ALLAHU JU NDALOI GJASHTË VEPRA

ALLAHU JU NDALOI GJASHTË VEPRA

0 4395

HADITHI:

Mugirah  ibën Shubeh, (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), përcjell se i dërguari i Allahut, (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Allahu ju ka ndaluar juve; mosnderimin e nënave, vrasjen e vajzave, mbajtjen dhe lakminë, urren prej jush thashethemet, pytjet e tepërta dhe shpërdorimin e pasurisë.”[1]

KOMENTI:

Ky hadith përmend gjashtë gjëra që janë të ndaluara dhe disa të urryera.

E para: (mosnderimi i nënave), që domethënë mëkatimi ndaj nënave, sepse prindërit janë më të afërmit në lidhje farefisnore, lidhje e tyre është më e fortë, Allahu thotë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); dhe silluni mirë me prindërit, të afërmit.” Sureja Nisa, 36.

Kështu, njeriu fillon me prindërit e tij, duke u sjellur mirë me ta, e duke shpenzuar për ta, duke u sjellur me mëshirë, me butësi, me fjalë të mira, e duke mos i shkaktuar atyre ndonjë të keqe, sepse e drejta e prindërve vjenë menjëherë pas respektit ndaj Allahut, dhe mosnderimi i prindërve është prej mëkateve më të mëdha.

Në hadith u përmend nëna, sepse haku i saj është edhe më i madh, por që edhe prindi e ka hakun e tij, Allahu thotë: “silluni mirë me prindërit.” Sureja Nisa, 36.

Por, këtu u përmend vetëm nëna për të vërtetuar të drejtën e saj, sepse i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahu qopftë mbi të) kur është pyetur se kënd duhet ta nderoj më së shumti, ka thënë: “Nënën tënde? E peyti: Pastaj kë? Tha: “Nënën tënde. Përsëri e pyeti: Pastaj kë? Tha: “Nënën tënde. E përsëri e pyeti: Pastaj kë? Tha: “Babain tënd.[2]

Herën e katërt e përmendi babain, sepse nëna është e thyer nga lodhja e vështirësia më shumë se sa babai, ajo u lodh nga shtatzania dhe vështirësitë që i ka e sëmundjet që mund të vijojnë si pasojë e shtatzanisë, u plogështua nga lindja e rreziqet që përjetoi, u lodh nga vështirësitë që vijnë nga gjidhënia e edukimi, kështu që ajo u lodh më shumë se babai, për këtë e drejta e saj është më e madhe, Allahu thotë: “Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh.” Sureja Lukman, 14.

Allahu thotë: “Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet. Nëna e mbart atë me mund dhe me mund e lind. Ai mbartet dhe ushqehet me gji për tridhjetë muaj.” Sureja Ahkaf, 15.

Kështu që nëna përjeton vështirësi më të mëdha se babai, e si rezultat i kësaj e drejta e saj është më e madhe, lidhja me të është më e fortë dhe më e obliguar, e që edhe babai ka të drejtën e tij, sepse edhe ai përjetoi vështirësi të lodhjes në përfitimin e riskut për fëmijën e tij, për t’i përmbushur nevojat e tij përderisa fëmija është i paaftë dhe i dobët, prindi lodhet, udhëton, ballafaqohet me rreziqe duke kërkuar riskun për fëmijën e tij e për të shpenzuar për të, andaj edhe ai ka të drejtën e tij, edhe prindi përmallohet për fëmijën e tij, e do shumë, e është i mëshirshëm për të, sepse edhe ai ka të drejtën e tij, mirëpo nëna më shumë, për këtë në hadith u veçua ajo me përmendje.

Allahu ndaloi mosnderimin e saj me çfarëdo forme të mosnderimit, qoftë me ndërprerje të shpenzimit për të, apo me fjalë të vrazhda, me mospërgjigje të kërkesave të nevojshme të saj, Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!.” Sureja Isra, 23-24.

Dhe thotë: “A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?!.” Sureja Rahman, 60.

E dyta: (vrasja e vajzave) ky krim ka qenë i njohur në kohën e injorancës, ngase ata i varrosnin vajzat duke qenë të gjalla derisa të vdes ndër dhe, për të mos u turpëruar, kishin frikë se mos turpëroheshin e i urrenin vajzat aq shumë saqë ndërmorën veprime që t’i mbysin, Allahu thotë: “Dhe, kur ndonjëri prej tyre merr lajmin se i lindi një vajzë, fytyra i nxihet dhe i mbushet me mjerim. Ai fshihet nga njerëzit për shkak të lajmit të keq që mori dhe s’di: a ta mbajë këtë fëmijë, pavarësisht poshtërimit apo ta varrosë në dhé. Ah! Sa mbrapsht që gjykojnë ata!.” Sureja Nahl, 58-59.

Allahu thotë: “kur foshnja e varrosur për së gjalli të pyetet.” Sureja Tekvir, 8. Foshja e përmendur është vajza e cila varrosej e gjallë, “për çfarë faji ishte vrarë.” Sureja Tekvir, 9.

Ishte një vepër e injorancës, sikur që i vrisnin edhe fëmijët meshkuj dhe ato femra nga frika e varfërisë, Allahu thotë: “Dhe mos iu qasni kurvërisë, se ajo është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar!.” Sureja Isra, 31.

Allahu thotë: “mos vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë ju dhe ata.” Sureja En Amë, 151.

I mbysnin fëmijët e tyre nga frika e varfërisë ngase mendonin keq për Allahun e Lartmadhëruar, dhe nuk besonin se kur Allahu të krijojë një qenie e krijon për të edhe riskun, Allahu thotë: “S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë caktuar riskun prej Tij.” Sureja Hud, 6.

Sepse ata nuk kishin iman (besim), dhe mosbesimi i shtyri ata që t’i vrisnin fëmijët e tyre, e që edhe ditët e sotit ajo që përmendet dhe për çfarë zhvillohen seminare në kërkim të përcaktimit të fëmijëve duke u frikuar nga fëmijët e shumtë, nga pakimi i resurseve dhe riskut, është se ata nuk besojnë në Allahun e Madhëruar, dhe nuk besojnë se risku është në dorë të Allahut, dhe se Allahu kur të krijojë një qenie ia cakton edhe riskun, dhe se shumimi i fëmijëve është hajr, sepse me shtimin e fëmijëve shtohet prodhimi, shtohet fuqia punëtore, shtohen prodhuesit, përkundër asaj të cilës i besojnë ata, në shumimin e fëmijëve është fuqia e Umetit, nëse shtohet Umeti bëhet i fuqishëm, e nëse pakohet numri i Umetit kjo bëhet dobësi në Umet.

Përfundim: Kjo është fe e injorancës, vrasja e fëmijëve si pasojë e frikës nga varfëria, e vrasjen e vajzave si pasojë e frikës nga nënçmimi, e prej tyre ka edhe një kategori e tretë që i therrnin fëmijët e tyre për t’u afruar më afër idhujve, Allahu thotë: “Shumë paganëve, idhujt e tyre ua kanë bërë t’u duket e bukur vrasja e fëmijëve të tyre, për t’i shkatërruar dhe për t’ua pështjelluar besimin.” Sureja En Amë, 137.

Dhe thotë: “Ata kanë caktuar për Allahun pjesë nga drithi dhe kafshët shtëpiake, të cilat i ka krijuar Ai dhe thonë sipas hamendjes së tyre: “Kjo është për Allahun, ndërsa kjo është për idhujt tanë”.” Sureja En Amë, 136. Për idhujt e tyre, ata afroheshin idhujve më lloje të ndryshme të riteve, e prej tyre edhe me therrje të fëmijëve, e therrje të kafshëve.

E treta: (mbajtjen dhe lakminë), Allahu ndaloi nga pengimi i pasurisë për të mos shpenzuar, ata tubojnë dhe nuk japin, e Allahu urdhëroi shpenzimin e obliguar, atë të preferuar, për të shpenzauar për veten, për familjarët e nevojtarët, të shpenzohet në rrugë të Allahut duke dhënë lëmoshë e donacione vullnetare, e prej tyre është edhe zeqati i obliguar, ngase ka njerëz që nuk e nxjerrin zeqatin e tyre sepse janë koprrac.

(mbajtjen) pengon atë që Allahu ia ka obliguar në pasurinë e tij.

(dhe lakminë) e këron pasurinë në çdo lloj forme, me çfarëdo mjeti që mund të arrijë deri në pasuri qoftë hallall apo haram[3], me rëndësi për të është grumbullimi i pasurisë, kështu që ai grumbullon dhe mbanë, tubues e dorështrëngues, Allahu thotë: “Por jo, (fajtori do të hidhet në zjarr)! Ai është zjarr flakërues, që e shkul (dhe e djeg) krejtësisht skalpin e kokës. Ai thërret këdo që (i) ka kthyer shpinën e (i) është larguar (besimit), dhe që ka grumbulluar (pasuri) dhe e ka fshehur. Vërtet që njeriu është krijuar i paqëndrueshëm: kur atë e godet e keqja, ai ligështohet fort, por, kur i bie e mira, ai bëhet koprrac.” Sureja Mearixh, 15-21.

E tubon pasurinë dhe e deponon, nuk shpenzon aspak prej saj nga koprracia, e Allahu ndaloi nga kjo, në hadith thuhet se ai do të pyetet për pasurinë e tij se ku e fitoi dhe ku e shpenzoi?.[4]

E katërta: (urren prej jush thashethemet), urren është njësoj sikur të ndalon, sepse urrejtja e ka kuptimin e ndalimit, Allahu thotë: “E keqja e të gjitha këtyre është e urryer nga Zoti yt.” Sureja Isra, 38.

Andaj, kuptimi i fjalës (كَرِهَ) është ndaloi (thashethemet), brengë e njeriut të jetë shpërndarjen e lajmeve, ai nuk ka brengë tjetër pos atë që thonë të tjerët, pa u vërtetuar në ato lajme e që mund të jenë edhe gënjeshtra.

Në hadith thuhet: “Mjafton si mëkat për njeriun të flet çdo gjë që dëgjon.”[5]

Dhe ka thënë: “Prej fetarisë së bukur të një njeriu është të braktis atë që s’ka të bëjë me të.”[6]

E nuk duhet të preokupohet me thashethemet e bisedat e tepërta, sidomos nëse në to ka mbjellje të grindjeve dhe prishje të raportve mes njerëzve, ky është një mëkat prej mëkateve të mëdha, posaçërisht nëse ndjek gabimet e dijetarëve dhe i përhap ato; filani thotë kështu, e ky i kundërpërgjigjet kështu, me qëllim që të shkakton grindje mes dijetarëve, e padyshim që ky është një prej harameve më të mëdha, kështu që njeriu nuk duhet të ndjek çdo lajm e çdo informatë e t’i përhapë ato, por pranon dhe e përcjell atë që është e dobishme dhe ka hajr në to, dhe braktis ato që s’ka hajr në to prej fjalëve të kota, Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë), për të mos i bërë dëm ndokujt padashje, e të pendoheni pastaj për atë që keni bërë.” Sureja Huxhurat, 6.

E pesta: (pytjet e tepërta), Allahu urren kërkesat e tepërta, kërkimin e pasurisë, përveç për nevojë, andaj njeriu nuk duhet të kërkon prej njerëzve pasuritë e tyre përveç nëse vërtet është nevojtar, sepse kërkimi është i ndaluar përveç për një domosdoshmëri, e i dërguari i Allahut (paqja dh ebekimi i Allahut qofshin mbi të) ka lejuar në tre raste:

  • Nëse e ka goditur falimentim në pasuri, kështu që kërkon derisa të rimëkëmbet për të mbijetuar. Apo të shpëtojë nga falimentimi.
  • Apo ka marrë dënim e nuk ka mundësi që ta paguan, apo të jetë prej atyre që pajton mes njerëzve dhe merr përgjegjësi harxhimet e pajtimit, kështu kërkon që të paguajë dënimin, në këtë rast i lejohet.
  • Apo ta ketë goditur varfëri, uri, dhe kërkon prej njerëzve aq sa të jeton dhe nuk e tepron në kërkim, e në raste tjera nuk lejohet të kërkohet siç ka përmendur i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).[7]

Njashtu edhe pyetjet e shumta rreth çështjeve të fesë, nuk duhet njeriu që të shpeshtojë pyetjet, por pyet vetëm aq sa i nevojitet nëse ballafaqohet me një problamatikë, nëse nuk kupton një çështje të fesë, por jo edhe të pyet edhe për gjëra që nuk i nevojiten, e që nuk janë reale, por janë paragjykime e iluzione, nuk duhet të pyet për kësi lloj gjërash, njashtu nuk duhet të shpeshtojë pyetje ndaj dijetarëve me qëllim që t’ju shkaktojë gjendje të palakmueshme e për t’i testuar, sepse ka njerëz që dëshirojnë të testojnë dijetarët, duke i shpeshtuar pyetjet e tija që ta zë të paaftë për t’u përgjigjur, andaj mos i shkakto pozitë të palakmueshme dijetarit me pyetje të panevojshme, e nëse dëshiron të pyesësh formuloje mirë pyetjen, parashtroe me edukatë e jo me vrazhdësi, sepse pyetjet e shumta qoftë në pasuri po edhe në dije apo në gjëra të zakonshme tregojnë një mënyrë të joseriozitetit, kërko aq sa ke nevojë prej pasurisë e dijes po edhe prej gjërave të zakonta prej të cilave shpreson një dobi për vete apo për dikë tjetër, s’ka gjë të keqe.

E gjashta: (shpërdorimin e pasurisë), padyshim që pasuria siç thonë: Është kurriz i jetës. Është dhunti e Allahut, i Cili na urdhëroi që ta ruajmë pasurinë, Allahu thtoë: “Mos e lini në dorë të të paaftëve mendërisht pasurinë tuaj që Allahu jua ka dhënë si mjet jetese për ju.” Sureja Nisa, 5.

Pra, pasuritë janë dhunti prej Allahut, kështu që nëse arrin pasuri ruaje ate dhe mos e humb, qoftë duke shpenzuar në gjëra të padobishme, apo të tregohesh i shkujdesur e mos ta vendosësh në vende të sigurta, por ta humbësh e të mos kujdesesh, nga kjo jemi të ndaluar. Pasuritë janë amanet dhe përgjegjësi tek ti, do pyetesh për to, e mos e humb në shpenzime të kota, duke mos e ruajtur, e duke mos u kujdesur për të.

Dijetarët (Allahu i mëshiroftë) kanë përmendur tre kategori të shpenzimit të pasurisë:

  • Të shpenzohet në rrugë të Allahut, që është gjë e preferuar, e nuk është humbje e pasurisë, por është edhe synim.
  • Shpenzimi i pasurisë në gjëra të nevojshme, njashtu njeriu për këtë nuk fajësohet, por pasuria është për nevojë, që ënse ti shpenzon për nevojat tua nuk ke mëkat.
  • Të shpenzohet në mëkat ndaj Allahut, kjo llogaritet humbje e pasurisë dhe është i ndaluar qoftë të jetë në shuma të vogla, qoftë të jetë edhe 1 dirhem, Allahu i madhëruar thotë: “Hani e pini, por mos e teproni.” Sureja Araf, 31.

Kështu që shpenzimi i pasurisë është në tre kategori:

  • Shpenzimi në obligime, është e domosdoshme, si nxjerrja e zeqatit, shpenzimi për veten fëmijët e të afërmit.
  • Shpenzimi në gjëra të preferuara, sikur donacionet për nevojtarët dhe projektet bamirëse, njashtu është një vepër e preferuar, e nuk është humbje e pasurisë.
  • Shpenzimi në gjëra të lejuara, nuk është i domosdoshëm e as i preferuar, por i lejuar, sikur që të blejë ushqime si pemë, mish, veshmbathje të reja, vendbanim të përshtatshëm, mjete udhëtimi të nevojshme, për këtë është thënë: S’ka gjë të keqe. Po edhe kanë thënë: Jo, por duhet të jetë mesatar, të jetë mesatar në gjërat e lejueshme, e nuk duhet të blejë çdo gjë që kërkon e çdo gjë që lakmon, por duhet të jetë mesatar e i drejtë, Allahu thotë: “dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes.” Sureja Furkan, 67.

Andaj, shpenzimi i pasurisë për hir të Allahut nuk është humbje e pasurisë, edhe nëse është në shuma të mëdha, por shpenzimi në mëkat ndaj Allahut është shpërdorim i pasurisë qoftë të jetë edhe një dirhem, ti je përgjegjës për këtë ditëne Kiametit.

Le të jetë ky ajet peshore: “dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar.” Sureja Furkan, 67.

Të jetë mesatar mes shpërdorimit dhe koprracisë: “Mos e shtrëngo dorën.” Kjo është koprraci “as mos u bëj dorëshpuar.” Ky është shpërdorim “,e të mbetesh i qortuar dhe i mjerë.” Sureja Isra, 29.

Allahu i Madhëruar thotë: “por mos bëni shpenzim të tepruar. Dorëshpuarit me të vërtetë, janë vëllezërit e djallit dhe djalli është mosmirënjohës ndaj Zotit të tij.” Sureja isra, 26-27.

Ai i cili shpenzon pasurinë për të përmbushur pasionet e tija të ndaluara, duke udhëtuar në vende të shturrjes, e në punë të liga, është shpërdorim, është humbje e pasurisë, për çfarë do të pyetet ditëne Kiametit.[8]

Autor: Salih ibn Feuzan el Feuzan

HADITHE MBI MORALIN DHE ETIKËN TË PËRMBLEDHURA NGA LIBRI (BULUG EL MERAM)

HADITHI I DYZET E PESË

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

[1] E shënon Buhariu me numër (5975) dhe Muslimi me numër (593).

[2] E shënon Ebu Davudi me numër (5139), Trimidhiu me numër (1897), Ahmedi (5/3), Hakimi (4/150), Buhariu në (Edebul Mufred, me numër 3), shejh Albani e vlerësoi hasen – të mirë në (Irvaul Galil, me numër; 2170).

[3] Dijetari i nderuar aludon në hadithin e të dërguarit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të): “Do të vije një kohë për njerëzit, kur njeriu nuk do ketë brengë se prej ku e merr pasurinë, a e ftion hallall apo haram?” e shënon Buhariu në Sahihun e tij me numër (2083) dhe Ahmedi në Musnedin e tij me numër (2/435).

[4] E shënon Tirmidhiu me numër (2416) dhe (2417), shejh Albani e vlerësoi sahih në librin e tij (Silsileh ehadith Sahihah, me numër; 946).

[5] E shënon Muslimi me numër (5), Ebu Davudi me numër (4992), teksti është i tij.

[6] E shënon Tirmidhiu me numër (2318).

[7] Dijetari i nderuar (Allahu e ruajttë) aludon në hadithin e Kabisah ibën Meharik el Hilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i cili e shënon Muslimi në Sahihun e tij me numër (1044).

[8] Dijetari i nderuar aludon në hadithin të cilin e shënon Tirmidhiu me numër (2416) dhe Bejhakiu në (Shuabul Iman) me numër (1647) nga Abdullah ibën Mesudi nga i dërguari (paqja dh ebekimi i Allahut qofshin mbi të) të ketë thënë: “Nuk do të lëviz këmba e birit të Ademit ditëne Kiametit para Zotit të tij derisa të pyetet për pesë: Për jetën e tij se ku e kaloi? Për rininë se ku e jetoi? Për pasurisë se ku e fitoi? Ku e shpenzoi? Dhe çfarë veprpo me dijen që e fitoi?. Shih (Silsile Ehadith Sahih, të shejh Albanit, Allahu e mëshiroftë, 2/629).

GJITHASHTU NË ALBISLAM