PËRMENDJA E ALLAHUT SHKAK PËR TË SHPËTUAR NGA DËNIMI

PËRMENDJA E ALLAHUT SHKAK PËR TË SHPËTUAR NGA DËNIMI

0 1244

HADITHI:

Muadh ibën Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell dhe thotë: i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Nuk ka vepër që më së tepërmi e shpëton të birin e Ademit nga dënimi i Allahut sesa përmendja e Allahut.”[1]

KOMENTI:

Përmendja e Allahut (dhikri) quhet vepër, dhe është një prej veprave më me vlerë, pasi që është shkak i shpëtimit nga shkatërrimi në dynja e në ahiret. Kush e përmend Allahun shpesh, Allahu atë do ta shpëtojë nga çdo fatkeqësi, për këtë profetët (paqja dhe bekimi qoftë mbi ta) kur gjendeshin në vështirësi apo në brengë e mundim e përmendnin Allahun.

Sikur që e përmend Allahu: “dhe (kujtoje) Ejubin kur iu lut Zotit të vet: “Mua, më ka goditur mjerimi, e Ti je më i mëshirshmi prje mëshiruesve! E, iu gjegjëm Na atij dhe ia larguam mjerimin që kishte ai, dhe ia dhamë atij familjen e tij, dhe krahas tyre – edhe aq (ia dyfishuam familjen) nga mëshira Jonë, që kjo të jetë këshilë për ata që Na adhurojnë.” Sureja Enbija, 83-84.

Dhe, (kujtoje) Dhen-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar (nga populli i vet), e mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, andaj thërriti nga errësira: “S’ka zot tjetër përveç Teje! Ti je i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar (ndaj vetes)! Na iu gjegjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.” Sureja Enbija, 87-88.

Para tyre (mekasve) ka përgënjeshtruar populli i Nuhut: mohonin robin Tonë (Nuhun) dhe thonin: “I çmendur!” – dhe e pengonin (në tregimin e Shpalljes). Dhe, iu lut Zotit të vet: “Unë jam i mundur (prej popullit tim), andaj Më ndihmo! Dhe, Ne ia kemi hapur dyert e qiellit me ujë (shi) të rrëmbyeshëm, dhe, i kemi hapur burimet e tokës, e u takuan ujërat për një veprim që ka qenë i caktuar.” Sureja Kamer, 9-12.

Autor: Salih ibn Feuzan el Feuzan

HADITHE MBI MORALIN DHE ETIKËN TË PËRMBLEDHURA NGA LIBRI (BULUG EL MERAM)

HADITHI I DYZET E TETË

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

[1] E shënon Tirmidhiu me numër (3377), Ahmedi në (Musned) (5/639), ibën Ebi Shejbeh në (Musanef) (30065). Shejh Albani e vlerësoi të saktë në librin e tij (Sahih el Xhamiu Sagir) me numër (5644).

GJITHASHTU NË ALBISLAM