USHTRIA, PËR HAJR!

USHTRIA, PËR HAJR!

0 1852

Gjithmonë kemi dëshiruar ti kemi tonat. Kjo ngase ato të huajat na keqtrajtuan, nuk ua pamë hajrin. Zullumi, duke u trashur, i bënte kosovarët më të gatshëm që të kenë një formacion që do ti mbronte nga rreziku. Kështu, shumë natyrshëm lindi UÇK-ja, ajo faqja më e lavdishme e historisë bashkëkohore shqiptare. Me gjithë mundësitë modeste përballë një armiku shumë të fuqishëm, ngadhënjeu shpirti, dëshira për tu liruar, e drejta për të jetuar dinjitetshëm, fitoi e vërteta. Maikineria vrastare e Serbisë u tërhoq nga Kosova pakthim.

Pastaj ndodhën zhvillimet, transformimet e UÇK-së dhe pritja e kosovarëve që shtetësia të plotësohet edhe me Forcat e Armatosura. Dhe ja që ndodhi sot, falënderimi i qoftë Zotit. Qoftë i paharrueshëm kujtimi i mirë për gjithë ata që vepruan, luftuan, u sakrifikuan dhe dhanë të shtrenjtën për të mirën e këtij vendi!

Të dashur bashkëkombas, të shtrenjtë qytetarë të Republikës së Kosovës:

USHTRIA është sinonim i disciplinës, përpjekjes së palodhshme, gatishërisë për sakrificë vetëm e vetëm që ky vend të jetë i sigurt dhe të ecë përpara. Çdonjëri nga ne lakmon të ketë hise në lavdinë e dëshmorëve dhe heronjëve të këtij vendi. Këtë mund ta arrijmë duke u bërë të zellshëm, duke e ruajtur atë që na e dha Zoti e na e lanë në emanet brezat, lirinë, sigurinë e mirëqenien e këtij atdheu. Le të veprojmë për të mirën e përgjithshme, ta duam vendin, ta ruajmë atë, të punojmë për ta zhvilluar. E gjithë kjo arrihet me zell, vullnet, disciplinë dhe gatishmëri për ti dhënë përparësi të përgjithshmes para personales.

I dashur i ri i Kosovës:

Bëhu edhe ti ushtar i Kosovës, ushtar i lirisë i cili me laps, me entuziazmin e të riut, me mësim e sjellje të mirë, të bëhesh pjesë e varganit të heronjve patriotë, atdhedashës që kontribuuan për lirinë e Kosovës. Bëhu heroi i lirisë dhe i paqes.

Për hajr, vendi im, Ushtria e Kosovës.
Allahu e bekoftë këtë vend e na bëftë prore ushtarë të tij, heronj të paqes e mirëqenies.

Urime!
Hoxhë:Ekrem Avdiu, Allahu e ruajt!