LULJA E NJËZET E PESTË

LULJA E NJËZET E PESTË

0 1172

Ky kopsht Parajse, befasisht gjuha shqiptoi këto fjalë, rrugës kur isha duke ecur. Bindjet e mia në amshueshmëri më dhanë një pasqyrë të kësaj natyre se vendi i fatlumëve është lumturia pafund dhe pafundësia në mirësi. Eh, ky vend, njeriu shumë lehtë mund ta fitojë, por me aq lehtësi edhe ta humb. U kujtova në lulet në të, në çeljen e tyre të bukur dhe në aromën që e japin në tërë vendin për rreth, e në fakt, unë isha duke e nuhatur lulen e radhës, ku s’e kisha hetuar fare as si e kam parë, e as si e kam marrë.

Me rëndësi ishte se ajo kishte përfunduar në duart e mia. Duke e shikuar ashtu të bukur, i lexova këto fjalë të bukura. Ajsheja ka thënë: “I Dërguari i Allahut angazhohej me adhurime gjatë dhjetë netëve të fundit më shumë se sa në çdo kohë tjetër.”

Gjuha e shqiptoi dëshminë dhe zemra ndjeu një lehtësim në rrahjet e saj me të lexuar të kësaj luleje. Vula e profetësisë dhe Tulla e fundit e asaj shtëpie çfarë nderimi paska treguar ndaj këtij Muaji, e në veçanti në pjesën e fundit duke i shtuar adhurimet që ta adhurojë Atë i Cili njeriun në botë e solli pikërisht për këtë qëllim. Adhurimi të zgjon nga pakujdesia dhe të bën të kujdesshëm në sprova, më ra në mendje kjo thënie, kurse Ai tërë natën e kalonte në adhurime, e gjatë ditës ishte në shërbimin e të tjerëve.

Adhurimi e bëri të fortë në këtë rrugë, përkundër faktit që u rrit si jetim dhe si i vetëm që e filloi misionin e Tij. Gjuha e Tij e njihte vetëm lutjen për falje dhe mëshirë, si i dërguar nga Zoti që ishte donte të gjithë t’i dërgojë te Parajsat e Tij dhe u dhimbseshin të tjerët që s’e ndiqnin atë. Vërtetë, nëse lutja nuk të frymëzon ta kërkosh atë që të nevojitet, s’do të dish ta pranosh edhe nëse të jepet mundësia ta marrësh.

Pjesa e tretë e natës, kur Zoti zbret në qiellin e kësaj bote, Ai kërkonte që Zoti të zbresë udhëzimin mbi popullin e Tij. I donte ata, edhe nëse i shkaktonin vështirësi, dhe u bënte mirë, edhe pse ia kthenin me të keq. Në çast m’u kujtua ajeti kuranor “Ti je në një shkallë të lartë morali”, e si mos të jetë, kur jetën e vuri në shërbimin tonë dhe u pajtua të flejë në hasra palme vetëm ta kryejë detyrën që Zoti ia besoi Atij.

Sa më shumë njeriu u përkushtohet adhurimeve, aq më mirë ai do ta shfrytëzojë kohën, për këtë kur i përulesh Atij, ngrihesh tek Ai. E siç isha duke e mbajtur atë në dorë, nga malli për Të më ra një pikë lot në faqen e lules. S’doja ta fshijë lotin në të, e dija shkakun pse pikoi, e me të lënë të lules, thashë në vete, çdo angazhim i vetes në mirësi, është shpëtim i vetes nga rrëshqitja në gabime!

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM