A KE DËGJUAR PËR KËTË NDODHI?

A KE DËGJUAR PËR KËTË NDODHI?

0 1454

Djajtë e sulmuan të Dërguarin e Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem, për ta djegur me zjarr, por ai i mposhti ata me një lutje madhështore.

Transmetohet nga Ebu Tijah se ka thënë: I thashë AbduRrahman Et-Temimit: ”Si veproi i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem, natën në të cilën e sulmuan djajtë?”

Ai tha: “Djajtë atë natë iu vërsulën të Dërguarit të Allahut nga tërë anët, nga luginat dhe shtigjet. Në mesin e tyre ndodhej një djalli i cili në dorën e tij mbante një pishtar zjarri me të cilin dëshironte që t’ia digjte fytyrën të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem!

Menjëherë zbriti Xhibrili alejhi selam dhe i tha: “O Muhammed, thuaj!”

“Çfarë të them?” – pyeti i Dërguari i Allahut.

Xhibrili tha: “Thuaj:

أَعُوذُ بِكَلِمَاتِ اللَّهِ التَّامَّاتِ الَّتِي لَا يُجَاوِزُهُنَّ بَرٌّ وَلَا فَاجِرٌ، مِنْ شَرِّ مَا خَلَقَ وَذَرَأَ وَبَرَأَ، وَمِنْ شَرِّ مَا يَنْزِلُ مِنْ السَّمَاءِ، وَمِنْ شَرِّ مَا يَعْرُجُ فِيهَا، وَمِنْ شَرِّ مَا ذَرَأَ فِي الْأَرْضِ، وَمِنْ شَرِّ مَا يَخْرُجُ مِنْهَا، وَمِنْ شَرِّ فِتَنِ اللَّيْلِ وَالنَّهَارِ، وَمِنْ شَرِّ كُلِّ طَارِقٍ إِلَّا طَارِقًا يَطْرُقُ بِخَيْرٍ يَا رَحْمَنُ.

(Eudhu bi kelimati lahi et-tamati el-leti la juxhavizuhunne berrun ve la fexhirun, min sherri ma haleka ve derae ve berae, ve min sherri ma jenzilu mine semai, ve min sherri ma jearuxhu fiha, ve min sherri  ma dherae fil erdi, ve min sherri ma jehruxhu minha, ve min sherri fiteni lejli ve neheri, ve min sherri kuli tarikim ila tarikan jetruku bihajrin ja rahmanu)

Unë kërkoj strehim me Fjalët e përsosura të Allahut, të cilave nuk ia del dot askush. Kërkoj mbrojtje nga dëmi që mund të shkaktohet nga cilado krijesë; nga dëmi që mund të vijë nga qielli apo që synon të ngjitet në të; nga dëmi i asaj që është në tokë dhe nga ligësia e asaj që del prej saj; nga dëmi i sprovave që ndodhin gjatë natës dhe ditës, si dhe nga dëmi i çdo trokitësi, përveç atij që troket duke sjellë mirësi, o i Gjithmëshirshëm!”

Menjëherë u shua zjarri i djallit dhe Allahu i shporri ata!”

-Ruajeni veten me këtë lutje dhe le të përfitojnë edhe të tjerët.

[Hadithin e shënon El-Mundhirij, ndërsa Shejh Albani e ka klasifikuar hasen (të mirë) në ‘Es-Silsileh Es-Sahihah’, nr. 2995]

Përktheu nga gj. arabe: Amir Shabani

GJITHASHTU NË ALBISLAM