Arhiva DitoreJan 25, 2016

0 2005

Ideja imagjinare, me të cilën jetojnë shumë njerëz në botë, se jeta do të bëhet më e mirë dhe më e lumtur në jetën e kësaj bote, e se do të sundojë paqja, mirëqenia dhe bollëku, nuk është doktrinë që e ka fillimin e saj tek progresi industrial dhe epoka moderne, përkundrazi, ajo është një doktrinë fetare mjaft e hershme. Parajsa tokësore është premtuar nga besimet e ndryshme fetare, para se të premtohej nga “profetët” e epokës moderne, sepse besime të tilla i gjen për shembull te të krishterët dhe muslimanët; edhe pse historikisht si doktrinë, kjo ide është zhvilluar më shumë te të krishterët e mesjetës evropiane, të cilët besonin tek ardhja dhe sundimi tokësor njëmijë vjeçar i Krishtit, ku ujku do bashkëjetojë me delen dhe e keqja do të burgosej për njëmijë vjet. Me disa ndryshime mjaft thelbësore, si nga përmasa, por edhe nga përmbajtja e këtij besimi, për një periudhë relative lumturie, flitet edhe te muslimanët. Por, një dallim i rëndësishëm këtu, që ia vlen të përmendet, ka të bëjë me planin ideologjik, ku ky besim te pjesa më e madhe e muslimanëve, nuk u kthye kurrë në një doktrinë bazë që të pushtojë shpirtin dhe mendësinë e praktikës së tyre. Kjo botë për ta, do të ngelej e papërsosur deri në fundin e saj, ndaj nuk ka nevojë të punohet për përshpejtimin e ardhjes së kësaj epoke lumturie relative, edhe pse kësaj bote, natyrisht nuk duhet t’i kthejmë shpinën, për ta bërë më të mirë sa është e mundur, por mbi të gjitha, njeriu duhet të jetojë në përputhje me ligjin e Zotit dhe të përgatitet për botën tjetër, sepse kjo është në fakt, ajo që e bën botën më të mirë, brenda kufijve të saj të mundshëm. Natyrisht, një besim të tillë, shumë të ndryshëm, por me disa ngjashmëri, e gjen edhe te të krishterët, por në Evropën e Krishtërimit ndodhi ajo që nuk ndodhi te muslimanët, një forcë e re jofetare lindi, që duke shkelur mbi parimet e këtij besimi dhe duke huazuar njëkohësisht prej tij, krijoi ideologjinë dhe fenë e re laike të përparimit të vazhdueshëm, fe që do t’i shpinte njerëzit drejt lumturisë progresive dhe parajsës. Dallimi thelbësor këtu qëndron në faktin se, kjo epokë lumturie nuk do të vinte nga Zoti, por nga progresi njerëzor i pandalshëm, e që praktikisht, do ta kthente njeriun në perëndi të fateve të veta dhe në parajsën e tij, nuk kishte vend për Zotin. “Profetët” e kësaj feje të re, u bënë filozofët dhe mendimtarët e shekujve të shkuar, ndërsa zbatuesit e saj, shkencëtarët dhe teknicienët e ndryshëm, këta “klerikë” të epokës moderne.

Krizat e shumta që ka pësuar dhe po pëson në vazhdimësi moderniteti, duke dështuar të sjellë parajsën në tokë, i kanë vënë në punë mendimtarët dhe filozofët, para të tjerëve, për të pranuar dhe rifilozofuar se, epoka e lumturisë së ardhme tokësore, qe një iluzion i keqhuazuar nga feja dhe se “feja e progresit material”, nuk të shpie në parajsën tokësore. Por, gjithsesi kjo ideologji vazhdon të ngelet një utopi e realizueshme për “klerikët” e epokës moderne, të cilët janë të vetmit, që më shumë se kushdo tjetër, me përpjekjet e tyre mbajnë akoma gjallë këtë besim, këtë ëndërr të vonshme mesjetare.

Besimi i vërtetë, që Zoti iu dhuroi njerëzve, i mëson njerëzit se lumturia më e madhe e kësaj bote është kënaqësia e shpirtit, ku trupi merr nga materia, aq sa ka nevojë të jetojë normalisht, pa i hyrë atij në hak, dhe ku dashuria, morali, etika, bamirësia, bindja ndaj normave të besimit, droja dhe adhurimi i vetëm e i pashoq i Zotit, janë fushat më të rëndësishme dhe të vazhdueshme të progresit human.

Feja e paZot e epokës moderne ka dështuar, e bashkë me të, edhe utopia e parajsës tokësore, edhe pse ajo, natyrisht, do të vazhdojë të mbahet fort, deri në rënien dhe grahmat e fundit të saj. Kjo, jo domosdoshmërisht do të thotë se besimi i vërtetë do të zërë tërësisht vendin e saj, njeriu ka treguar se gjithmonë krijon iluzione të reja dhe bëhet pre’ e besimeve idhujtare dhe përshpirtjeve të vjetra absurde. Kështu që, neve na duhet të jetojmë në këtë botë dhe epokë ndryshimesh radikale, ashtu siç na mëson besimi ynë, në modestinë, devotshmërinë dhe qetësinë e besimtarit, pa zellin e tepruar që krijojnë iluzionet, utopitë dhe revolucionet e epokës bashkëkohore.

0 1626

SHEMBUJ NGA SUNETI PROFETIK

Ukbe ibn Amir, radijAllahu anhu, transmeton se i dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Shembulli i atij që vepron vepra të këqija, e më pas vepron vepra të mira, është si shembulli i një njeriu, i cili kishte veshur një mburojë të ngushtë që i nxinte frymën. Veproi një punë të mirë e iu zgjidh një hallkë, pastaj veproi një vepër tjetër (të mirë), e iu zgjidh edhe një hallkë, derisa të del ( i lirë nëpër) tokë.”[1]

SHPJEGIM I HADITHIT

Ky hadith jep kurajë për të shpejtuar në pendim kur njeriu vepron ndonjë gabim, e të vepron vepra të mira pas atij gabimi, sepse të mirat shlyejnë veprat e këqija, ashtu siç thotë Allahut: “Me të vërtetë, veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlenë për ata që i pranojnë këshillat.” Hud, 114.

Pra, ai i cili vepron një vepër të keqe, e më pas e pason atë vepër me një të mirë, sikur të ketë dalur nga një ngushticë në një hapësirë të gjërë, me veprat e mira.

Menaviu, ka thënë: “Veprimi i mëkateve ngushton gjoksin e njeriut dhe riskun e tij, (ato) e hutojnë dhe punët e tija nuk i lehtësohen, e bëjnë të urryer tek njerëit, e kur të vepron vepra të mira, këto (të mirat) i largojnë ato të këqijat, e kur të largohen, i zgjerohet gjoksi, risku, i lehtësohen punët dhe e duan njerëzit.”

DOBI NGA HADITHI

  1. Vlera e veprave të mira, dhe se ato janë shkak i ngritjes së gradave dhe shlyerjes së mëkateve.
  2. Mëshira e Allahut për krijesat e Tij, pasi që kur i sprovoi ata me mëkate i ndihmoi me pendim, me vepra të mira shlyerse, me sprova që fshijnë mëkatet, etj. Muslimani duhet që të shpeshton veprat e mira, që t’i largon prej vetes gjurmët e mëkateve e të gabimeve.
  3. Të mirat, që janë veprat, nuk arrihet rezultati i tyre pos nëse janë të sinqerta dhe të kryera në formë të saktë, vepra të sinqerta janë ato që veprohen për hir të Allahut, dhe të sakta janë ato që veprohen sipas sunetit.

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

_________

[1] Imam Ahmedi në “Musned” 25/543 me numër 17307. Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, e vlerësoi sahih në librin e tij “Silsile Sahihah” (Vargu u haditheve të vërteta) 7/55 me numër 2854.

NA NDIQNI NË