së tij, edhe në shpëtimin nga fatkeqësitë e brengat, Allahu thotë: “Por Allahu i shënon shtjellimet e tyre. Dhe largohu prej tyre, e mbështetu te Allahu! Se Allahu të mjafton ty për mbrojtës.” Sureja Nisa, 81.

Tevekuli sjell riskun

Mbështjetja në Allahun i sjell muslimanit shumë risk, ngase ai e di se nuk të bën dëm e as dobi askush pos Allahut, nuk ka kush që jep dhe që pengon është Allahu, Atij mbështetju, merri shkaqet që të ndihmojnë në mbështetje ndaj Allahut. Omer ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell se i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Nëse ju i mbështeteni Allahut ashtu siç duhet, do t’ju furnizonte sikur që i furnizon shpezët, gdhihen të uritur e kthehen të ngopur”. E shënon Begaviu në (Sherh Suneh) me numër (7/328).

Ky hadith profetik konsiderohet bazë në temën e tevekulit e që flet për një prej shkaqeve më të mëdha të përfitimit të riskut, dhe në hadithin e Abdullah ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush dëshiron të jetë njeriu më i fuqishëm, le ti mbështetet Allahut”.

Nëse njeriu e realizon devotshmërinë dhe tevekulin, i merr shkaqet për çdo gjë, çështjet e jetës së tij në këtë botë dhe në botën tjetër realizohen me lehtësi. Sa njerëz ka që çështjet e tija ia ka dorëzuar Allahut, Ai do t’i mjaftojë, Allahu thotë: “e kush i dron Allahut, Ai i bënë rrugëdalje atij, dhe e furnizon atë prej nga nuk e pret; kushdo që mbështetet te Allahu, Ai i mjafton atij.” Sureja Talak, 2-3.

Shembuj të tevekulit në Allahun

Tevekuli i të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) kur bëri Hixhret prej Mekes për në Medine, ndërsa Kurejshitët i shkonin pas duke ndjekur gjurmët e tij, ai ishte në shoqërim të Ebu Bekrit. Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: Ebu Bekër Sidiku i ka treguar dhe ka thënë: Shikoja këmbët e paganëve që ishim mbi kokat tona, kur ne ishim në shpellë, e i thashë: O i dërguari i Allahut! Nëse ndonjëri prej tyre do të shikonte kah këmbët e tija do na shihte. Ai tha: O Ebu Bekër çfarë për dy persona ku i treti është Allahu”. E shënon Muslimi me numër (2381)
Këtë e përmend Allahu në ajetin: “kur e dëbuan mohuesit atë vetë të dytin, kur këta të dy ishin në shpellë, e kur i tha shokut të vet: “Mos u mërzit! Se, Allahu, me të vërtetë është me ne!.” Sureja Teube, 40.

  • Tevekuli i Nuhut (alejhi selam) kur thërriti popullin e tij ta adhurojnë vetëm Allahun e ata e përgënjeshtruan, Allahu thotë: “Tregoju historinë e Nuhut! Kur ai popullit të vet i tha: “O populli im, nëse u është i rëndë qëndrimi im në mesin tuaj, dhe këshillat e mia me dokumente të Allahut, e unë jam mbështetur vetëm te Allahu, – atëherë, bashkë me shokët (idhujt) tuaj, vendosni për mua, dhe vendimi juaj le të mos fshihet, e pra, zbatoni në mua; e mos pritni!.” Sureja Junus, 71.

Tevekuli i të dërguarit dhe sahabëve kur pranë tyre kaloi një grup njerëzish kur ishin në Hamra el Esed, dhe i informuan se Ebu Sufjani kishte mbledhur një ushtri të madhe, dhe thanë: “atyre, të cilëve u thanë njerëzit: “Armiku është përgatitur kundër jush, frikohuni!” Kjo përkundrazi ua shtoi atyre besimin, e thanë: “Neve na mjafton Allahu, dhe Ai është mbrojtës i mrekullueshëm! Ata u kthyen (nga Bedri) me dhuntitë dhe begatitë e Allahut, nuk i gjeti asgjë e keqe dhe bënë që Allahu të jetë i kënaqur. Allahu është Zot i begatisë së madhe.” Sureja Ali Imran, 173-174.

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com