NDRROI JETË SHEJH EBU BEKR EL XHEZAIRIJ (Allahu e mëshiroftë!)

NDRROI JETË SHEJH EBU BEKR EL XHEZAIRIJ (Allahu e mëshiroftë!)

0 1900

إنا لله و إنا إليه راجعون!

Të Allahut jemi dhe tek Ai është kthimi ynë!

Sot, në këtë ditë të bekuar të muajit Dhul Hixh-xheh (15.08.2018) paska ndërruar jetë dijetari i dashur dhe eminent i Medines Shejh Ebu Bekr el Xhezairij në moshën 97 vjeçare.

O Allahu im, fale dijetarin Ebu Bekr Xhabir ibn Musa el Xhezairij dhe ngrite atë në shkallën e të udhëzuarve, zëvendësoje atë me ata që mbesin nga pasardhësit e tij, na i fal mëkatet tona dhe të atij o Zot i botëve, dhe zgjeroja varrin dhe ndriçoja atë!

Allahume Amin!

Shkurt rreth jetës dhe veprimtarisë së këtij dijetari:

Shejhu ka lindur në vitin 1342h (1921)  në  një fshat me emrin “Liveh” (40 km afër qytetit Beskerah) në jug të Algjerisë.

E ka mësuar Kur’anin përmendësh para se me hy në moshën madhore dhe ka qenë imam prej moshës 16 vjeçare.

Në vitin 1372h (si 30 vjeçar) udhëtoi për në Meke dhe Medineh për Haxh dhe Umre me qëllim të kthehet më pas në vendlindjen e tij, porse Allahu kishte caktuar diçka tjetër për të, diçka më të mirë.

Vëllezërit muhaxhir nga Algjeria që ishin duke banuar në Medineh dhe posaçërisht xhaxhai i tij Isa (rahimehullah) kërkuan të qëndronte atje për të përfituar nga Shejhu (edhe pse ishte në moshë të re).

Xhaxhai i tij e donte shumë Medinen dhe shpresonte vdekjen në të ku edhe iu plotësua kjo lutje nga Allahu. Pas haxhit ai vdiq menjëherë dhe Shejhu u ndikua nga kjo dhe vendosi prej atij momenti  të jetojë në Medineh.

Nga viti 1374h (1953)  i është dhënë zyrtarisht leja (licenca) nga Mekeja për të ligjëruar në Xhaminë e të Dërguarit të Allahut (sal-Allahu alejhi we sel-lem). Ligjërim të cilin e kam gjetë kur kam shkuar në Medineh nē Vitin 2010 dhe e kam lënë kur jam kthyer.

E pyeta shokun tim Abdurrahmanin se kur i ka ndalë ligjëratat dhe më tregoi se afërsisht para një viti e gjysëm apo dy vite.

Pra mbi 65 vite ligjërim dhe mësimdhënie në xhaminë e të Dërguarit të Allahut (sal-Allahu alejhi we sel-lem) paramendoni (Subhan Allah!) çfarë mirësie nga Allahu, çfarë begatie, çfarë suksesi! Allahu ia pranoftë çdo fjalë që ka folë, çdo ajet apo hadith që ka shpjeguar, çdo minutë që ka kaluar.

Ligjëratat i ka pasur pas namazit të akshamit deri në jaci dhe atë për çdo ditë të javës.

Zakon i tij specifik ka qenë duaja e gjatë në fund të dersit, Allahu e shpërbleftë!

Shejhu është i njohur për dashurinë e thellë për të Dërguarin (sal-Allahu alejhi we sel-lem), xhamisë së tij dhe Medines.

Prandaj ka shkruajtur edhe libër enkas për të Dërguarin e Allahut (sal-Allahu alejhi we sel-lem) të cilin e quajti “Ky është i dashuri Muhamed (sal-Allahu alejhi we sel-lem) o ti që e dashuron”, si dhe për Medinen librin “Medineja e ndritshme pejgamberike; Vlera e saj, vlera e banorëve, e vizita e saj”.

Lexova se ka parë të Dërguarin e Allahut (sal-Allahu alejhi we sel-lem) disa herë në ëndërr dhe nuk falej diku tjetër përveçse në xhaminë e të Dërguarit (sal-Allahu alejhi we sel-lem) me përjashtim kur ishte i sëmurë ose gjatë udhëtimit. Shpërblimin (in sha Allah) e ka të plotë ngase në hadithin të cilin e transmeton Ebu Musa el Esh’arij (radij allahu anhu), i Dërguari i Allahut (sal-Allahu alejhi we sel-lem) ka thënë: “Kur robi sëmuret apo udhëton, atij i shkruhet shpërblimi nga ajo që ka vepruar kur ka qenë vendas, dhe kur ka qenë i shëndoshë” {Shënon Bukhariu, Imam Ahmedi në Musnedin e tij, Bejhekiu dhe të tjerët}

Bile në vitin 1413h ai fali namazin e iqindisë në Xhaminë e të Dërguarit (sal-Allahu alejhi we sel-lem) pasiqë Imami u vonua. (Pra Allahu e nderoi që të udhëheq edhe namazin në xhaminë e të Dërguarit sal-Allahu alejhi we sel-lem, si Imam)

Shejhu ka një djalë i cili është doktor në shkencat fetare i cili quhet Abdurrahman, ka nëntë vajza dhe shumë nipa dhe mbesa, Allahu i bekoftë të gjithë!

Veprat shkencore të këtij dijetari:

Shejhu ka të shkruar shumë libra dhe shkresa. (Shkresat janë ndoshta mbi 100 të cilat së bashku janë botuar)

Nga librat më të njohura të këtij dijetari janë:

1. منهاج المسلم – Platforma e muslimanit (Do të zgjerohem pak rreth këtij libri, in shaa Allah)

2. عقيدة المؤمن –  Akideja (besimi) e besimtarit

3. والعلم والعلماء  – Dija dhe dijetarët

4. نداءات الرحمن لأهل الإيمان – Thirrja e Mëshiruesit për besimtarët

5. والمسجد بيت المسلم – Xhamija shtëpia e muslimanit

6. وهذا الحبيب يا محب  – Ky është i dashuri o ti që e dashuron

7. أيسر التفاسير لكلام العلي الكبير – Tefsiri më i lehtë i fjalës së të Lartit të Madhëruarit

8. كمال الأمة في صلاح عقيدتها – Përsosmëria e umetit në përmirësimin e akides

9. أحكام آخر الأيام -Dispozitat e ditëve të fundit

10. المدينة المنورة النبوية: فضلها، فضل ساكنيها، زيارته – Medineja e ndritshme pejgamberike; Vlera e saj, vlera e banorëve të saj, vizita në të

Libri “Platforma e muslimanit” (منهاج المسلم)

Mendoj se Allahu shumë e ka nderuar Shejhun me këtë libër. Ky libër është nga librat më të njohura dhe më të botuara në botën islame. Është ndoshta nga librat islame më të përkthyera në gjuhë tjera.

Vetëm Allahu e din sa njeri ka përfituar nga ky libër, vetëm Allahu e din se deri ku ka mbrri ky libër dhe shpërblimi i tij.

Ky libër është përkthyer edhe në gjuhën shqipe dhe nëse doni ta nderoni këtë dijetarë njëmend krahas lutjeve për të, bline këtë libër dhe përfitoni nga ai në mënyrë që të shpërblehet Shejhu edhe pas vdekjes dhe ju të jeni sebeb.

Libri është i përgjithshëm dhe përmban temat bazike të fesë dhe degëzimet e saj.

Trajton;

– lëminë e besimit (Akides)

– Adhurimin (Ibadetet)

– Marrdhëniet/ raportet ndërnjerëzore (Muamelat)

– Etikës /Sjelljes (Edeb)

– Akhlak / Moral

Arsyeja e shkruarjes së këtij libri:

Disa dashamirë të tij nga qyteti “Vexhdeh” në Maroko kan kërkuar nga Shejhu që t’ua sjellë një libër i cili do shërbente si platformë apo kanun për çdo gjë për të cilën ka nevojë besimtari në mënyrë përmbledhëse dhe jo të stërgjatur.

Shejhu iu përgjigjë kësaj kërkese dhe dëshire dhe e shkruajti këtë libër shumë të dobishêm. Padyshim se kemi mendim të mirë se Shejhu ka pas qëllimin e pastërt dhe ky është sigurisht sekreti për bereqetin e këtij libri, e vetëm Allahu e din nijjetin, ne mendojmë mirë, elhamdulilah.

Libri ndahet në disa kapituj.

Renditja e librit është në këtë mënyrë:

1 – Akide (besim)

2 – Etikë /Sjellje (Edeb)

3 – Akhlak / Moral

4 – Ibadaat (Adhurim)

5 – Marrdhëniet, raportet ndërnjerëzore (Muamelat)

[Libri bile është shpjeguar nga Shejh Med’het ibn Muhammed ibn Ashuur me titullin

” الإبهاج شرح كتاب منهاج المسلم  “

Mendoj se duhet ta blejë çdo familje këtë libër, dhe nëse nuk ke ide për dhuratë për dikënd që e don, ja ku e ke idenë, dhuroja këtë libër Allahu të bekoftë dhe të dashtë!

Për fund, falëndëroj Allahun që më ka mundësuar të ulem para këtij dijetari në xhaminë e të Dërguarit (sal-Allahu alejhi we sel-lem). E kam pyetur më shumë se njëherë dhe jam këshilluar për vazhdimin e studimeve atje apo në Zvicër gjatë kohës kur isha duke mësuar gjuhën arabe.

Më ka lënë përshtypje njëher një gjest i tij.

Pas ligjeratës pak para faljes së namazit të jacisë shkova njëher tek Shejhu dhe fillova me e pyet ndërsa djali i tij Shejh Abdurrahmani e vozitte karrocen. (Shejhu ishte ulur në korrocë) dola me të  krahas tij duke folur dhe dolëm nga xhamija, unë komëzbathur derisa  arritëm te “Babusselam” (dera afër varrit të Dërguarit të Allahut (sal-Allahu alejhi we sel-lem) më ndali me shenjë dhe djali i tij më dha shenjë të ndalem dhe e pash se Shejhu në shenjë respekti ndaj të Dërguarit të Allahut (sal-Allahu alejhi we sel-lem) çoi salawate siç më kujtohet për të (sal-Allahu alejhi we sel-lem). Këtë e ka pas zakon.

Edhe pse rrallë jam ulur te Shejhu un këtê dijetar e dua për Allah.

Është i njohur se ka pas akide (besim) të pastërt larg çdo sekti dhe metodologji (menhexh) të shëndoshë (duke ndjekur metodologjinë e tê parëve tanë të mirë) larg çdo grupacioni apo fanatizmi medh’hebor.

Allahu e shpërbleftë për çdo vepër më të vogël apo më të madhe që ka kontribuar për Islamin dhe muslimanët, ia faltë gjynahet dhe e gradoftë në shkallë të lartë në xhenet me të dërguarit, me të sinqertit, me dëshmorët dhe njerëzit e mirë.

Ndërsa familjes së tij që ka mbetur i drejtohem me këto fjalë:

“Me të vërtetë e Allahut është ajo që e ka marrë dhe e Atij është ajo që e dha, si dhe çdo send tek Ai është me kohë të caktuar. Pra të jeni të durueshëm dhe të llogarisni shpërblim nga Allahu!

Allahu ua lehtsoftë këtë sprovë, ju dhashtë durim të bukur dhe ju bashkoftë në xhenetin e lartë të firdeusit!”

Hoxhë Ardian Elezi

Basel, 15.08.2018