Arhiva DitoreSep 2, 2014

Pyetje: Disa, pasi vdes ndokush, flasin çmos për të. E dimë se përgojimi është i ndaluar për të gjallët, por a vlen ajo ndalesë për të vdekurit?

Përgjigje: Ashtu siç nuk lejohet të përgojohen të gjallët, nuk lejohet të përgojohen as të vdekurit. I Dërguari i Allahut ka thënë: Mos i shani të vdekurit, sepse ata i kanë mbyllur veprat që kanë bërë. (atë që meritojnë do ta marrin dhe nuk ka nevojë që dikush ta ngarkojë veten me të). Kjo edhe i irriton të gjallët e familjes së të ndjerit dhe mund të shkaktojë probleme të mëtejshme. Në Medinë ishin të pranishëm edhe një shtresë tjetër, mynafikët. Ata i dinte me emra vetëm Hudhejfeja radijallahu anhu, mirëpo kur vdiste ndonjëri nga ata munafikë, Hudhejfe vetëm largohej dhe nuk merrte pjesë në faljen e xhenazes, por assesi nuk ka dalë të flasë në mesin e njerëzve, se filan i vdekuri ka qenë nga munafikët.

I Dërguari i Allahut gjithashtu ka thënë: “Përmendni veprat e mira të vdekurve tuaj dhe ndaluni nga përmendja e veprave të këqija të tyre.” Hadithi ka dobësi në sened, por ka hadith – dëshmi nga Aisheja në përmbledhjen e Nesaiut me sened Xhejid.

Burimi; albislam.com

Pyetje: Më parë në vendin tonë, kur donin të thoshin për ndonjë njeri se është i drejtë, thoshin “ky komunist”, e sot me sistemin demokratik, kur dëshirojnë të thonë për ndonjë njeri se është i rrafshët dhe nuk i shikon imtësitë thonë: “ky është demokrat” me qëllim për ta lavdëruar. Çfarë na thoni në lidhje me këtë?

Përgjigje: Nuk lejohet që besimtari të emërtohet me këto emra të shëmtuar, që në vetvete përmbajnë ateizëm, apo shirk, por edhe janë “besnikë” ndaj imoralitetit dhe po ashtu edhe komunizmi dhe demokracia janë sisteme të shfrenuara të kufrit, e si dikush me këto emra ta lavdërojë besimtarin. Allahu na ruajt nga padituria dhe kurthet e shejtanit.

Burimi; albislam.com

Pyetje: Çfarë dënimi kanë ata që marrin nëpër gojë, apo shajnë nderin e muslimanit?

Përgjigje: Ata që shajnë dhe e përgojojnë nderin e muslimanit kanë rënë në mëkat dhe kanë dënim në dynja dhe Ahiret. Allahu i madhëruar ka thënë: “E ata që fyejnë besimtarët dhe besimtaret, për çka ata nuk janë fajtorë, ata kanë ngarkuar veten me një mëkat shumë të madh.” Ahzab 58. Për sa i përket dënimit në dynja, me Sheriat duhet të dënohet me goditje me shkop në shpinë, ndërsa në Ahiret Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem tregon, se kur është ngritur në qiell, në Miraxh ka kaluar parë disa njerëzve që kishin thonjë prej bakri dhe gërvishtnin fytyrat dhe gjokset e tyre. Pejgamberi e pyet Xhibrilin: “Kush janë këta, o Xhibril?” “Këta janë ata që hanë mishin e njerëzve dhe përfolën nderin e të tjerëve.” Shënojnë Ahmedi dhe Ebu Davudi

Burimi; albislam.com

Pyetje: Te populli ynë është e zakonshme, që në zënkë e sipër të shprehin fjalë të ndyra dhe sharje, ku marrin nëpër gojë prindërit e njëri-tjetrit, apo anëtarët e tjerë të familjes. Çfarë thotë Kurani dhe hadithi në lidhje me këta?

Përgjigje: Ndodh që njerëzit të kenë mosmarrëveshje ndërmjet tyre për ndonjë çështje, apo të zihen, por megjithatë nuk është burrëri që nga zemërimi dhe mllefi që kanë të marrin nëpër gojë nderin e njëri-tjetrit dhe aspak nuk është nga Islami. Allahu i Madhëruar ka thënë: “E ata që fyejnë besimtarët dhe besimtaret, për çka ata nuk janë fajtorë, ata kanë ngarkuar veten me një mëkat shumë të madh.” Ahzab 58.

Po ashtu këto shprehje janë nga mëkatet e mëdha. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Me të vërtetë nga mëkatet e mëdha është që dikush t’i shajë prindërit e vet.” Të pranishmit thanë: O i Dërguari i Allahut, po kush i shan prindërit e vet?!… “Po, e shan babën e tjetrit, e pastaj ai ia shan babanë atij, ia shan nënën, e pastaj ai ia shan nënën atij.” Shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Sharja e muslimanit është fisk (shfrenim)…”.

Burimi; albislam.com

Pyetje: Çfarë duhet të bëjmë, apo çfarë mase duhet të marrim kur ndodh që në mesin e shokëve ndonjëri përdor shprehje vulgare?

Përgjigje: Pa dyshim duhet këshilluar ai shok, se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: Feja është këshillë… nëse në zemrën e tij ka iman, ajo këshillë do t’i bëj dobi, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Vazhdo me këshillë, sepse këshilla u bën dobi besimtarëve.” Dharijat 55.

Nëse ai nuk e ndërpret dhe vazhdon me shprehje të fëlliqura, sharje, fjalë të ndyra që shkakton largimin e të tjerëve nga ai, atëherë ka rënë në një gjendje shumë të keqe. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Me të vërtetë njerëzit me pozitë më të keqe tek Allahu janë ata nga të cilët, të tjerët largohen duke u frikësuar (ruajtur)nga imoraliteti (vulgariteti) i tyre. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi. Po ashtu ka thënë: Allahu urren atë që bën dhe shprehet me fjalë vulgare dhe imorale. (Shiko Sahih xhamius-sagir nr. 134)

Ata që nuk lënë shprehjet e këqija, nuk është mirë të shoqërohesh me ta, se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, prandaj le të shikojë ai se cilin bën shok.”

Burimi; albislam.com

Pyetje: Hoxhë i nderuar, duke pasur parasysh parimet e Fesë Islame dhe se kjo fe i ka dhënë pozitë të lartë moralit, si e gjykon kjo fe shprehjen vulgare.

Përgjigje: Në emër të Allahut Mëshirëplotit, Mëshirëbërësit, që e ka bërë në fenë e tij Islamin, të gjykohen rreptë shprehjet e këqija dhe i ka ndaluar. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.”Nahël 90, ndërsa shejtani bën të kundërtën. Allahu i Madhëruar ka thënë: “…e mos shkoni hapave të djallit se ai është armik i hapët i juaji. Ai ju urdhëron vetëm me të këqija e paturpësi, dhe ju shtyn të thoni për Allahun atë që nuk e dini.” Bekare 169. Pra, kushdo musliman që ia lejon vetes të flasë fjalë vulgare dhe amorale, që është diçka e shëmtuar për çdo njeri e për më tepër për muslimanin, le ta dijë se ka rënë nën ndikimin e shejtanit dhe po ashtu ka rënë në ndalesën e Allahut dhe kështu po bën mëkat për të cilin ai duhet të pendohet. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: Kush i beson Allahut dhe Ditës së Gjykimit, le të flasë mirë, ose përndryshe le të heshtë!

Burimi; albislam.com

1 6218

Një mësuese nga shkolla fillore kërkon nga nxënësit e saj që të shkruajnë një ese rreth prindërve, djalit, kohës,  çfarë do të dëshironin që Zoti të bënte për ta…

Në fund të ditës përderisa po i kontrollonte esetë, ajo lexoi njërën e cila e preku atë shumë shpirtërisht. Burri i saj, që po kalonte atypari e pa duke qarë dhe e pyeti:

– Çfarë ka ndodhur?

Ajo u përgjigj:

– Lexoje këtë. Është eseja e një prej nxënësve të mi.

“O Zot, sonte të lutem Ty për diçka të veçantë: Më fut mua brenda televizionit. Dua të zë vendin e tij. Të jetoj sikur TV në shtëpinë time. Të kem vendin tim special, dhe të kem familjen time rreth Meje. Që të më marrin seriozisht kur unë flas…. Dëshiroj të jem në qendër të vëmendjes dhe të më dëgjojnë pa më ndërprerë dhe pyetur. Unë dëshiroj të marr të njëjtin kujdes të veçantë që merr TV kur nuk punon. Të kem shoqërimin e babait tim kur ai vjen nga puna, madje edhe kur ai është i lodhur. Dhe dëshiroj që nëna ime të më dojë mua kur ajo është e pikëlluar dhe e mërzitur në vend se të më injorojë mua… Dhe… Unë dëshiroj që vëllezërit e mi të grinden për të qenë me mua… Unë dëshiroj të ndjej se familja ime len çdo gjë tjetër anash, prej tash e tutje, vetëm për të kaluar pak kohë me mua. Dhe e fundit por jo më e vogël, ma mundëso ti bëj të gjithë ata të lumtur dhe ti argëtojë…

Zot nuk kërkoj shumë prej Teje… Unë vetëm dëshiroj të jetoj si çdo TV.”

Në atë moment burri thotë:

– ‘Zoti im, i gjori fëmijë. Çfarë prindër të tmerrshëm!

Ajo ngriti shikimin drejt tij dhe tha:

– ‘Kjo ese është e djalit tonë!!!

Besnik ABRASHI

Burimi; albislam.com

Publikimii pare: 18/Korrik/2010

0 2041

Të nderuar vëllezër e motra

Koha po kalon, vallë nuk e meritojmë të ndalemi disa çaste të flasim me fjalë të buta dhe shprehje nostalgjie. Vëlla e motër ju lus që mos të bëheni koprrac ndaj meje me lexim të këtij artikulli duke i ndarë pesë minuta nga koha e juaj e çmuar. E kush nuk është i gatshëm tani për lexim le t’i shtypë (printon) këto fjalë e le ti lexojë më pas, ngase këto fjalë meritojnë kujdes të veçantë.

 Vëlla e motër … O ju që dëgjoni muzikë …Shkronjat e mia ju thërrasin me shpresë. Mos thoni nuk kemi dobi edhe nëse e përsërit këtë këshillë por duke e thënë të vërtetën thoni po, do të heshtim para thirrësit të vërtetë. I mençur është ai i cili e njeh hakun dhe e pranon atë ndërsa injorant është ai i cili i mbyll sytë para hakut… Haku gjithnjë shndritë kurse gënjeshtra fundoset.

Mirë, t’ia fillojmë…

A nuk e ke vërejtur vëlla i dashur apo motër e dashur se: Kur ka dëgjuar dikush nga ju muzikë një periudhë të gjatë trupi i tij është në dridhje dhe reaksion nga këto këngë andaj gjysmë ore nuk mund të ulet e të dëgjojë diçka nga kur`ani duke e ditur se ai është shërues i zemrave, udhëzues i njerëzimit, libër qiellor, dritë dhe hair i gjithë njerëzimit. A e ke pyetur veten ndonjëherë?! Pse këngët zënë vend te ti dhe i dëgjon ata, a të vjen rëndë që të ulesh të dëgjosh e të meditosh mbi kur`anin? Allahu xh.sh në kur`anin famëlartë thotë: “Shejtani ua ka zbukuruar veprat e tyre”. Kjo është e vërtetë. Kjo është ajo për të cilën ju thërras që të jemi të qartë.

Fatkeqësi është ta tradhtosh vetveten, sepse me të dëgjuarit e muzikës largohesh nga të përmendurit e Allahut e ajo ta ngushton jetën. Allahu subhanehu ue teala, thotë: “Kush ia kthen shpinën Kur`anit tim do t`i japim atij jetë të ngushtë (plot halle, vështirësi të parehatshme) dhe do ta ngjallim ditën e kiametit të verbër” TA HA 124.

E vërteta e këngëve është se ato janë dhimbje dhe dëshpërim. Edhe pse duket se ka njëlloj dëfrimi por ai dëfrim është i falsifikuar nga djalli. Atëherë dëgjoni fjalën e Allahut lidhur me Iblisin (djallin) e mallkuar: “Dhe me atë alarmin e zërit tënd, mashtroje atë që mundesh prej tyre, me kalorësit e këmbësorët tuaj thirri (bërtitu) ata, përzieju me ta në pasuri dhe në fëmijë dhe premtoju atyre! Por, shejtani nuk u premton tjetër, përveç mashtrimit”.

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: qëllimi në këtë ajet është për muzikën. Muxhahidi thotë: për muzikën dhe fjalët e kota. Kurse Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: Prej tradhtive të iblisit është se ai i mashtron ata që janë të dobët në dije, logjikë dhe fe, e ua rrëmben mendjen dhe i bën që ata të merren me muzikë, fishkëllima dhe duartrokitje që t`i pengojnë zemrat nga Kur`ani e t`i kthejnë nga shfrenimi dhe urrejtja, e ai është Kur`ani i iblisit, perde e sheshtë (e fortë) prej Kur`anit dhe magji e zinasë, me të cilën mëkatari ia arrin qëllimit të vet, si dhe të keqen ua zbukuron që t`u duket e mirë, kështu që Kur`ani mbetet larg tij. Ky dëfrim i rrejshëm dhe ky gëzim i falsifikuar kalon shpejt, por mëkati mbetet i regjistruar në regjistrin e veprave të tij, sepse muzika është shpalosje e mëkateve të njeriut. Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, thotë: “Umetit tim i falen mëkatet, pos atyre të cilët i shpalosin mëkatet e veta”. E disa krenohen me muzikë dhe e mbajnë kokën lartë. Krenohen me mëkatin që ia kanë bërë Allahut. Dikush thotë ky është këngëtari im, kjo është këngëtarja ime.

A nuk e dinë ata se ditën e ringjalljes do të ringjallen me ata të cilët i kanë dashur në këtë botë. Disa prej tyre janë të mashtruar nga djalli duke e quajtur muzikën si art apo edukues i gjeneratave. Por nëse i dëgjon vetëm fjalët, atëherë e kupton se ajo është porosi e djallit të mallkuar meqë të shpie nga e keqja. Shumë është e qëlluar fjala e atij i cili e ka quajtur muzikën si magji dhe postë të zinasë.

O bijtë dhe bijat myslimane… Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që ta pastrojmë shpirtin: “Ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten”. Muzika nuk është tjetër pos padrejtësi që ia bën shpirtit që Allahu ta ka dhuruar dhe për të cilin të ka urdhëruar ta pastrosh. Pra, liroje atë nga mëkatet dhe epshet, e mos e mashtro atë me muzikë sepse në këtë mënyrë i ke bërë padrejtësi shpirtit tënd.

Allahu subhanehu ue teala, thotë: “Ai nuk i shpëton zullumqarët”. Dhe thotë: “Po ka nga njerëzit që blejnë tregime boshe e me qëllim që t`i largojnë njerëzit prej rrugës së Allahut pa pasur kurrfarë fakti dhe për t’i marrë ato (ajetet ) si tallje. Për ata sigurisht është përgatitur dënim i turpshëm”. LLUKMAN 6

Abdullah b. Mesudi është betuar se qëllimi në këtë ajet është muzika.

Muhamedi salallahu alejhi ue selem, duke na sqaruar dhe duke na e tërhequr vërejtjen nga kjo sëmundje thotë: “Do të ketë nga umeti im që do ta bëjnë hallall marrëdhënien jashtëmartesore, mëndafshin, verën dhe instrumentet muzikore” d.m.th. të gjitha këto janë të ndaluara por do të vijë një kohë ku dikush do t’i bën të lejuara.

Pastaj në hadithin tjetër thotë: “Pa dyshim se do të ketë njerëz nga ky ummet që do ta pinë alkoolin, të cilin do ta emërtojnë me emra tjerë. Ata do të dëfrehen edhe me muzikë dhe këngëtare. Këta njerëz do t’i lëshojë toka dhe do t’i shndërrojë Allahu në derra dhe majmuna”. Albani thotë se ky hadith është i vërtetë. Të mos thotë dikush se muzika e qetë është e lejuar. Apo, dikush të thotë se këngët patriotike me muzikë janë të lejuara, sepse argumentet që e ndalojnë këtë janë shumë të qarta.

Pastaj duhet ta dish se për të hollat dhe kohën që e ke harxhuar për muzikë do të japësh llogari, sepse as lodra e as shkopi i lodrës nuk do të bëjnë dobi ditën e gjykimit përpos veprës së mirë.

Pra, a je përgatitur që të takohesh me Allahun?!

Në fund… Secilit që ka vendosë të pendohet dhe të kthehet te e vërteta, ia dërgoj këtë përgëzim. Për atë që ka vendosur të heqë dorë prej muzikës dhe i pastron veshët e tij nga kjo sëmundje.

Ta dërgoj këtë përgëzim, lexo fjalën e Allahut: “Dhe ditën kur do të ndodhë kiameti, atë ditë do të ndahen (njerëzit). E ata të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, ata do të jenë të gëzuar në një kopsht (të xhenetit)” ER-RUM 14-15. Fjala “të gëzuar” në këtë ajet është shprehur me fjalën “juhberun”, e cila fjalë tekstualisht d.m.th. kënaqësi dhe dëgjim. Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, thotë: “Hyritë do të këndojnë në xhenet. Do të thonë: Ne jemi hyri të bukura, jemi bërë gati për burrat e ndershëm”. Albani thotë se ky hadith është i vërtetë.

Dijetari i famshëm Ibën Kajimi, nga ana tjetër, i ka radhitur fjalët e Ibën Abasit në disa vargje të mrekullueshme, ku Ibën Abasi thotë:

Zoti ynë dërgon erën që dridhë balluket e palëvizshme

Që shkaktojnë zëra që prekin të dëgjuarit e njeriut

Sikur tingujt e peshuar

Oj kënaqësi e dëgjimit mos u adapto me kënaqësinë e dalë nga telat dhe lahuta

për të dëmtuar dëgjimin ashtu siç zemrën e dëmtojnë të kënduarit dhe sikleti

pastroje të dëgjuarit tënd nëse dëshiron të dëgjosh zërin e tyre (hyrive)

se në zemrën e robit asnjëherë nuk bëhen bashkë dashuria e Kur’anit me dashurinë e melodisë së këngës.

Vallahi dëgjimi i tyre për zemrën dhe imanin është sikur helmi për trupin

Dikush nga ju mund të pyes si të largohem prej muzikës, duke pasur parasysh se unë e kam bërë shprehi që të dëgjoj muzikë e nuk mund të largohem lehtë? Atëherë ndiqi këto këshilla – e nëse do Allahu – do të fitosh:

1- Të bëhesh i sinqertë në pendim dhe qëllime të pastra si dhe të kesh trimëri, sepse ky vendim kërkon edhe trimëri

2- T`i shkatërrosh të gjitha kasetat që i posedon

3- Nëse epshi të nxit që të dëgjosh muzikë atëherë shpejto dhe merre mus`hafin dhe lexo që ta qetësosh shpirtin, e nëse nuk mundesh atëherë dëgjo ndonjë kasetë Kur`an apo ndonjë ligjëratë të inçizuar nga ndonjë hoxhë

4- Nëse dikush tallet me ju se nuk po dëgjoni muzikë mos iu kundërvë por thuaj: “Allahu të shpërbleftë“ apo “Allahu të udhëzoftë“, etj. sepse kjo fjalë e lë pa tekst atë, ndërsa juve ju qetëson.

5- E nëse dikush nga familja juaj dëgjon muzikë sqarohu atyre në mënyrë të edukuar duke u dhuruar ndonjë libër apo kasetë qoftë Kur`an apo ligjëratë dhe ua bën me dije se dëgjimi i tyre edhe ty të pengon, sepse e ndien veten i vetmuar dhe larg prej tyre.

Vëlla e motër

Dijeni se, nëse jeni të sinqertë në pendim dhe ia mbyllni të gjitha shtigjet shejtanit është shumë lehtë që të largoheni nga kjo sëmundje. E mos të thotë dikush do të pendohem pas kësaj kasete, e dikush pas disa ditësh, e dikush pas disa muajsh, sepse iblisi një ditë ta bënë dy, një muaj dy, një vit dy e kështu me radhë. Sa e sa vëllezër e motra janë të pavetëdijshëm ndërsa buzët e tyre rregullisht i përsërisin këngët që i kanë dëgjuar dhe gjuhët e tyre nuk mundin ta përmendin Allahun.

Kush e len një gjë vetëm për hir të Allahut, Allahu ia zëvendëson me diçka më të mirë se ajo.

Vëlla e motër

Nëse dikush nga farefisi juaj dëgjon muzikë këshillojeni atë. E nëse nuk ju përgjigjet atëherë duhet të largoheni nga ai ambient. Dhe mos të thotë dikush më mjafton mua të pendohem e nuk ndikon ai tek unë. Ruajeni veten tuaj prej vendeve të ndyra dhe degjeneruese dhe shpejtoni me teube nga momenti kur ta lexoni këtë artikull dhe mos thoni “Pastaj“ sepse fjala pastaj është nga armët e shejtanit.

Marrë nga: www.saaid.net / albislam.com

Përktheu: Enver Azizi

0 2301

Falënderimi dhe lavdërimi i takojnë vetëm Allahut, subhanehu ue teala, ndërsa paqa dhe mëshira qofshin mbi Resulullahun, salallahu alejhi ue selem, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi gjithë ata që mundohen ta pasojnë në mënyrën më të mirë.


Si myslimanë e kemi për obligim që çdoherë të mundohemi t’i zbulojmë mangësitë dhe veset tona dhe të shoqërisë sonë me qëllim t’i ndërrojmë ato me cilësi dhe virtyte, të cilat do të na bëjnë dobi në dunja e ahiret.

Mu për këtë, kemi vendosur që në këtë temë të shtjellojmë problemin e braktisjes së Kur’anit, i cili padyshim se nuk është problem i vogël.

Në fillim do të japim definicionin e Kur’anit: “Është libër që Allahu ia ka zbritur Muhammedit, salallahu alejhi ue selem. Është i shkruar në mus’haf, me të kryhen adhurimet dhe është i transmetuar deri te ne, në formë të përpiktë sa që nuk mund të dyshohet në të”.

Nga ky definicion shohim qartë rëndësinë e këtij libri dhe njëkohësisht rrezikun e braktisjes së tij. Por, si duket braktisja e Kur’anit, si shfaqet ajo?

Nga format e braktisjes së Kur’anit:

1. Të folurit për të, gjëra të pavërteta. Kështu kanë vepruar pabesimtarët, fjalën e të cilëve na e tregon Allahu, subhanehu ue teala:

“I dërguari tha: O Zot, populli im, këtë Kur’an e konsideroi të braktisur”.

Kurtubiu tha: D.m.th. kanë folur për Kur’anin fjalë të pavërteta, se ai është magji, poezi etj. (1)

Taberiu tha: Është për qëllim fjalët e tyre të këqija lidhur me Kur’anin. (2)

Pra, secili që flet fjalë të rënda për Kur’anin, duke thënë se është magji, gënjeshtra, nuk vlen për kohën tonë, nuk vlen për popullin tonë, ai ka bërë braktisjen e plotë të Kur’anit.

2. Kthimi i shpinës Kur’anit dhe mosrespektimi i leximit të tij. Ky kuptim shihet qartë edhe në komentin e ajetit të kaluar. Taberiu thotë: Allahu ka informuar se ata për Kur’anin kanë thënë:

“”Mos e dëgjoni këtë Kur’an dhe kur të lexohet ai, ju bëni zhurmë (bërtitni)…”, (Fussilet, 26) dhe kjo është braktisje e vërtetë.

3. Largimi i plotë nga leximi i Kur’anit. Kurtubiu ka thënë se ky kuptim poashtu gjendet në ajetin e kaluar. Ibën Abbasi, radijallahu anhu, thotë: “Në brendinë e atij që nuk gjendet aspak Kur’an, ai është si shtëpia e prishur”. (3)

4. Të harruarit e asaj që është ditur përmendësh. Në këtë aludon ajeti:

“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër. Ai do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?” Ai (All-llahu) thotë: “Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je ti i harruar sot”. (Ta Ha, 124-126)

5. Mosveprimi sipas urdhërave të Kur’anit. Transmeton Sujutiu në el-Itkan me zinxhir nga Enesi, radijallahu anhu, se Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur’ani është ndërmjetësues… kush e le përpara do ta udhëheq për në xhenet, e kush e lë mbrapa do ta udhëheq për në zjarr”.

– Dispozita e braktisjes së Kur’anit

Ajo dallon varësisht nga lloji i brkatisjes.

Nëse braktisja bëhet me kthyerje të shpinës apo me të folur për të fjalë të këqija, atëherë kjo është kufër i qartë, dhe ai person është kafir, padyshim.

Nëse braktisja ndodhë duke mos e lexuar atë, derisa ta harrosh, atëherë ka dy gjendje:

Një: Nëse kjo ka ndodhur nga përtacia dhe neglizhenca, atëherë është një nga mëkatet e mëdhaja. (Ibën Haxheri)

Dy: Nëse kjo ndodhë për ndonjë arsye, sikurse sëmundja apo diçka tjetër që e pengon nga leximi, atëherë më e udhës është të themi se ky nuk ka bërë mëkat.

Nëse braktisja ka të bëjë me mosveprimin sipas urdhërave të Kur’anit, atëherë dispozita lidhet ngushtë, me atë se ai mëkat ka qenë i vogël, i madh apo kufër. P.sh, nëse braktisë urdhërin e Allahut, subhanehu ue teala:

“Adhurone vetëm Allahun, e mos i përshkruani atij ortak” (en-Nisa 36), atëherë kjo braktisje është kufër. Nëse braktisë urdhërin:

“Mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq”. (Huxhurat, 11), atëherë kjo braktisje është mëkat i madh, dhe kështu me rradhë.

Ka edhe disa lloje tjera të braktisjes së Kur’anit, lloje të cilat qortohen nga ajeti që e përmendëm më lartë.

1. Braktisja e dëgjimit të tij, besimit në të dhe respektimit të tij.

2. Braktisja e veprimit sipas tij, duke mos respektuar hallallin dhe haramin edhe pse e lexon dhe beson në të.

3. Braktisja e gjykimit sipas tij në çdo sferë të jetës dhe besimi se fjalët e tij nuk aludojnë në dije të qartë.

4. Braktisja e meditimit në të, kuptimit të tij dhe njohurisë së qëllimeve të Allahut me zbritjen e Kur’anit.

5. Braktisja e shërimit me të, në të gjitha sëmundjet e zemrës duke u munduar të arrijnë shërimin në diç tjetër.

Krahas braktisjes, disa njerëzve u ngushtohet edhe shpirti nga Kur’ani, ajo ndodhë për disa shkaqe:

Dikujt i ngushtohet shpirti pse të jetë zbritur ky libër dhe pse ai të jetë ligj me të cilin duhet gjykuar.

Ndonjëherë ndodhë duke mos dashtur ta kuptojë se ky libër është zbritur nga Allahu, por është i krijuar, sipas mendimit të tij.

Ndonjëherë ndodhë duke pretenduar se ai nuk mjafton për njerëzinë, por ka nevojë edhe për ligje, mendime dhe politika të ndryshme.

Ndonjëherë ndodhë kur ballafaqohet me ajetet e qarta të cilët ia kundërshtojnë veprat apo mendimet e tij.

Ne duhet të mundohemi që assesi të mos biejmë në ndonjërën prej gjërave të përmendura. Për të mos rënë në këtë, në vijim po sjellim tekste që do të na ndihmojnë në atë drejtim:

Disa hadithe për qortimin e braktisjes së Kur’anit:

1. Transmeton Abdullah ibën Mes’udi, radijallahu anhu, se Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shtëpia më poshtëruar është shtëpia ku nuk gjendet asgjë nga Kur’ani, lexojeni Kur’anin sepse për të ka shpërblime. Me çdo shkronjë shpërbleheni me dhjetë sevape. Nuk them “elif lam mim” (Çáã ), por elif, lam, mim”. (4)

2. Nga Imran ibën Husajni, se Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush e lexon Kur’anin, le të kërkon nga Allahu (shpërblim) për leximin që ka bërë, ngase do të vijnë njerëz, të cilët do ta lexojnë Kur’anin, dhe për atë lexim do të kërkojnë nga njerëzit (pasuri, lëvdata)”. (5)

3. Nga Aliju, radijallahu anhu, se Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Do të ketë nga ummeti im njerëz që do ta lexojnë kur’anin, leximi juaj krahas leximit të tyre është asgjë, namazi i juaj krahas namazit të tyre është asgjë dhe agjërimi i juaj krahas agjërimit të tyre është asgjë. Leximi i tyre nuk arrin më poshtë se fytat e tyre, dalin nga Islami ashtu si delë shigjeta nga harku…” (6)

5. Nga Ebu Musa el-Esh’arij, se Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shembulli i besimtarit që lexon Kur’anin është sikurse shembulli i qitrosë, ka erë të mirë dhe shije të mirë, shembulli i besimtarit që nuk lexon Kur’an është sikurse shembulli i hurmës së thatë, nuk ka erë por ka shije të ëmbël. Shembulli i munafikut që lexon Kur’an është sikurse shembulli i borzilokut, e cila ka erë të mirë e shije të idhët, ndërsa shembulli i munafikut i cili nuk e lexon Kur’anin është sikurse shembulli i kungullit të thatë, nuk ka erë dhe shijen e ka të idhët”. (7)

Disa fjalë të dijetarëve për qortimin e braktisjes së Kur’anit:

1. Omeri, radijallahu anhu: “Ishim në një kohë, ku secili që e mësonte Kur’anin e mësonte për hirë të Allahut. Ndërsa në kohën e fundit, po kam frikë se dikush e mëson Kur’anin për hirë të njerëzve. Unë ju këshilloj që me punët dhe leximin tuaj ta keni për qëllim vetëm Allahun, sepse në kohën e Resulullahut, salallahu alejhi ue selem, e kishim atë pranë dhe me vahj na tregonte gjërat e fshehta. Por, sot, pasiqë ka shkuar Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, unë ju njoh kështu: Kush paraqitet me mirësi, ne e duam atë dhe mendojmë mirë për të, ai që shfaqet me punë të këqija, e urrejmë për ato punë dhe për të mendojmë keq. Ndërsa, atë që keni në brendinë tuaj, ajo është mes juve dhe Allahut, subhanehu ue teala”

2. Ibën Omeri: “Kam jetuar në një kohë, ku imanin e mirrnim para Kur’anit, kur zbriste ndonjë sure menjëherë e mësonim hallallin dhe haramin që u përmendej aty. Ndërsa tani, po shoh njerëz të cilët në fillim e marrin Kur’anin para imanit, e lexon prej Fatihasë e deri në fund dhe nuk din cilat ajete urdhërojnë e cilat qortojnë, nuk kupton gjë prej tij”.

3. Aliju, radijallahu anhu, njërit i ka thënë: “Nëse mbetesh të jetosh, do të vëresh se Kur’anin do ta lexojnë tre lloj njerëzish: një lloj për Allahun, një lloj për polemizim dhe një lloj për dunja, kush do të kërkojë me të, do të arrijë”. Pra, nëse me Kur’an kërkon xhenetin do ta arrijë, e nëse me të kërkon dynjanë, edhe do ta arrijë por në ahiret, do të gjejë dënimin.

4. Ebu Seid el-Hudriju: “Do të vijë një gjeneratë, që do ta lexojnë Kur’anin por Kur’ani nuk do të arrijë më poshtë se fyti. Do ta lexojnë tre lloj njerëzish: besimtari, munafiku dhe i prishuri. Beshiri tha: Velidit i thash: Kush janë ata tre? Tha: Munafiku është mohuesi i Kur’anit, i prishuri është ai që siguron hajen me Kur’an ndërsa besimtari është ai që vepron sipas tij”.

5. Katadeja: “Secili që ulet me Kur’anin, kur të ndahet, do të ndahet me ndonjë shtesë apo mungesë, pastaj e lexoi ajetin:

“Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërim.”

Në fund po përmendim disa nga dëmet që vijnë nga braktisja e Kur’anit:

1. Nëse zemrat nuk ndërtohen me Kur’an, aty do të banojnë shejtanët.

2. Braktisja e Kur’anit e dobëson besimin tek Allahu, subhanehu ue teala, dhe në të gjitha gajbijatet.

3. Ai që e ka braktisur Kur’anin, padyshim se do ta braktisë edhe veprimin sipas tij.

4. Ai që lexon Kur’anin për të fituar pasuri, ditën e Kijametit do të ringjallet pa mish në fytyrë.

5. Kush e lexon Kur’anin dhe nuk punon sipas tij, leximi i tij do të jetë kundër tij.

6. Kush e lexon Kur’anin për t’i thënë se është lexues apo për tu lëvduar para njerëzve ai është munafik dhe me të do të ndizet zjarri ditën e kijametit.

Përgatiti: Omer Berisha

Burimi: albislam.com

shënimet:

1. Tefsirul Kurtubi (13/20)

2. Tefsiru Taberi (9/385)

3. Ahmedi (1947) dhe Tirmidhiu (2913), i cili thotë se hadithi është hasen sahih.

4. Tirmidhiu (2910), i cili thotë se hadithi është hasen sahih

5. Tirmidhiu (2917) hasen sahih, Albani në es-Sahiha (257) e ka konsideruar hasen.

6. Muslimi 1066) dhe Buhariu shkurtimisht

7. Buhariu (5020) dhe Muslimi (797)

 

0 1461

Një ditë, një djalë i varfër i cili shiste mallra derë më derë për të paguar rrugën e tij për në shkollë, kuptoi se i kish mbetur vetëm një monedhë dhjetë centësh, dhe ishte shumë i uritur.

Ai vendosi që të kërkoj për ushqim në shtëpinë tjetër. Sidoqoftë, ai e humbi guximin kur një femër e re e këndshme hapi derën.

Në vend të ushqimit ai kërkoi për një gotë ujë! Ajo mendoi se ai dukej i uritur kështu që i solli atij një gotë të madhe me qumësht. Ai e piu atë shumë ngadalë, dhe pastaj pyeti, Sa ju detyrohem?”

“Ju nuk më detyroheni asgjë,” u përgjigj ajo. “Nëna na ka mësuar që kurrë të mos pranojmë pagesë për një mirësi.”

Ai tha, “Atëherë unë ju falënderohem nga zemra.”

Kur Howard Kelly e la atë shtëpi, ai jo vetëm që u ndje më i fortë fizikisht, por gjithashtu i fortë ishte edhe besimi i tij në Zotin dhe njeriun. Ai gati kishte qenë duke u tërhequr dhe dorëzuar.

Shumë vite më vonë e njëjta femër e re u sëmur rëndë. Mjekët lokalë ishin të hutuar. Më në fund ata e dërguan atë në qytetin e madh, ku ata i thirrën specialistët që ta studiojnë sëmundjen e saj të rrallë.

Dr. Howard Kelly ishte thirrur për konsultime. Kur ai e dëgjoi emrin e qytetit prej nga ajo vinte, një dritë e çuditshme mbushi sytë e tij.

Ai u ngrit menjëherë dhe nëpër korridor të spitalit shkoi tek dhoma e saj.

I veshur me mantelin e mjekut ai shkoi brenda për ta parë atë. Ai e njohu atë menjëherë.

Ai u kthye në dhomën e konsultimeve i vendosur për të bërë më të mirën për të shpëtuar jetën e saj. Që nga ajo ditë ai i kushtoi kujdes të veçantë rastit të saj.

Pas një lufte të madhe beteja u fitua.

Dr. Kelly kërkoi nga zyra e biznesit që ta kaloi tek ai faturën e përgjithshme për aprovim. Ai shikoi në të, shkroi diçka në kënd dhe fatura u dërgua në dhomën e saj. Ajo u frikësua ta hapte atë, ngase ajo ishte e sigurt se do ti duhej që gjithë jetën e saj të mbetur të paguante për të. Më në fund ajo e shikoi, dhe diçka ia tërhoqi asaj vëmendjen në skaj të faturës. Ajo lexoi këto fjalë…

Paguar komplet nga një gotë qumësht

(Nënshkuar) Dr. Howard Kelly.

Lotët e gëzimit vërshuan sytë e saj derisa me zemër të lumtur ajo u lut: “Faleminderit, Zot, që dashuria jote është përhapur gjerësisht nëpër zemrat dhe duart e njerëzve.”

Ekziston një thënie e cila pak a shumë thotë kështu: Buka e hedhur në ujë kthehet përsëri te ti. Vepra e mirë që ti e bën sot mund të të sjell dobi ty ose dikujt që ti e do në kohën kur më së paku e pret.  Nëse nuk e sheh të mirën përsëri, ti së paku e ke bërë botën një vend më të mirë – dhe mbi të gjitha a nuk është kjo arsyeja e vërtetë e jetës?

nga anglishtja: Besnik ABRASHI

Burimi: albislam.com

Publikimi i pare: 14/Korrik/2010

NA NDIQNI NË