Arhiva MujoreNovember 2015

0 3395
Përgatitur nga: Organizata Islamike e Shamit
Përktheu: JUSTINIAN TOPULLI
Pyetje:
A është e drejtë që ISIS-i të etiketohet si hauarixh? Dihet se hauarixhët janë ata që i nxjerrin njerëzit nga feja, nëse ata bëjnë gjynahe të mëdha, ndërsa ISIS-i nuk e ka këtë besim. Po ashtu hauarixhë janë ata që bëjnë kryengritje kundra prijësve muslimanë, ndërsa në Siri dhe Irak muslimanët nuk kanë prijës, por kanë vetëm pushtetarë sektarë që janë armiq të sunive?
Si mund të jetë ISIS-i prej hauarixhëve, ndërkohë që ata vetë i përmbahen Sheriatit dhe bëjnë xhihad në Irak dhe Siri dhe kërkojnë të vendosin Sheriatin?!
Përgjigje:
Lavdërimi i takon Allahut, paqja dhe bekimet qofshin për të Dërguarin e Allahut.
Hauarixhët janë një nga sektet më të liga, dhe më të rrezikshmit në mesin e muslimanëve. Pikërisht për këtë arsye i gjejmë karakteristikat e tyre të shpjeguara qartësisht në Sunetin e Profetit, në mënyrë që njerëzit të mos gënjehen pas tyre. Këto karakteristika përmbushen mjaft mirë tek ISIS-i. Në hadithe nuk ka diçka të prerë që të përcaktohet si kusht se për të qenë hauarixh duhet të ngrihesh në kryengritje ndaj prijësit të muslimanëve apo t’i nxjerrësh muslimanët nga feja kur bëjnë gjynahe të mëdha. Për sa i përket përkufizimeve dhe bazave të doktrinave të tyre, që përmenden nga dijetarët, ato janë përafruese dhe përshkrime që tregojnë se ku kishte përfunduar sekti i hauarixhëve në kohën e tyre. Më poshtë po e sqarojmë më qartë se si:
Së pari: kriteri që merret në konsideratë dhe fjala përfundimtare për të përkufizuar hauarixhët apo për të përshkruar një sekt ose grupim me këtë emër, është ajo që është përmendur në tekstet e fesë. Suneti i Profetit i ka detajuar këto karakteristika të hauarixhëve, ashtu siç nuk ka detajuar asnjë sekt tjetër, dhe kjo pikërisht për shkak të rrezikut të madh që ata paraqesin dhe mashtrimit të shpejtë që bien njerëzit pas tyre. Disa nga tiparet më të rëndësishme të tyre janë tekfiri (me pa të drejtë), lejimi i vrasjeve, keqkuptimi i teksteve të Kuranit dhe Sunetit, mendjelehtësia, mosha e re dhe ndenja e epërsisë si dhe e vetëmashtrimit.
Së dyti: Ajo që përmendin shumë prej dijetarëve se, sekti i hauarixhëve përmban bindje se muslimani që bën gjynahe të mëdha del nga feja, nuk është një tipar i përgjithshëm i të gjithë hauarixhëve dhe as nuk është kusht për të përshkruar dikë si hauarixh. Tek hauarixhët futen të gjithë ata që i nxjerrin muslimanët nga feja me pa të drejtë dhe e lejojnë vrasjen e tyre, edhe nëse këta nuk besojnë se ai që bën gjynahe të mëdha del nga feja.
Ajo çfarë thuhet në përshkrimin profetik për ta është se, ata “vrasin muslimanët”. Dijetarët kanë shpjeguar se shkaku i këtyre vrasjeve është gjykimi që ata japin për ta “si të dalë nga feja” si dhe kufri me të cilin ata etiketojnë opozitarët e tyre.
Kurtubui ka thënë:
“Kjo, sepse ata i gjykuan si qafirë muslimanët, prej të cilëve u larguan dhe kështu që ata e lejuan vrasjen e tyre.” (el-mufhim)
Ibn Tejmije ka thënë:
“Te hauarixhët, fetaria më e madhe për ta është: të ndahen nga xhemati i muslimanëve dhe të lejojnë cenimin e gjakut dhe pasurive të tyre.” (el-fetaua)
Po ashtu ai ka thënë: “Ata e lejojnë vrasjen e muslimanëve, duke besuar se ata kanë dalë prej feje dhe për ta kjo është më e lejuar sesa vrasja e qafirëve, të cilët nuk janë renegatë.”
Ibn Abdulberri ka thënë:
“Ata (hauarixhët) janë njerëz që duke interpretuar (gabim) librin e Allahut lejuan vrasjen e muslimanëve, i konsideruan ata si të dalë nga feja, për shkak të gjynaheve, dhe ngritën shpatën kundra tyre.” (el-Istidhkar)
Hauarixhët të cilët ngritën krye kundra prijësit të besimtarëve, Ali ibn Ebi Talib dhe shokëve të Profetit (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre), nuk ishin prej atyre që besonin se, ai që bënte gjynahe të mëdha si imoraliteti, vjedhja dhe konsumimi i pijeve dehëse dilte nga feja, por ata i konsideruan sahabet si jomuslimanë, sepse ata pranuan arbitrazhin (tahkim) mes tyre, kur në fakt një veprim i tillë nuk është aspak gjynah. Ata i konsideruan Aliun dhe Muauijen, të dy si qafirë, po kështu edhe ata dy sahabët që morën pjesë në arbitrazh dhe të gjithë ata që qenë të kënaqur që çështja të shkonte në arbitrazh, dhe kështu ata lejuan vrasjen e tyre. Ndërkohë sahabët gjykuan për ta se ata janë hauarixh, pikërisht ata, për të cilët u kishte folur Profeti (alejhi salatu ue selam), pikërisht për atë çfarë ata bënë dhe as nuk i pyetën ata për besimin e tyre në lidhje gjynahet e tjera, nëse ata i gjykojnë si qafirë ata që i kryejnë ato apo jo.
Madje, “Nexhedatet”, sipas mendimit të përgjithshëm të dijetarëve një nga rrymat kryesore të hauarixhëve, nuk u bëjnë tekfir muslimanëve për gjynahet e mëdha. Ebu el-Hasan el-Esharij duke treguar besimin e tyre thotë: “Ata të gjithë janë të një mendje se të gjitha gjynahet e mëdha janë kufër, me përjashtim të nexhedateve, të cilët nuk e thonë këtë gjë.” (Mekalat el-islamijin)
Kështu që mund të themi se tipari përmbledhës i hauarixhëve është: Nxjerrja e muslimanëve nga feja, me pa të drejtë, dhe lejimi i vrasjes së tyre.
Tekfiri (nxjerrja nga feja) shfaqet në forma të ndryshme, si p.sh: nxjerrje nga feja për shkak të gjynaheve të mëdha, ose thjesht gjynahe, nxjerrje nga feja për gjëra që nuk janë fare gjynahe, nxjerrja nga feja me hamendje, me gjëra të dyshimta dhe të mundshme, ose për gjëra që mospajtimi për to është i lejuar dhe pranohet ixhtihadi (opinion islam), nxjerrja nga feja pa i verifikuar gjërat mirë dhe pa plotësuar kriteret e tekfirit dhe hequr pengesat që nuk të lejojnë të konsiderosh muslimanin qafir.
Nëse dijetarët e kanë konsideruar si hauarixh atë që i nxjerr nga feja muslimanët, kur ata bëjnë gjynahe të mëdha, çfarë mund të thuhet për ata që i konsiderojnë muslimanët qafirë për gjëra të vogla dhe madje për çështje ixhtihadije (opinionesh) apo gjëra që janë të lejuara, si p.sh. të takohesh me jomuslimanët dhe të komunikosh me ta?
Së treti: Nuk gjejmë në tekstet fetare ndonjë argument që të kushtëzojë se, quhet hauarixh ai që ngrihet në kryengritje ndaj prijësit të besimtarëve. Por, kushdo që ka besimin e tyre dhe ndjek metodën e tyre, ai është hauarixh, ngre krye kundra prijësit të muslimanëve ose jo.
Dalja kundra prijësve të muslimanëve, te hauarixhët, është rezultat i tekfirit të muslimanëve me pa të drejtë si dhe lejimi i vrasjes së tyre. Nëse haurixhët ndodhen diku që ka një prijës, i dalin kundra, lejojnë vrasjen dhe marrjen e pasurisë së tyre, por nëse ndodhen diku ku nuk ka ndonjë prijës, e lejojnë vrasjen e muslimanëve, mes tyre edhe muxhahidinëve, dijetarëve dhe thirrësve islam.
Ata janë quajtur “hauarixh” (të dalët) sepse dalin nga dispozitat e fesë dhe ndahen nga xhemati i muslimanëve, siç thotë Profeti (alejhi salatu ue selam): “Në kohën e fundit do të dalin njerëz me dhëmbë të rinj, mendjelehtë, thonë fjalët më të mira mes njerëzve, e lexojnë Kuranin, por ai nuk ua kalon gurmazin e tyre, dalin nga feja si shigjeta nga gjahu. Nëse përballeni me ta luftojini, sepse në eliminimin e tyre ka shpërblim tek Allahu Ditën e Gjykimit.” (Buhariu & Muslimi)
Ibn Haxheri thotë: “Ata janë quajtur të tillë (haurixh) sepse janë larguar nga feja dhe kanë dalë kundra muslimanëve më të mirë.” (Fethul bari)
Neveviu ka thënë: “Ata janë quajtur “hauarixh”, sepse i janë larguar xhematit të muslimanëve; thuhet po ashtu, sepse i janë larguar rrugës së xhematit; thuhet po ashtu, sepse Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “do të dalë nga rrënja e këtij njeriu” (Sherhu Muslim)
Në kohën e sulmeve tartare, njerëzit nuk ishin të një mendje sesi duhet ti gjykonin ata, por Ibn Tejmija i konsideroji ata të ngjashëm me hauarixhët, edhe pse ata në fakt nuk kishin ngritur krye kundër ndonjë prijësi. Ibn Kethiri në librin e tij “Bidajetu ue nihaje” thotë: “Njerëzit kanë folur rreth asaj sesi duhet të luftohen tartarët, si duhet të konsiderohen ata, sepse ata shfaqen si muslimanë dhe nuk janë as rebelë ndaj Prijësit, sepse ata nuk kishin qenë të bindur ndonjëherë ndaj tij dhe më pas ngritën krye! Shejh Tekijudin (Ibn Tejmije) ka thënë për ta: “Ata janë prej llojit të hauarixhëve, të cilët dolën kundra Aliut dhe Muauijes, dhe ishin të mendimit se e drejta ishte në anën e tyre më shumë sesa atyre të dyve, po kështu ata pretendojnë se e meritojnë më shumë se muslimanët e tjerë që të vendosin të vërtetën.”
Nëse hauarixhët arrijnë të ngrenë një shtet të tyrin, kjo nuk ua heq atyre cilësimin si hauarixh, sepse hauarixhët gjatë gjithë historisë islame kanë ngritur shtete dhe principata, madje ka pasur mes tyre edhe të atillë që kanë pretenduar kalifatin dhe megjithatë ata përsëri janë cilësuar si hauarixh, përderisa ata i konsiderojnë muslimanët si qafirë dhe e lejojnë vrasjen e tyre.
Së katërti: Zelli në bindjen ndaj Zotit dhe sakrifikimi i vetvetes, thirrja për të vendosur Sheriatin, apo lufta ndaj tagutëve, nuk tregon domosdoshmërish se dikush është imun nga devijimet, përkundrazi me të tilla cilësi hauarixhët janë dalluar gjatë gjithë historisë së tyre.
Profeti (alejhi salatu ue selam) na ka lajmëruar për zellin e hauarixhëve në adhurim, në mënyrë që të mos gënjehemi prej tyre nga ky fakt, ai ka thënë: “Do të ketë prej jush që ta përçmojnë namazin e tyre para namazit që bëjnë ata, dhe agjërimin para agjërimit të tyre.” (Buhariu & Muslimi)
Ibn Haxheri ka thënë: “Ata emërtoheshin si “kurra” (lexues të Kuranit), sepse ata ishin shumë të zellshëm në leximin e tij dhe në adhurim, por se ata e interpretonin Kuranin jo sipas qëllimit të tij; nuk pranonin mendim tjetër nga ai i tyre dhe sfiliteshin në asketizëm, në përqendrimin në adhurim etj.” (Fethul bari)
Profeti (alejhi salatu ue selam) gjithashtu na ka lajmëruar se ata thonë fjalë të mira dhe shfaqin thirrje për tek e vërteta: “Thonë fjalë të mira, por veprojnë gabim.” (Ahmedi, Ebu Daudi) “Thonë fjalë të hakut, por nuk ua kalon gurmazin.” (Ahmedi)
Sindi duke komentuar këtë thotë: “Kjo do të thotë se ata thonë në dukje fjalë që janë nga fjalët më të mira që thonë njerëzit, si p.sh.: gjykimi i takon vetëm Allahut, ejani të gjykojmë me librin e Allahut, etj.” (Hashijetu Sunen en-Nesai)
Krerët e hauarixhëve qenë mbledhur në kohën e Aliut dhe dhanë besën se do të gjykonin me Kuran, do të kërkonin të drejtën dhe do të refuzonin padrejtësinë, do të luftonin zullumqarët dhe nuk do të jepeshin pas kësaj bote, do të urdhëronin për të mira dhe ndalonin nga e keqja, e më pas luftuan ndaj sahabëve!
Së pesti: ISIS-i (Deuleja) ka kryer mjaft kundërvajtje fetare, kjo dëshmohet nga fjalët e tyre dhe veprimet e shumta të tyre, të cilat të shtyjnë të gjykosh për ta se ata janë hauarixh dhe të devijuar nga rruga profetike. Dhe faktet për këtë janë:
1. Gjykimi që japin për vendet muslimane se ato janë vende të kufrit dhe të tradhtisë ndaj fesë, ndaj dhe sipas tyre është detyrim të emigrosh prej këtyre vendeve drejt vendeve që janë nën kontrollin dhe pushtetin e ISIS-it.
2. Ata i gjykojnë si qafirë dhe renegatë ata që janë kundra tyre dhe i akuzojnë si tradhtarë dhe shërbëtorë të qafirëve. Këtë e bëjnë me fakte të dyshimta, me gjëra që në fakt nuk janë as kufër, si p.sh. marrëdhëniet me qeveri dhe shtete të tjera, takime me përfaqësues të këtyre shteteve…
3. E lejojnë luftën kundra atyre që janë kundra metodës që ata përdorin, ose refuzon t’i nënshtrohet shtetit të tyre imagjinar. Praktikojnë mes muslimanëve rrëmbime, tradhti, burgosje, vrasje, ndëshkime… dërgojnë makina shpërthyese me eksploziv në qendrat e muxhahidëve, duke vrarë udhëheqës muxhahid të kryengritjes, thirrës islam, gazetarë dhe aktivistë, krime këto që as dy regjimet sektare të Irakut dhe Sirisë nuk i kanë bërë. Kanë luftuar kundra muslimanëve ashtu siç nuk kanë luftuar as armiqtë e tyre. Dhe të gjitha këto provojnë fjalë e Profetit (alejhi salatu ue selam): “Vrasin muslimanët dhe lënë mënjanë idhujtarët.” (Buhariu & Muslimi)
4. E lejojnë marrjen e pasurisë së muslimanëve, me arsyetimin se do të luftojnë kundra grupeve të devijuara, i sekuestrojnë këto pasuri me pa të drejtë. Kanë monopolizuar burimet publike natyrore siç janë puset e naftës, depot e drithit etj. dhe sillen me to si pushtetarë të plotfuqishëm.
5. I janë larguar xhematit të muslimanëve duke e kufizuar hakun vetëm tek vetvetja dhe duke i gjykuar të gjithë ata që janë kundra tyre në idetë dhe projektin e tyre, si armiq të fesë. Veprimi i fundit që bën në këtë drejtim qe shpallja e “Kalifatit” dhe detyrimi që kanë të gjithë muslimanët për ti dhënë besën atij!
6. Mes tyre nuk gjen dijetarë, njerëz të njohur te muslimanët për dijen e tyre. Ata u ngjajnë paraardhësve të tyre prej hauarixhëve të cilëve Ibn Abasi u tha: “Po vijë nga shokët e Profetit (alejhi salatu ue selam), nga muhaxhirët dhe ensarët… tek ta zbriti (Kurani), e mes jush nuk ka asnjë prej tyre.” (Trs. Hakimi)
Shumica e tyre janë në moshë të re, të cilët për nga natyra dominohen nga mendjelehtësia, nxitimi dhe zelli i tepruar, nga mungesa e largpamësisë dhe kuptimit, si dhe nga mendjengushtësia dhe mungesa e dijes. Ata janë tamam siç ka thënë për ta Profeti (alejhi salatu ue selam): “Të rinj, mendjelehtë”.
Mungesa e njerëzve të ditur dhe të urtë ka ndikuar negativisht, duke bërë që ata të bëjnë budallallëqe dhe veprime të pamatura, pa vështruar në përfundimin dhe të ardhmen e gjërave, pa shikuar pasojat e dëmshme që u kanë sjellë muslimanëve. Dhe të gjitha këto i kanë bërë nën pretendimin se po thonë të vërtetën apo se i janë mbështetur Allahut!
7. Të gjitha këto elementë i shtyn ata të ndjehen kryelartë ndaj muslimanëve dhe të vetmashtrohen. Ata pretendojnë se vetëm ata janë luftëtar në rrugë të Allahut, që i njohin ligjet e Zotit në xhihad, ndaj dhe mburren së tepërmi me ato që bëjnë! Profeti (alejhi salatu ue selam) për hauarixhët ka thënë: “Në mes jush do të ketë të atillë që bëjnë adhurim dhe sfiliten, aq sa njerëzit do të habiten prej tyre dhe ata do të habiten me veten; dalin nga feja si shigjeta nga gjahu.” (Trs. Ahmedi)
Është pikërisht ky vetmashtrim që i shtyn ata të zgjatin gjuhën ndaj njerëzve të ditur dhe të urtë dhe të mos marrin në konsideratë fjalët e tyre. Pretendojnë se dinë ndërkohë që përballen me ngjarje dhe çështje të mëdha pa asnjë përvojë dhe pas asnjë vizion. Refuzojnë të gjykohen nga gjykata të pavarura (islame) për ato që ka ndodhur mes tyre dhe grupeve të tjera. Po ashtu siç kanë ndihmuar regjimin kriminal (të Esedit) kundra muxhahidinëve, duke i rrethuar dhe i vrarë ata. Kanë shprehur kënaqësinë e tyre kur kanë parë humbjet dhe thyerjen e muxhahidinëve karshi regjimit (të Esedit) dhe sesi ai vinte nën kontroll pozicionet e tyre. Nuk është fare e pamundur që mes tyre kanë infiltruar armiq të Islamit, agjentura të huaja, të cilët ndikojnë në përplasjen mes muxhahidinëve, duke realizuar atë që se bëjnë doit drejtpërdrejtë në luftë.
Paraqitja e të gjitha këtyre elementëve të lig tek ISIS-i, çka nuk i gjen as te havarixhët e parë… i bën ata t’ua kalojnë havarixhëve të hershëm në devijimin e tyre. Gjykimi që ne japim se ISIS-i është prej havarixhëve, nuk do të thotë patjetër se të gjithë individët e tij janë të tillë, pasi ka mes tyre që janë të paditur me qëndrimet dhe fjalët e vetë ISIS-it apo janë të mashtruar prej tyre, por se të gjithë ata përfshihen në një gjykim të vetëm me mënyrën sesi duhet të sillemi me ta. Ne duhet të eliminojmë sherrin e tyre, dhe llogarinë do ta japin tek Allahu.
Lusim Allahun e Lartësuar, të udhëzojë të humburit mes tyre, të ndëshkojë zullumqarin dhe t’i shpëtojë muslimanët prej sherrit të tyre.

0 2270
  1. A detyrohet femra të zgjidh bistekun e flokëve kur pastrohet?

– Kur femra lahet nga xhunubllëku ajo nuk detyrohet t’i zgjidhē bystekët e flokëve, kurse kur lahet nga menstruacionet ajo obligohet ti zgjidhë bistekët e flokëve.

2. Cilat janë kushtet e Guslit?

Kushtet e larjes (Guslit) janë:

– 1. Nijeti 2. Të larurit(pastruarit) e trupit në tërêsi duke ia bashkangjitur këtu gojen dhe hundën(futjen e ujit në gojë dhe në hund).

3- Cfarë i ndalohet personit që është xhunub të veprojë ?

Xhunubit i ndalohet:
a. Falja e Namazit
b. Tavafi rrethë Qabes
c. Prekja e Mus’hafit (Ndalimi këtyre gjërave është me pajtushmerinë e katër imamëve e medh’hebeve dhe në këtë kanë kundërshtuar vetëm Dhahirit sa i përket prekjes së mus’hafit por e drejta është në anën e shumicës pasi që me këtë madhërohet fjala e Allahut.)
d. Leximi i Kuranit. Në këtë ka sqarime të ulemaja. Por duke mos u zgjeruar themi se leximi i Kuranit per xhunubin, nëse me lexim ka për qëllim kryerjen e adhurimit të njohur (pra të ulet dhe lexoj Kuran) është i ndaluar. Ky qëndrim është zgjedhur nga një numër i madh i ulemave dhe kjo duke të jetë më i qëlluari. Mirëpo nëse xhunubi përmend ndonjë pjesë të ajetit si lutje, atëherë lejohet të thotë psh: Bismilah, Elhamdulilah, Subhanallah kur është në situata ku thuhen këto lutje.
e. Qëndrimi në Xhami Kështu kanë thënë shumica e ulemave por duke pasur parasysh të gjitha transmetimet në lidhje me këtë themi se nëse qëndrimi në xhami është i detyruar lejohet të qëndroj (psh nëse frikësohet gruja të qëndroj vetë në shtëpi etj).

  1. Si bënte Guslin (larjen) Pejgamberi, alejhi selam?

– Aisheja thote: Kur lahej pejgamberi, alejhi selam, nga xhunubllëku, fillonte me larjen e duarve, e pastaj merrte ujë me dorën e djathtëbdhe gjuante në të majtën, pastaj lante organin, e pastaj merrte abdest sikur per namaz, pastaj merrte ujë dhe e hedhte në kokë duke futur gishtat në rrënjët e flokëve, e kur shihte se ka fërkuar tërë kokën hidhte tre grusht ujë në kokë, pastaj hidhte në tërë trupin e pastaj e lante tërë trupin.” (Buharu dhe Muslimi).

  1. Kur është e pëlqyer larja (gusli)?

– 1. Larja në ditën e Xhumasë (dy mendime: a. Vaxhib b. Sunet i fort (mendimi më i saktë).
2. Larja(guslli) pas cdo akti seksual me gruan.
3. Larja pas alivanosjes.
4. Larja për dy Bajramet dhe ditën e Arafatit.
5. Larja për atë qê e lanë të vdekurin.
6. Larja para veshjes së Ihramit për Umre apo Haxh.
7. Larja për të hyrë në Meke.
8. Larja në ditën e Arafatit.

  1. Kur obligohet Gusli ?

– 1. Dalja e spermës në gjumë apo kur je i zgjuar.
2. Kontakti seksual, edhe nëse nuk ka ejakulim.
3. Ndërpreja e Menstruacioneve.
4. Pas lehonisë.
5. Larja e të vdekurit.
6. Pranimi i islamit nga Qafiri (dy mendime te uelmave: 1. Obligohet guslli 2. Pëlqehet guslli).

Përgatiti: Suad Burhan Shabani

Burimi: albislam.com

0 1959
Po jetojmë një epokë dhimbjesh, aq sa duke perifrazuar një thënie profetike, na duhet të themi se ato që ikën, nuk janë asgjë para këtyre të sotmeve, e ndoshta nuk do të jenë asgjë, para atyre që do të mund të përjetojmë nesër. Kështu pra, na u desh që gjumin e natës ta bëjmë përsëri të trazuar dhe qetësia të na merret peng nga krimi monstruoz i terrorizmit, që s’ka as fe e as moral.
Këta kriminelë po na marrin peng jetën, besimin, qetësinë dhe gjithçka të mirë, për të cilën ne kemi nevojë nga kjo botë.
Ata po tentojnë të na marrin peng besimin, duke folur në emër të tij, me interpretimet e tyre vrastare tekfiriste.
Ata po tentojnë të na marrin peng të drejtën islame, duke përligjur monstruozitetin e vrasjeve të tyre të padrejta.
Ata po tentojnë të na marrin peng luftën, duke e shpërfytyruar emrin e saj, në simbolikë të krimit dhe terrorit.
Ata po tentojnë të marrin peng traditën, kulturën dhe trashëgiminë e një qytetërimi të tërë islam, duke i veshur atij dhunshëm petkun e monstruozitetit.
Ata po tentojnë të marrin peng vetë Islamin dhe mesazhin e tij hyjnor e të mëshirshëm për botën.
Po kush janë këta kriminelë, këta havarixhë të kohëve moderne, që kërkojnë të marrin peng vetë historinë dhe të ardhmen e muslimanëve dhe vetë njerëzimit?!
A nuk e shohin këta çunakë mendjelehtë, se me çmendurinë e tyre absurde, kanë marrë peng politikën rajonale dhe atë globale, duke u bërë katalizatorë të shtimit të vuajtjeve të muslimanëve?!
A nuk e shohin këta kriminelë, se me veprat e tyre po përligjin vuajtjet, dëbimet, emigrimin, vrasjet, përdhunimet, grabitjet, diktaturat, indiferencën dhe papërgjegjshmërinë e botës, karshi çdo gjëje që ka emrin islam e musliman?
A nuk e shohin këta njerëz të çekuilibruar, se po i hedhin benzinë zjarrit të islamofobisë dhe ksenofobisë anti-muslimane kudo në botë?!
A nuk e shohin këta delirantë, se po provokojnë fantazmat e kryqëzatave, epokën e luftës së ftohtë dhe ideologjitë e përplasjeve mes qytetërimeve?!
Por, pse duhet vallë që, çdo herë të shfajësojmë vetveten, duke distancuar veten dhe fenë tonë prej këtyre kriminelëve të pafytyrë?! Pse vallë na duhet përherë të deklarohemi për çfarë nuk jemi dhe jo se çfarë jemi?!
Përse vallë, sa herë që njerëz të marrë bëjnë marrëzira, ne si muslimanë na duhet të dënojmë marrëzinë e tyre, sikur ajo të ishte pjesë e jona?!
Pse vallë na duhet të ulim kokën dhe të na vijë turp për këtë fe që kemi, ndërkohë që Zoti na e dhuroi atë, për ta mbajtur kokën lart?!
Kush janë pra këta pengmarrës, që guxojnë të na marrin peng identitetin dhe dinjitetin tonë islam?!
Këtë kancer që kërkon të marrë peng gjymtyrët tona, duhet ta mjekojmë vetë së pari, në njërën anë duke de-legjitimuar teologjikisht dhe moralisht ideologjinë e tyre vrastare tekfiriste, nëpërmjet debatit dhe ligjërimit të brendshëm dhe atij publik, dhe në anën tjetër, duke çuar në vend porosinë e Profetit tonë karshi tyre, për t’iu shkurtuar këmbët, aty ku nuk bën punë as këshilla dhe as debati, gjithsecili sipas pozitës dhe mundësisë që i ka dhënë Zoti në këtë botë.
Pengmarrjes nga ky grusht injorantësh, dhe kauzave të drejta e të padrejta që ai shfrytëzon, i duhet dhënë fund drejtësisht, dhe për këtë, si vendet muslimane, ashtu edhe pjesa e tjetër e botës, duhet të ndajnë si gabimet, ashtu edhe përgjegjësitë për ndryshimin e situatës.
Shkroi: Hoxhë Justinian Topulli

0 1884

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të dërguarin e Allahut, mbi familjën e tij, shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij.

Allahu i madhëruar, në librin e Tij, Fisnik, thotë; “Dhe urdhëroje familjen tënde që të bëjë namaz dhe në këtë bënu këmbëngulës! Na nuk kërkojmë furnizim prej teje. Na të furnizojmë ty, e përfundimi i mirë është për ata që ruhen nga mëkatet.” (Ta Ha: 132 ).

Kjo, është porosi për pejgamberin, alejhi selam, dhe gjithë umetin e tij.

Allahu i madhëruar, e përmend pejgamberin e Tij, Ismailin alejhi selam, se ai ishte njeri i sinqertë, plotësonte premtimin që ia kishte dhënë Allahut, ishte pejgamberë lajmëtarê, urdhëronte familjen e tij për faljen e namazit, dhënien e zekatit dhe përmes këtyre veprave e arriti kënaqësinë e Allahut.

Allahu i madhëruar, thotë: “Dhe, përmende (o Muhammed!) në Libër (Kur’an), Ismailin! Me të vërtetë, ai plotësonte premtimin e dhënë dhe ka qenë pejgamber, lajmëtar. Dhe urdhëronte popullin e vet, që të bëjë namaz dhe të japë zeqatin dhe arriti kënaqësinë te Zoti i vet.” (Merjem : 54-55 ).

Familja, fëmijët dhe të afërmit e tu, janë njerëzit që më së shumti e ke obligim t’i bësh mirë, të sillesh mirë me ta, t’i largosh nga zjarri i xhehenemit, dhe kjo është bamirêsia më e madhe që mund t’ua bësh atyre.

Po e veprove një gjë të tillë, e ke kryer prosinë dhe amanetin e Allahut, ku thotë;

“O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri.” (Tahrim: 6 ).

Dhe, kjo gjë që ua bënë ti atyre, është më me vlerë sesa t’u dhurosh atyre para apo t’ua plotësosh dëshirat e tyre që kanë të bëjnë me dunjan.

Është çështje madhore që të bëhesh sebeb, t’i largosh dhe mbrosh ata nga dënimi dhe hidhërimi i Allahut.

Por, për t’u arritur një gjë e tillë në mënyrën më të lehtë, duhesh që t’i të jesh shembull për ta, duke kryer vepra të mira, duke i kryer kohët e namazit me xhemat në xhami dhe nê kohën e tyre. Duhesh të jesh shembull nê ruajtjen e gjuhës nga përgojimi, bartja e fjalëve, në sjellje ndaj të afërmve dhe të tjerëve, në urdhërimin në të mirë dhe ndalimin nga e keqja, pra në çdo aspekt ti duhesh të jesh shembull dhe mostêr për ta.

Allahu i madhëruar, i thërret besimtarët në emër të imanit, ngase imani është ai që e shtinë njeriun tê kryej vepra të mira dhe tê largohet nga veprat e këqija.

Kështu, pra Allahu i drejtohet atyre që kanë besuar: “O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lëndë djegëse të të cilit janë njerëzit dhe gurët” (Tahrim: 6 ).

Duhet patjetër të garojmë në vepra të mira, ta këshillojmë njeri tjetrin, të japim mundin tonê drejtë thirrjes së Allahut, ngase kështu na porosit Allahu dhe i dërguari i Tij.

Allahu i Madhëruar, thotë: “Betohem në kohë, – me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe punojnë vepra të mira, dhe të cilët rekomandojnë njëri-tjetrit të vërtetën (fenë Islame), dhe të cilët i rekomandojnë njëri-tjetrit durimin, (në zbatimin e urdhërave të Allahut).” (El Asr: 1- 3 ).

“E, ata që përpiqen për të mirat Tona, Na, me siguri do t’i udhëzojmë në rrugën Tonë. Allahu, me të vërtetë, është me të mirët! (Rrum: 69 ).

Pejgamberi, alejhi selam, tha: “Feja është këshillim, feja është këshillim, feja është këshillim.” I thanë: “Për kë o i dërguar i Allahut? Tha, pejgamberi, alejhi selam: “Për Allahun, librin e Tij, të dërguarin e Tij, udhëheqësitë e muslimanëve dhe për masën e gjerë.” (Muslimi: 55, nga hadithi i Temim ed Darij, radijAllahu anhu).

Allahu na bëftë të gjithëve prej thirrësve të dobishëm në rrugën e Tij. Allahu na bëftë prej atyre që thêrrasin dhe e mbrojnë të vërtetën. Allahu na bëftë prej atyre që nxitojnë kryerjen e veprave të mira dhe ndalojnë nga kryerja e veprave të këqija.

Allahu na i pranoftë lutjet tona, ngase Ai, me të vërtetë, i dëgjon të gjitha dhe është afër.

Salavatet dhe selamet qofshin mbi të dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij.

Burimi: Mexhmu’u el Fetaua Ue Mekalat el Muteneuia: 9/136-141.

Shejh Abdulaziz Ibën Bazi, rahimehullah.

Nga arabishtja: Suad B. Shabani

Burimi: albislam.com

0 4425

Pyetja: Cili është shkaku përse përmendet gjinia mashkullore më tepër se sa gjinia femërore, në ajetet Kuranore?

Përgjigjja: Falënderimet e plota i takojnë vetëm Allahut.

Shprehjet e Kuranit nuk janë çdoherë të drejtuara gjinisë mashkullore me përjashtim të gjinisë femërore, por ato janë në tri kategori:

Një: Fjali të drejtuara veçanërisht për gjininë mashkullore, siç është fjala e Allahut: “Mos u martoni me paganet, përderisa të mos bëhen besimtare. Skllavja besimtare është më e mirë se paganja, edhe nëse u pëlqen juve.” Bekare, 221. Sikur që janë ajetet e luftërave dhe implementimit të sanksioneve, ngase kjo u drejtohet gjinisë mashkullore e jo edhe gjinisë femërore.

Dy: Fjali drejtuar vetëm gjinisë femërore, që mund të jenë dispozita të veçanta për to, sikur që janë ajetet e mbulesës, etj. Si fjala e Allahut: “E, kur të kërkoni prej atyre diçka, kërkoni (atë) prapa perdes.” Ahzab, 53. Apo të jetë dispozitë e përgjithshme, për dy gjinitë, por është në mënyrën e fjalive drejtuar gjinisë femërore: “falni namazin, jepni zeqatin dhe përuljuni Allahut dhe Pejgamberit të Tij!.” Ahzab, 33. (Në këtë ajet në gjuhën arabe foljet janë në formën e gjinisë femërore)

Tre: Fjali drejtuar dy gjinive, kjo ka ardhur në mënyrën e fjalive drejtuar gjinisë mashkullore, edhe pse vlen për dy gjinitë, sikur që janë ajetet që cekin shprehjet, si; “O bijtë e Ademit.”, “O ju të cilët keni besuar.” Njashtu ajetet ku foljet janë në shumësin e rregullt të gjinisë mashkullore, si: “kryeni namazin dhe jepnie zeqatin, dhe për hir të Allahut jepni hua.” Muzemil, 20.

Kjo është në pajtim me metodat e gjuhës arabe dhe retorikës, me pajtueshmërinë e drejtimit të përgjithshëm të ligjeve dhe dispozitave, kjo sqarohet si në vijim:

1-Dispozitat Kuranore janë të përgjithshme edhe për gjininë mashkullore edhe për atë femërore, po të ishin shprehjet fillimisht drejtuar gjinisë mashkullore e më pas të përsëritet e njëjta ndaj gjinisë femërore, në çdo ajet, do ishte në kundërshtim të retorikës dhe oratorisë. Andaj nuk do ishte e drejtë të thuhej: “O bijtë e Ademit”, dhe (O ju bijat e Ademit), në këtë mënyrë nuk flet një oratorë e për më tepër Kurani Fisnik, që është fjala më absolute, e retorikës dhe oratorisë.

Të gjithë arabët, në gjuhën e të cilëve zbriti ky Kuran, janë të pajtimit që shprejet drejtuar gjinisë mashkullore dhe gjinisë femërore së bashku të jenë në formën e shumësit të gjinisë mashkullore, e jo edhe të asaj femërore.

Shejh Muhamed Emin Shenkiti, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Të gjithë gjuhëtarët arab janë unanim të dhënies përparësi gjinisë mashkullore ndaj gjinisë femërore kur vije në formën e shumësit, etj.”

2-Kjo është në pajtim edhe me besimin islam, me bazat dhe parimet e saja, se gjinia femërore pason gjininë mashkullore, Allahu i Madhëruar thotë: “Ai ju ka krijur prej një njeriu (Ademit); pastaj, prej tij ka krijuar shoqen e tij.” Zumer, 6.

Ashtu si gruaja e ka pasuar mashkullin në krijim, është e përshtatshme që ta pason atë edhe në shprehjet fetare.

3-Kjo është e përshtatshme edhe me ndarjen e detyrave fetare, ku nga urtësia e Tij absolute, dhe si sprovë për robërit e Tij, bëri që udhëheqësinë ta lë në duar të burrave, që nga udhëheqësi i përgjithshëm e deri në kryefamiljarë, e ngarkoi atë me obligime, e ditën e Kiametit Allahu do ta merr në pyetje për atë çfarë ka vepruar. Allahu thotë: “Meshkujt udhëheqin (dhe përkujdesën) për grtë, meqë Allahu i ka graduar (meshkujt) me disa cilësi (si fuqia fizike e tyre) mbi ato, – dhe, meqë ata shpenzojnë pasurnë e tyre (për furnizim).” Nisa, 34.

Shejh Abdurrahman Sadij, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “burrat kanë përparësi për vetëm një shkallë.” Pozitë dhe udhëheqje dhe përkujdesi ndaj grave, siç thotë Allahut: “Meshkujt udhëheqin (dhe përkujdesën) për grtë, meqë Allahu i ka graduar (meshkujt) me disa cilësi (si fuqia fizike e tyre) mbi ato, – dhe, meqë ata shpenzojnë pasurnë e tyre (për furnizim).” Nisa, 34. Pozita e pejgamberllëkut, gjykatësit, prijësit, e udhëheqësija e vilajeteve janë të veçanta për burrat.” (Tefsir Sadit, 102)

Gruaja në përgjithësi jetën e saj e kalon nën mbikqyrjen dhe udhëheqjen e burrit, që në fillim nën mbrojtjen e prindit e më pas nën mbikqyrjen e burrit të saj.

Allahu e di më së miri.

Burimi: albislam.com / Islamqa.info

Përktheu: Shpend Zeneli

0 1962

Shkaqet e dobësimit të muslimanëve:

1. Moskthimi në gjykimin e Allahut.
2. Injoranca në lidhje me rregullat e islamit.
3. Largimi dhe distancimi nga feja e Allahut.
4. Pasimi qorrazi i traditave të jobesimtarëve.
5. Prezenca e gjërave të injorancës, dallimi në raca, ngjyrë dhe në gjuhë ndërmjet muslimanëve.
6. Humbja e shpresës për ndryshimin e gjendjes prej të keqes në të mirë.
7. Lënia pas dore dhe anashkalimi i urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja.

Shejh Abdulaziz Ibën Muhamed Ibën Abdullah es Sed’han

Nga arabishtja: Suad B. Shabani

Burimi: albislam.com

0 4102

“Ai i cili ka krijur jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush vepron më mirë; – Ai është i Plotëfuqishëm dhe falës.” (El Mulk: 2).

“Me të vërtetë, do të vdesësh ti, e me të vërtetë, do të vdesin edhe ata.” (Ez Zumer: 30).

“Sot, çdo njeri do të shpërblehet për atë që ka punuar; sot nuk ka padrejtësi! Allahu, me të vërtetë, është llogaritar i shpejtë. Dhe, paralajmëroi ata për Ditën e afërt të Gjykimit, kur zemrat do t’u vijnë deri në fyt prej pikëllimit. (Atëherë), për njerëzit e këqinj nuk ekziston asnjë mik i sinqertë dhe ndërmjetësues i pranueshëm. (Allahu) di për shikimin e përvjedhur të syrit dhe atë që fsheh zemra; Allahu gjykon drejt, e ata që u luten atyre përveç Tij, nuk gjykojnë asgjë. Allahu, me të vërtetë, dëgjon dhe sheh (çdo gjë).” (Gafir: 17 – 20).

“Dhe, Na, para teje, askë nuk e kemi bërë të pavdekshëm, e nëse ti vdes; a do të mbesin ata gjallë? Çdo person do ta shijojë vdekjen! Na ju vëmë në sprovë juve – me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni. (El Enbija: 34-35).

“Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë e Allahut, të cilat, Ai i ka krijuar për robërit e vet, dhe ushqimet e këndshme?” Thuaj: “Ato janë për besimtarë në këtë botë (dhe për të tjerët); e, në botën tjetër, vetëm për besimtarë. Që, kështu, Na ua shpjegojmë argumentet njerëzve që dijnë.” (El A’raf: 32).

“Ah sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart(duke thënë): ” Dorëzoni shpirtërat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues përshkak të të pavërtetave që keni thënë për Allahun dhe që keni shpërfillur shpalljet e Tij.” (El En’am: 93).

“Eh, sikur t’i shihje sesi engjëjt ua marrin shpirtrat mohuesve! I godasin ata në fytyrë dhe shpinë (duke u thënë): ” Shijoni dënimin e zjarrit!” (El Enfal: 50).

“Me të vërtetë, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu, e pastaj vazhdojnë në të drejtë (sipas urdhërit të Allahut), do t’ju zbresin atyre engjëjt (dhe do t’ju thonë): “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni xhennetit që ju është premtuar.” (Fusilet: 30).

Muhamedi,- alejhi selam!,- ka thënë: “Askush të mos vdes, veçse duke pasur mendim të mirë për Zotin e tij.” (Muslimi).

Muhamedi, -alejhi selam!, na rrëfen historinë e një burri, të cilit i erdhi vdekja. Para se ta dorëzojë shpirtin e tij, ai u tha fëmijëve dhe familjarëve: ” Nëse vdes, mblidhni shumë drunjë dhe ndizni një zjarr të madh dhe ma digjni kufomën time. Kur ta ketë djegur mishin tim dhe kockat, merrni hirin e mbetur dhe hidheni në det në një ditë me erë! Fëmijët e respektuan porosinë e babait të tyre. Pasi e dogjën, Zoti urdhëroi erën, tokën dhe detin që t’ia mblidhnin hirin dhe e pyeti njeriun: Përse e bëre kêtë? Ai tha: U frikësova prej Teje o Zot. Allahu e fali.” (Buhariu dhe Muslimi).

Muhamedi,- alejhi selam!,- ka thënë: “Jeto në këtë botë si një i huaj, ose si një kalimtar.”

“Nëse zgjohesh në mëngjes mos e prit mbrëmjen dhe nëse flen në mbrëmje mos e prit mëngjesin. Gjatë shëndetit tënd, përgatitu pêr sëmundjen dhe gjatë jetës përgatitu për vdekjen.” (Buhariu dhe Tirmidhiu).

Disa nga të parët tanë kanë thënë: “Po t’i thuhet filanit se nesër do vdesësh apo do bëhet Kiameti, nuk do të dinte se çfarë të shtonte asgjë nga veprat e mira (ngase i vepronin të gjitha).”

Muhamedi,- alejhi selam!,- ka thënë: “Dynjaja është burgu i besimtarit.” (Muslimi).

Muadhi, radijAllahu anhu, para vdekjes ka thënë: “Nesër do të takohem me të dashurit e mi, Muhamedin dhe shokët e tij.”

Muhamedi,- alejhi selam!,- ka thënë: “Kush e pëlqen takimin me Zotin, edhe Zoti do e pëlqej takimin me të.” (Muslimi).

Edhe në traditën profetike përmendet agonia e vdekjes, të cilën e përjetoi edhe vetë Muhamedi alejhi selam. Në çastet e vdekjes së tij, vajza e tij Fatimja duke qajtur i tha: ” Ah i mjeri ti, o baba! Ai iu përgjigj: “Nuk ka mjerim tjetër pos kësaj dite baba yt oj Fatime.” (Buhariu).

Përgatiti: Suad B. Shabani

Burimi: albislam.com

NA NDIQNI NË