Arhiva DitoreMar 10, 2024

0 689

Të përgjigjem, lutja e cila i bëri bashkë gëzimin dhe vajin në udhëtimin që mora për ta vizituar vendin ku buroi besimi të cilit i bindem. Ishte lutja që gjuha për herë të parë e shqiptoi në qiell me qëllimin e vetëm që në tokë ta arrij kënaqësinë e Atij nëpërmjet adhurimeve. Përmes saj e mësova ndjenjën të cilën e përjeton vizitori kur do ta vizitojë vendin e bekuar. Kjo e përbën pjesën e parë të lutjes profetike, mbase esencën e ndërtimit kuptimor të saj, që ngjyrë dhe kuptim i dha udhëtimit tim të jetës. Udhëtimit të jetës që ngjyrimin e mori duke e përjetuar ndarjen nga të afërmit gjatë të përshëndeturit me ta dhe synimit për të përmbushur një nga obligimet e Zotit. Ishte udhëtimi që zemra mori për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit, ndërkaq, bëri të dëgjohen vetëm rrahjet e saj të shoqëruar me lotin që vazhdimisht i lagte faqet. Dimrin që përjetoi zemra gjatë ndarjes, zakonisht i nxitur nga kontakti i shpeshtë me ta, së shpejti u shndërrua në verë nëpërmjet lutjeve që gjuha gjithnjë i thoshte. Ky ishte hapi që u pasua nga emocionet, kryesisht të shprehura me lot, që ndikoi ta ndiej freskinë në acarin e dimrit. Udhëtimi që shpalosi një faqe të re në jetën time, me të duke i dhënë edhe freski zemrës gjatë të kujtuarit, ndikoi që malli të mbetet në sy, ndërsa kujtimi të më shoqërojë në përditshmëri. Nisja drejt Qabesë sikur e ndante zemrën prej kësaj bote dhe e përqendronte drejt qëllimit të krijimit. Ndarjet që përfundojnë në bashkim për të kryer një obligim, e lehtësojnë sprovën e largësisë me njëri-tjetrin nëpërmjet të përmendurit të Tij. Kjo vizitë më la mendjen të robëruar për atë vend, ndërkohë në përditshmëri, jetoj në vendin tim. Ndërkaq, vendi i bekuar krijoi një ëndërr të paparë deri atëherë në mendje, meqë bëri që e thëna për të, tani të ndjehet dhe të përjetohet. Syri nuk arrinte dot t’i ndal lotët duke e shikuar, ndërsa shikimi nuk ngopej dhe dëshironte t’i mbajë sytë të orientuar vetëm drejt saj. Ishte i ëmbël shikimi i përcjellë me lutjet e gjuhës, dhe në fund duke përfunduar me ballin në tokë. Ai shikimi i parë drejt Qabesë, më bëri të harroj ekzistimin tim në këtë botë, duke më dërguar në botën e parajsës dhe në mesin e njerëzve të mirë. Shikimi që, i pushtuar nga ngazëllimi, sikur jetoja në ëndrrën më të mirë me sytë e ndritur drejt saj që hijeshia e saj më merrte edhe të pamurit. Tavafin që bëja, i veshur me të njëjtat rroba si gjithë të tjerët, më dha ndjesinë e njeriut më të lumtur në botë. Të medituarit mbi të, bazuar në librat e lexuar dhe në ligjëratat e dëgjuara, m’i parafytyronte burrat e mirë që kishin qenë këtu para meje, të cilët ishin falur, kishin kryer haxhin dhe umrenë dhe të cilët kishin kryer adhurime, pikërisht në këtë vend që unë ndodhesha tani. Një krahasim i bukur në hapësirë, megjithatë na ndante koha, dhe pikërisht na bashkonte ky vend. Ndjenja që ndodhesha në vendin e bekuar, dhe në shoqërinë e njerëzve të mirë, më hapte zemrën drejt bamirësisë dhe shpresës për të fituar shpërblimin. Ndjenja që isha duke ecur aty ku kishin ecur ata para meje, bënte që zemra të m’i thur lutjet për t’i takuar në botën tjetër. Një ëndërr e mbështjellë me petkun e realitetit, që pikërisht në shikimin drejt Qabesë, më zgjonte nga gjumi. Bukurinë që Zoti ia kishte dhënë Qabesë, e zgjonte të menduarit rreth saj dhe e ngjallte përmallimin për të. Zemra, edhe pse e gëzuar nga ajo që ndiente, sërish mbetej pa fjalë kur pyetej ta përshkruante bukurinë që përjetonte. Ishte një shije e zemrës që për gjuhën si mjet komunikimi ishte e pashpjegueshme. Edhe fryma ndalej nga kthjelltësia që depërtonte nëpër poret e ndjenjave kur shijohej bukuria e saj. Sytë mbetën të ngulitur në punën që kishte bërë Ibrahimi a.s., ndërkohë që zemra sa nuk dilte nga vendi si rrjedhojë e lutjeve që gjuha i thoshte vazhdimisht. Sexhdeja në pllakën e freskët të betonit i jepte ngrohtësi zemrës duke e ushqyer shpirtin me besimin në Të dhe duke i përjetuar rrezet e diellit që binin pikërisht mbi mua. Intervali bukur i gjatë kohor duke qëndruar në këtë pozitë e lartësonte shpirtin drejt qiellit me madhërimet që i takojnë Atij. Balli, duke e ndier nevojën për sexhdenë, ngushëllimin e gjente në lotët që rrëke binin në pllakën ku balli zinte vend. Namazi i cili më dhuroi shijen më të mirë të ndier deri atëherë, m’i la kujtimet që vazhdimisht e ngacmojnë përmallimin tim. Ky adhurim më lidhi me të dhe reagimet e zemrës i bënte me kohën e zërit të myezinit. Vlera e madhe e tij për ta kryer në Qabe, përbënte motivimin që çdo vakt të jem aty duke e harruar lodhjen dhe rrëmujën që shkaktonte udha. Zëri i ëmbël që ushtonte në të katër anët e Qabesë mblidhej qetësisht në folenë e zemrës për t’ia mundësuar shpirtit ta ndiejë ëmbëlsinë e namazit. Melodia e bukur, rrjedhshmëria në të lexuar dhe shikimi drejt Qabesë, e nxitnin shpirtin të lundrojë nëpër ujërat e besimit dhe aty të pushojë qetë. E ndiej si dhuratën më të mirë që Zoti më bëri duke më ftuar si mysafir i Tij për ta vizituar vendin më të mirë që ekziston. Të shikuarit e Qabesë, aq sa e përmallonte syrin, po aq e nxiste akoma më tepër për ta shikuar. Një shikim, megjithatë, i ndarë në dysh, i pari, i ndërtuar nga miku i Zotit, dhe i dyti, unë si mysafir i Zotit. Prandaj, mendoja që kjo ishte një mrekulli e Zotit e ndërtuar në tokë që robi i Tij ta ndiejë afërsinë me Të duke bërë tavafe rrotull saj. Malli të merrte edhe sikur vazhdimisht do ta shikoje, dhe do ta ndieje afërsinë me të, edhe sikur të ndodheshe larg. Adhurimet më afronin, ndërsa lutjet kishin thur ritmin e tyre që gjithnjë i theksonin nevojat, duke i përmendur të gjallët dhe të vdekurit, me shpresën që pranimi i tyre ishte i garantuar. Koha e sabahut, nën errësirën e natës dhe në shushurimën e lutësve, më gjente i ulur në sexhadenë time me duart i kthyer drejt qiellit. Lutjet që gjithnjë e më shumë shtoheshin në karvanin e kërkesave të zemrës, shpesh më mungonin fjalët për t’i paraqitur të gjitha ato. Ndonjëherë i jepja hapësirë zemrës të lutej pa thënë asgjë, vetëm t’i shushurit kërkesat e saj, ndërsa unë këtë moment e përcillja me shikimin e Qabesë. Megjithatë, kur u vinte radha lutjeve për vajzat tona, Anesa dhe Erda, lotët flisnin në vend të fjalëve. Kjo ndarje, mall të thellë na la në zemër, si dy lule që akoma pa çelur mirë, po lënë gjurmë në lutjet tona për to. I gëzuar ku isha, ndërkaq, i mërzitur që lutjet duheshte t’i bëjë për falje dhe për bashkim në ahiret, në vend që për fat dhe për lumturi. Ky ishte momenti më i vështirë, në mungesë të tyre duke qenë në vendin e bekuar, në të njëjtën kohë, më i ëmbli, me shpresën se do të pranohen lutjet, dhe të takohemi në botën tjetër. Para se uji i zemzemit të futej në gojë, nga goja dilnin lutjet e shoqëruara me shikimin e Qabesë dhe të stolisura me fjalët e zemrës. Ky ujë që sado që pija prej tij, më shtonte oreksin të pijë akoma, gjithë këtë kohë duke e lagur gjuhën paraprakisht me lutje, më pas me ujë. Shija e tij u jepte shije edhe lutjeve që zakonisht përfundonin me rrjedhje lotësh. Ky vend më mori mendjen duke ia mundësuar të jetojë me të në kujtime, ndërsa mua duke më robëruar në meditimet për të.

Blerim Muhaxheri

NA NDIQNI NË