Arhiva DitoreMar 27, 2015

0 1123

1- Kur vonon namazin për shkak të Facebook, facebooku bëhet haram.

2- Nëse faqen tënde personale e përdorë për të shpërndarë atë që e hidhëron Allahun, facebooku bëhet haram.

3- Kur në profilin tënd poston foto të femrave te zhveshura, facebooku bëhet haram.
4- Nëse të pengon dhe të largon nga përmendja e Allahut dhe leximi i Kuranit, facebooku bëhet haram.
5- Nëse gjithë kohën tënde kalon duke biseduar dhe komentuar kot, facebooku bëhet haram.
6- Nëse ke lidhje jo legjitime me ndonjë vajzë apo mashkull, facebooku bëhet haram.
Dije vëlla\motër se engjëjt e Allahut shkruajnë atë që bën ti, po ashtu Allahu di atë që vepron dhe flet ti, në çdo kohë dhe në çdo vend.
Nga ky moment fillo të përdorësh profilin tënd vetëm me atë që e kënaqë Allahun, e jo në atë që e hidhëron atë, bëje facebookun argument për ty në ditën e gjykimi e jo kundër teje.
Bëje facebookun një derë nga e cila të rrjedhin të mirat, dhe përmirëso nijetin tënd në përdorimin e tij.

Përshtati: Valdet Kamberi

Burimi: albislam.com

0 1224

Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Gjithëmëshirshmit

E si mos ta quajmë natë sa një jetë, kur ajo ka një pozitë madhështore, që bën të tejkalon kufijtë e perceptimit njerëzor, ajo është më e mirë se mijëra momente kohore të jetës së njeriut, sa mijëra  muaj, e sa mijëra vite kanë përfunduar pa mos lënë në jetë as sa një pjesë të gjurmëve e ndryshimeve që le kjo natë e begatshme.

Andaj, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, na nxiti neve që ta kërkojmë në një periudhë kohorë ku mund të ndodhë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit.”

Përshkrimi i kësaj nate:

Allahu i Madhëruar thotë: “Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e begatshme të kadrit). Ne dëshiruam t’u tërheqim vërejtjen, e njerëzit të jenë të gatshëm. Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë. Urdhër i përcaktuar nga Vetë Ne. S’ka dyshim se Ne dërguam të dërguar. (E zbritëm) Nga Mëshira e Zotit tënd; Ai është dëgjuesi, i dijshmi”. Duhan 2-6

Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit”. Kadr 1-5.

Sa natë e madhe, sa shumë mirësi të saj, sa begati, një natë më e mirë se një mijë muaj, pra më tepër se tetëdhjetë vite të një njeriu, që është një jetë e gjatë që njeriu ta kalonte të tërën në adhurim ndaj Allahut, e nata e Kadrit që është vetëm se një natë, është më e mirë , kjo për atë që ka arritur vlerat dhe bereqetin e saj.

Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj, në të cilat nuk është nata e Kadrit.”

Koha e saj:

I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në netët tek të dhjetëshit të fundit të muajit të Ramazanit.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi

Si ta kërkojë myslimani këtë natë? Aisheja , radijallahu anha, ka thënë: “I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem kur hynte dhjetëshi i fundit, shtrëngonte izarin e tij, gjallëronte natën (me namaz) dhe zgjonte familjen e tij.” E transmeton Buahriu dhe Muslimi, po ashtu ajo ka thënë: “I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem jepte mundin e tij në dhjetëshin e fundit, shumë më shumë sesa në netët e mëhershme.” E transmeton Muslimi

Vlera e saj:

Një; Allahu e zbriti Kuranin që është udhëzues për njerëzimin, për lumturinë  e tyre në këtë botë dhe botën tjetër.

Dy; Vetë të pyeturit aludon në madhështinë e saj, nga fjala e Allahut “E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit?”.

Tre; Është më e vlefshme se një mijë muaj.

Katër; Melaqet zbresin në atë natë e nuk zbresin pos se me mirësi, bereqet e mëshirë.

Pesë; është shpëtim, shpëtimi i madh nga dënimi e ndëshkimi me adhurimin të cilin e kryen robi.

Gjashtë; Allahu për këtë natë e zbriti një sure të tërë e cila lexohet deri në ditën e Kiametit.

Shtatë; Falen mëkatet, për atë i cili e ka gjallëruar këtë natë me besim dhe shpresë në shpërblimin e Allahut.

Shenjat e saja:

I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Nata e Kadrit është natë e qetë, e hapur, as e nxehtë, e as e ftohtë, dielli në mëngjesin e saj lind me ngjyrë të kuqe të dobët.”

Dijetarët kanë përmendur disa shenja, prej tyre:

-Ndriçimi i fortë në atë natë, e kjo shenjë nuk mund të vërehet në kohën e sodit, pos ai që është në periferi, larg nga ndriçimi rrugor.

-Qetësia shpirtërore, zemërgjerësia e besimtarit, ai gjend rehati, qetësi, dhe zemërgjerësi në atë natë më shumë se sa ndjen në neton tjera.

-Erërat janë të qeta, nuk vije stuhi, por do të jetë moti mesatar.

-Mund që njeriu të sheh në ëndërr natën e Kadrit, ashtu siç kishte ndodhur tek sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta.

-Njeriu gjatë kësaj nate ndjen kënaqësi më tepër në adhurime se në netët tjera.

-Dielli në mëngjesin e saj lind pa reze, e pastër e nuk është siç ndodh zakonisht në ditët tjera, në këtë aludon hadithi i Ubej ibn Kab, radijallahu anhu, i cili ka thënë: “I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem na ka treguar: “Dielli në atë natë lind pa reze.” E transmeton Muslimi.

Shkaku i emërtimit Nata e Kadrit:

Së pari: është quajtur nata e Kadrit, që ka domethënien e nderuar, e vlerësuar.

Dy: Është quajtur se në atë natë caktohet (kader) se çfarë do të ndodh gjatë vitit. E kjo nga urtësia e Allahut, aze ve xhel që tregon për përsosmërinë në krijim.

Tre: Është thënë se adhurimi në atë natë ka vlerë (kadr) shumë të madhe.

Duaja më e preferuar:

Nëna e besimtarëve, Aisheja, radijallahu anha ka pyetur të duruarin, sal-Allahu alejhi ve selem: “O i dërguari i Allahut! Nëse unë e di, pra natën e Kadrit, çfarë të them? Tha: Thuaj: O Allah! Ti je Falës Bujar, e do Faljen, andaj më fal mua.” E transmeton Tirmidhiu.

O Allah na bën prej fitimtarëve të kësaj nate, dhe prej atyre që e kalojnë këtë natë me besim dhe shpresë në shpërblimin Tënd.

Meshir Muktirij

Përtheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

0 1598

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dërguarin e Allahut, familjen e tij, shokët dhe atyre që pasojnë atë.

Ja erdhën dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit, të na përkujtojnë neve me disa gjëra prej tyre:

Fjalën e Allahut: “Ato ditë Na i ndërrojmë midis njerëzve”. Ali Imran 140.

Çdo qenie e gjallë do ta shijojë vdekjen”. Ali Imran 185.

Çdo gjë që është në Tokë është e kalueshme (do të shkatërrohet), e mbetet vetëm Fytyra e Zotit tënd, i Madhërueshmi dhe Bamirësi ”. Rahman 26-27.

Në të kaluarën e afërt, ishim duke e pritur ardhjen e këtij muaji, dhe ja ne në dhjetë ditët e fundit, a ka kush që merr këshilla dhe mediton?

Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “O biri i Ademit, ti je vetëm se disa ditë, nëse të kalon një ditë, ka kaluar një pjesë e jotja!”

I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, na ka treguar për veten e tij dhe për dynjanë: “Unë në këtë dynja jam si një kalorës, i strehuar ndër një hije të një peme, i cili pastaj udhëton dhe e braktisë atë hije.” E transmeton Tirmidhiu dhe ka thënë se hadithi është hasen sahih.

Erdhën këto dhjetë ditët e fundit që të na e përkujtojnë ihsanin, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Allahu obligoi mirësinë në çdo gjë.” E transmeton Muslimi.

Ihsan është: “Të adhurosh Allahun sikur se e sheh, edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai ty të sheh.” E transmeton Buhariu.

Duhet të ndjesh mbikëqyrjen e Allahut në vetmi apo në opinion, në fjalë e në vepra, në veprimin e të mirave në mënyrën më të përsosur duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, aze ve xhel. Duke u sjell mirë me veten tënde, duke e larguar atë nga haramet, e të mos veprosh vetëm se atë që Allahu është në pajtim me të, kështu e pastron veten, e rehaton nga devijimet dhe ngatërrimet e dynjasë, nga mjerimi e dënimi në ahiret, Allahu thotë: “Nëse bëni mirë, bëni për vete, e nëse bëni keq, bëni kundër vetes”. Isra 7.

Erdhën këto dhjetë ditët e fundit që të na tregojnë se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat “Dhe fale namazin në dy skajet e ditës, e edhe në orët e afërta (me ditën) të natës. S’ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Kjo është një këshillë për ata që pranojnë këshillat”. Hud 114. Allahu thotë: “Nëse lagoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat u janë të ndalueshme, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm”. Nisa 31.

I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Ke frikë Allahun kudo që të jesh, çdo vepër të keqe pasoje me të mirë, ajo (e mira) e shlyen të keqen, dhe sillu me njerëzit me moral të mirë.” E transmeton Tirmidhiu.

Dhe i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Pesë namazet, xhumaja deri në xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër i shlyejnë mëkatet që janë mes tyre, nëse largohet prej mëkateve të mëdha.” E transmeton Muslimi.

Këto dhjetë ditë erdhën të na thonë: O rob i Allahut, ke frikë Allahun, përkushtoju adhurimit, largoju nga mëkatet, që të të falen të kaluarat.

Ngase jeta në adhurim është me e lezetshme se jeta në mëkate: “Vallë, a është ai që qe i vdekur kurse Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që ka mbetur në errësirë (i humbur) dhe nuk mund të shpëtojë nga ajo? Ja, kështu (si këtij në errësirë) iu duket mirë mohuesve ajo që veprojnë”. EnAm 122.

Erdhën këto dhjetë ditë që të na përkujtojnë udhëzimin e të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem, për të cilin Aisheja, radijalahu anha ka thënë: “Kur vinin dhjetë ditë të fundit e shtrëngonte izarin e tij, gjallëronte natën, zgjonte familjarët.” E transmeton Buhariu.

Ky është një argument për mundin në adhurime të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem, skajimi nga gratë dhe thirrjen e familjes që ta adhurojnë Allahun e Madhëruar, vepruar sipas fjalës së Allahut: “Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë, ngase Ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (për ty as për familjen tënde), Ne të furnizojmë ty (dhe ata), ardhmëria e mirë është e atij që ruhet.”. Taha 132.

Nga udhëzimi i tij, sal-Allahu alejhi ve selem, ishte edhe itikafi në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, Abdullah ibn Omeri, radijallahu anhuma, ka thënë: “I dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, bënte itikaf në dhjetë ditët e fundit të muajit Ramazan.” E transmeton Buhariu.

Aisheja, radijallahu anha, ka thënë: “I dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem jepte mundin e tij në dhjetëshin e fundit, më shumë se ditët tjera.” E transmeton Muslimi.

Nga udhëzimi i tij, sal-Allahu alejhi ve selem është se ai e kërkonte natën e Kadirt, dhe ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetëshin e fundit, kërkojeni atë në netët tek.” E transmeton Buhariu.

Pra, ajo natë mund të ndodh në netët tek prej dhjetëshit të fundit, sa lumturi për atë i cili e arrin bereqetin e saj, përfiton mirësitë e asaj nate, i privuar është ai që privohet nga të mirat e saja, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem për vlerën e muajit të Ramazanit ka thënë: “Në të është nata e Kadrit, që është më e mirë se një mijë muaj, kush është privuar nga të mirat e saja, me të vërtetë është i privuar.” Musnedi i Ahmedit, 12/134.

Preferohet të bëjmë lutje në ato net, Aisheja, radijallahu anha ka thënë: “I thashë: O i dërguari i Allahut! Nëse unë e kuptoj se cila natë është nata e Kadrit, çfarë të them (lutje të bëj)? Tha: “Thuaj: O Allahu im! Ti je Falës, Bujar, e do faljen, andaj më fal mua.” E transmeton Tirmidhiu.

Ajo mund të jetë në natën e njëzet e shtatë, por mund të jetë edhe në netët tjera prej netëve tek, andaj mundohu për çdo natë, e mos u bë vetëm prej atyre që vije në natën e njëzet e shtatë e i le netët tjera.

Ibn Rexhebi, Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Emri Falës është prej emrave të Allahut të Madhëruar, ai i tejkalon gjitha të këqijat e robërve, i shlyen gjurmët e tyre, Ai e do faljen, dhe dëshiron që t’ua fal robërve të Tij, gjithashtu dëshiron që robërit të falin njëri tjetrin, nëse ata falin njëri tjetrin Ai sillet me ata me falje, falja tek Ai është më e dashur se ndëshkimi, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Kërkoj mbrojtje me kënaqësinë Tënde nga urejtja, me faljen tënde nga ndëshkimi.” E transmeton Muslimi.

Jahja ibn Muadhi ka thënë: “Po të mos ishte falja më e dashur për të, nuk do ti sprovonte me mëkate njerëzit më të ngritur tek Ai, mirëpo, urdhëroi që të kërkojnë falje në natën e Kadrit, pas mundit të dhënë në vepra të mira në netët e fundit, ngase ata që njihen me vepra të mira, japin maksimumin e tyre në vepra, pastaj nuk shohin tek ata ndonjë vepër të mirë (të meriton faljen), as gjendje e as fjalë, e kthehen në kërkimin e faljes, si gjendja e mëkatarit, neglizhent.”

Abdullah ibn Busr, radijallahu anhu ka thënë: I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Lum për atë i cili në regjistrin e tij gjen shumë istigfar (kërkim falje).” E transmeton ibn Maxhe.

Shpeshto kërkimin e faljes, o rob i Allahut. E lusim Allahun me Emrat e Tij të bukur dhe Cilësitë e Tija të Larta, të na fal neve, mëkatet tona. Lutja jonë e fundit është, falënderimi i takon Allahut Zotit të botëve.

Mesir Matir Dhafiri

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

0 1813

Një pjesë e shoqërisë kanë zgjedhë t’i përkushtohen mu në këtë muaj të bekuar televizorit e kompjuterit, rrjeteve sociale si facebook, twitter, etj, ndërsa qoftë edhe një natë të vetme nuk i mbyllin këto mjete që ia lodhin e skuqin sytë, për t’u freskuar me abdes e namaz nate që do t’ia hapte gjoksin e pushonte sytë.
Hapë televizorin dhe shikon seriale të ndryshme, filma, etj, sikur të mos ishte për të Ramazan!!!
Nuk hapë as mus’hafin e as nuk falët natën, sikur të mos ishte për atë Ramazan.
Sa hap e mbyllë sytë ikën Ramazani dhe e dëgjon duke thënë: Po shpejt ka kaluar ky Ramazan!
Mirë, na trego pse të të pres ty Ramazani kur ti nuk e shfrytëzon atë, pse mërzitesh për mysafirin që nuk i ke bërë asnjë nderë, pse e pse?!!! A je mashtrues i vetes ti! A logjikon ti! A din të dallosh të mirën nga e keqja?!
Pse ke qëndruar 30 ditë kot, kur ti nuk je krijuar të qëndrosh kot, por për të adhuruar Allahun e Lartësuar?
Shumë njerëz kanë shpresuar të arrijnë këtë Ramazan, por iu janë lidhur këmbët dhe kanë kaluar në botën tjetër. Pse ia lidhë vetes këmbët duke qenë gjallë?
A thua a do ta pritnin Ramazanin ata sikurse ti, apo do ta shfrytëzonin në maksimum? Po ti sikur të ishe në vendin e tyre si do të veproje? 
Pse nuk ndalesh të mendosh se një ditë do te vdesësh edhe ti si gjithë të tjerët.
Pse nuk e pyet veten a je bërë gati për udhëtimin e gjatë? 
Pse nuk e pyet veten a ke më shumë punë dhe fjalë të mira apo te këqija.
Pse nuk e pyete veten, a thua pse këta njerëz mundohen më shumë gjatë muajit të Ramazanit?
Shfrytëzoje këtë Ramazan sepse ndoshta mund të jetë i fundit. Shfrytëzo këtë rast të artë që të është dhënë nga Allahu i Lartësuar.
Shfrytëzoje para se të pendohesh, kur nuk do të bënë më dobi asgjë.
Mblidhi forcat dhe vendos të ndryshosh për të mire, dhe të kapësh këto ditë të mbetura të Ramazanit. Ende ka kohe, mëshiroje veten dhe nxito në punë të mira.
Kapu fort për karvanin e të penduarve dhe mos harro se dyert e pendimit janë hapur për çdo njeri. 
O Allahu ynë! Bëje këtë Ramazan muaj ndryshimi për ne. Një shans për të shtuar veprat e mira dhe largim nga punët e këqija.

Përgatiti: Hoxhë Valdet Kamberi

Burimi: albislam.com

0 2268

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dërguarin, familjen e tij, shokët dhe gjithë ata që e pasojnë deri në ditën e Fundit.

Ibn Xheuzi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk ka të ngjashëm muaji i Ramazanit me muajt tjerë, e as që është dalluar (me këtë muaj) më herët ndonjë umet gjatë historisë njerëzore pos këtij umeti , mëkati në këtë muaj falet, veprat e tija janë të lavdëruara, besimtari në këtë muaj është i gëzuar, ndërsa shejtani i distancuar, gabimi e mëkati i braktisur, zemra e besimtarit me përmendjen e Allahut e mbushur, arriti në shtëpitë e juaja, ai së shpejti do të shkojë, e do të jetë argument pro apo kundër jush, ai sjell lumturi, shpërblime të shumëfishta, nderoni ditët e këtij muaji duke përfunduar agjërimin e natën kaloni me të qarit dhe namazin e gjatë, që ndoshta të fitoni vendin e përjetshëm e të shpëtimit, dhe shikimin në Fytyrën e Allahut të Madhëruar dhe shoqërimin me të dërguarin, sal-Allahu alejhi ve selem.”

Muslimani duhet që të mos jetë neglizhent gjatë sezoneve të adhurimeve, por të jetë prej të parëve e prej atyre që garojnë, Allahu thotë: “E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën”. Mutafifin 26.

Kujdesu që në muajin e Ramazanit të garosh me veprat si në vijim:

Pasi që të vendosësh synimin e sinqertë, me pendim dhe kthim tek Allahu i Madhëruar, me një ambicie të lartë, që ta ndërtosh Ramazanin me vepra të mira, ai që është i sinqertë me Allahun, Allahu e ndihmon në adhurimet e tija, e ia lehtëson rrugët e mirësisë, Allahut thotë: “Nuk ka dyshim se Unë e fal atë që është penduar, që ka besuar, që ka bërë vepra të mira dhe që përqëndrohet për në rrugën e drejtë”. Taha 82.

Dhe atë duke ndjerë se Ramazani është në ditë të caktuara, kalon shpejtë, e që ndoshta ky është Ramazani i fundit që ti e përjeton, shtoi të mirat, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem: “Jetën time bëje të gjatë në çdo të mirë.”

Shfrytëzoi shanset ta pastrosh veten tënde, ta mësosh atë në adhurime, dhe kujto se “Allahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre”. Rad 11.

Duhet ndjerë mbikëqyrjen e Allahut, xhele ve ala, të meditosh rreth kuptimeve të emrave të bukur të Allahut (Shikuesi, Mbikëqyrësi, Dëgjuesi) gjatë; agjërimit tënd, namazit, ruaje gjuhën, dëgjimin, shikimin dhe gjithë gjymtyrët e tua në gjërat që i do Allahu dhe është i kënaqur me to, Allahu thotë: “Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm”. Kaf, 18

Duke shpeshtuar përmendjen e Allahut, aze ve xhele, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Mos të ndalet gjuha jote të jetë e njomë nga përmendja e Allahut.” E transmeton Ahmedi.

Leximi i Kuranit me meditim, ai do të jetë për ty ndërmjetësues në ditën e Kiametit, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Lexojeni Kuranin sepse ai do të vije ndërmjetësues për shoqëruesit e tij.” E transmeton Muslimi.

Ibn Abasi, radijAllahu ahu, ka thënë: “Të lexoj një sure, me vëmendje dhe meditim është më e dashur për mua se sa të lexoj gjithë Kuranin.”

Duke u lutur në kohët e preferuara, si:

1-Në iftar, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Tre lutje nuk refuzohen: duaja e agjëruesit në iftar…” E transmeton Tirmidhiu dhe ibn Maxhe.

2-Mes ezanit dhe kiametit, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Duaja që thuhet mes ezanit dhe kiametit nuk refuzohet.” E transmeton Tirmidhiu.

3-Në pjesën e tretë të natës, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Zoti zbret çdo natë në qiellin e dynjasë, atëherë kur mbetet pjesa e fundit të natës e thotë: A ka kush që më lutet, e Unë ti përgjigje?! A ka kush që kërkon nga Unë, e Unë t’i jap?! A ka kush që kërkon falje nga Unë, e Unë t’ia falë?!” E transmeton Buhariu dhe Muslimi

Duke dhënë mundin në dhjetëshin e fundit të muajit të Ramazanit, në ato ditë ka mirësi të mëdha (nata e Kadrit), kujdesi për sunetin e të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem, duke praktikuar sunetin e itikafit, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Kush falet në natën e Kadrit me besim dhe shpresë (në shpërblimin e Allahut) i falen mëkatet e mëhershme.” E transmeton Nesaiu dhe nga Ebu Hurejra.

Duke shpejtuar në përmirësimin e ecjes drejt Allahut të Madhëruar, duke qenë i durueshëm dhe i përmbajtur gjatë vështirësive, përmirësimin e moralit dhe sjelljes me njerëzit (familjen tënde, të afërmit, shokët, fqinjët, etj) të jesh zemërgjerë me ata, e kështu me radhë. I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Besimtari me besim më të plotë është ai që ka moral më të mirë.” E transmeton Tirmidhiu.

Mjerë për ata që nuk u falet atyre në këtë muaj, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Më erdhi Xhibrili e më tha: O Muhamed! Ai që e arrin muajin e Ramazanit, vdes e nuk i është falë atij, hynë në zjarr, Allahu e largoftë, thuaj Amin, e unë thash Amin.” E transmeton Taberaniu nga Xhamir ibn Semure.

Mos harro se qëllimi yt në këtë jetë është adhurimi i Allahut, aze ve xhele, e mundi yt në këtë muaj është një pjesë e gjithë sakrificës të jetës tënde, kështu që kujdesu për kohën, ditët e jetës, të nisesh drejt ndryshimit, përmirësimit, garimit dhe shpejtimit drejt asaj që Allahu e dëshiron dhe është i kënaqur me atë, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Shfrytëzo pesë para pesëve; jetën para vdekjes, rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para preokupimit.” E transmeton Hakimi

8-Bëhu prej atyre që i përmend Allahu: “Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për një xhennet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit”. Ali Imran 133.

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

0 1953

Muaji i Ramazanit është rast i volitshëm për pendim dhe kthim tek Allahu. Ai është muaji i mëshirës, i faljes së gabimeve, fshirjes së mëkateve, i shpëtimit prej zjarrit dhe i fitores me hyrje në xhenet. I lumtur është ai që e di këtë dhe që shpejton ti afrohet Allahut me pendim dhe kthim, me kërkim faljeje dhe keqardhje për atë që e ka bërë…

Nëse nuk pendohemi në Ramazan, atëherë kur do të pendohemi? Nëse nuk pendohemi tani kur dyert e xheneteve janë të hapur, kur dyert e zjarrit janë mbyllur, kur shejtanët janë në pranga, kur do të pendohemi? Kur do të largohemi nga mëkatet.

Me të vërtetë muaji i Ramazanit është muaji i pendimit, faljes dhe çlirimit të vetes nga zjarri i xhehenemit. Ka dështuar ai që e arrin dhe nuk lirohet nga barra e mëkateve. Në hadithin e njohur qëndron: “Ka dështuar njeriu që e ka arritur Ramazani, që i ka kaluar Ramazani pa falje të mëkateve.” (Tirmidhi, Albani e vlerëson si shih)

Pse nuk pendohesh kur Allahu ua ka shtrirë dorën të penduarve. Ebu Musa El Esh’ari, radijallahu anhu, tregon se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Allahu e zgjatë dorën natën që të pendohet mëkatari i ditës dhe e zgjat dorën ditën që të pendohet mëkatari i natës, derisa të lindë dielli nga perëndimi.” (Muslim)

Prej Ebu Dherr Gifariut, radijallahu anhu, transmetohet se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, prej Zotit të Tij, subhanehu ue te’ala, i ka transmetuar këto fjalë: “O robërit e mi ju mëkatoni ditën dhe natën, ndërsa unë i fali gjithë mëkatet. Kërkoni falje prej mua që t’ju fali.” (Muslim)

O mëkatar dije se mëshira e Allahut është e gjërë. A nuk është Allahu ai që e hapi derën që të pendohen munafikët duke thënë: “Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe

të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës. Por ata që pendohen, përmirësohen, mbështeten fort tek Allahu dhe që besimin e tyre e kanë sinqerisht vetëm për Allahun, do të jenë me besimtarët e vërtetë. Allahu do t’u japë shpërblim të madh besimtarëve.” (Ali Imran, 145-146)

Nuk i ka përjashtuar as çifutët e as krishterët që e fyen Atë dhe e përshkruan me mangësi Zotin e gjithësisë. “Hebrenjtë thonë: “Dora e Allahut është e shtrënguar.”

Iu lidhshin duart atyre dhe qofshin të mallkuar për atë që thonë! Përkundrazi, të dyja Duart e Tij janë të hapura. Ai dhuron dhe jep si të dojë.” (El Maide, 64)

Askush nuk është përjashtuar nga mëshira e Tij që ka përfshirë çdo gjë: “Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë!” (El Maide, 74)

Për politeistët tha: “Megjithatë, nëse ata pendohen, falin namazin dhe japin zeqatin, atëherë janë vëllezërit tuaj në fe. Kështu ua shpjegojmë shpalljet njerëzve që dinë.” (Et Teube, 11)

A nuk është Allahu, Ai që i thërret ata që e kanë tepruar në mëkate që të përulen para Tij: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (Ez Zumer, 53)

U bëri thirrje edhe imanlive që të pendohen: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë.” (Et Tahrim, 8)

Si të mos u drejtohet me këtë thirrje kur më i miri dhe më fisniku në mesin tyre ai për të cilin Allahu, subhanehu ue te’ala, ka thënë: “Ne të dhamë ty një fitore të qartë, për të t’i falur ty Allahu gabimet e mëparshme dhe të ardhshme.” (El Fet’h, 1-2), i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, në hadithin që e transmeton El Egarr ibën Jesari, radijallahu anhu thotë: “O ju njerëz pendohuni tek Allahu sepse unë gjatë ditës i kthehem Zotit me pendesë njëqind herë.” (Muslim)

A nuk e kemi obligim që nëkëtë muaj ti kthehemi me pendim më Bujarit i Cili gëzohet me pendimin tonë dhe i do ata që pendohen: “Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.” El Bekare, 222)

Është i njohur hadithi që e transmeton Muslimi në të cilin përshkruhet gëzimi i Allahut, subhanehu ue te’ala, me pendimin e robit.

Është një pyetje që duhet t’ia parashtrojmë vetes. Sa është i saktë/i plotë pendimi jonë? A e pranon Allahu teuben tonë?

Pendimi i sinqertë ka disa shenja që e vërtetojnë. Disa prej tyre përmenden në librin Medarixhu Salikin:

Pendimi i saktë ka disa shenja:

Pas pendimit ka filluar një hair që s’ka qenë më herët.

Vazhdon frika e robit i cili nuk lejon të kaplohet nga siguria nga dënimi i mundshëm i Allahu. Frika e tij vazhdon derisa të dëgjojë fjalët e jelekut të dërguar për marrjen e shpirtit të tij: “Mos u frikësoni dhe mos

u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.” (Fussilet, 30)

Zemra e tij tmerrohet dhe gati se copëtohet nga frika dhe pendimi varësisht prej madhësisë së mëkatit. Kështu e komentoi Ibën Ujejne ajetin: “Godina që ata ndërtuan, mbjell gjithnjë dyshim në zemrat e

tyre, derisa zemrat e tyre t’u copëtohen.” (Et Teube, 110) dhe tha zemrat e tyre copëtohen nga pendimi i tyre. Nuk ka dyshim se tmerri i madh dhe frika e ashpër shkaktojnë krisjen e zemrës dhe copëtimin e saj. Ky është thelbi i pendimit të vërtetë i cili e mbush zemrën me frikë dhe keqardhje për atë që është anashkaluar. Ardhmëria është e pasigurt për shkak të dënimit të mundshëm. Pikëllohet në dynja për shkujdesin dhe do të pikëllohet në ahiret kur ta sheh shpërblimin e atyre që i janë bindur Allahut.

Prej aspekteve të pendimit është nënshtrimi i zemrës dhe përulja e saj që nuk arrihet as me ushtrim, as me uri e as me nje dashuri të thjeshtë. Ky është nënshtrimi i plotë i zemrës para Allahut, subhanehu ue te’ala, përulje e skajshme e zemrës e cila në çdo aspekt i përulet Allahut. I shtrirë, i frikësuar i dorëzuar para Allahut. Këtë përulje, frikë, dorëzim dhe kthim e do Allahu, subhanehu ue te’ala. Gjendja e robit sikur thotë: të lutem me Madhërinë Tënde dhe me pavlefshmërinë time të më mëshirosh. Ti je i Fuqishmi e unë i dobëti, Ti je i Pasuri e unë skamnori, nuk kam Zot pos Teje. Nuk ka shpëtim e as strehim te dikush tjetër përveç Teje o Zot i gjithësisë…të lutem me fal. (Medarixhu Salikin, 1/185-187 me shkurtim)

Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarit, familjen, shokët e tij dhe gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e gjykimit. Amin

Përktheu: M-r Talha Kurtishi

Burimi: albislam.com

0 2626

– Allahu në Kuran i përshkruan tri fjalë me një cilësi, dhe ato janë:

1. Sabri i mirë.

Allahu thotë: “Sabri (durimi) është i mirë!”. Jusuf 18.

2. Largim i hijshëm (mirë):

Allahu thotë: “largohu nga ata në mënyrë të hijshme!”. Muzemil 10.

3. Sjellja e mirë.

Allahu thotë: “e ti (Muhamed) sillu me njerëzishmëri”. Hixhër 85.

– Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, e komentoi përshkrimin e këtyre tri fjalëve dhe tha:

Sabër i mirë … është ai sabër, ku njeriu nuk i ankohet askujt tjetër përveç Allahut të Madhëruar.

Largim i mirë … është ai largim, ku njeriu nuk e dëmton tjetrin kur largohet apo distancohet nga ai.

Sjellje e mirë … është ajo sjellje, ku njeriu nuk kërkon mirënjohje nga ai, që ia ka falur apo është sjellë mirë me të.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Burimi: albislam.com

0 1786

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dërguarin e fundit.

Vëlla i nderuar!

Ja pra vetëm se na erdhi Ramazani në dyert tona.

Ramazani, për të cilin shumë gjatë  u përmalluan zemrat e të devotshmëve.

Ramazani, për të cilin shumë gjatë u përmalluan shpirtrat e bamirësve.

Si të mos përmallohen për muajin e mirësive dhe begative. Për muajin e faljes dhe mëshirës.

Vëlla i nderuar, këtë muaj Allahu e veçoi me veçori të mëdha, e dalloi me vlera të ndryshme, është muaji i agjërimit, që është një prej shtylle të islamit.

Agjërimi, që çdo vepër e birit të Ademit është për atë, përveç agjërimit, ai është për Allahun dhe Ai e shpërblen.

Është muaji në të cilin hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit dhe prangosen shejtanët.

Vëlla i nderuar!

Prej vlerave më të mëdha të muajit Ramazan është se ky muaj wshtw sezon i madh i faljes.

Po, i faljes për të cilën kemi nevojë që të gjithë. Falje, kujt i është dhënë, me të vërtetë i është dhënë e gjithë mirësia. A ka që i pengon robërit nga hyrja në xhenet pos shkaku se ata nuk janë të falur? A hyn njerëzit në zjarr pos për shkak të mëkateve të cilat nuk janë falur?

Mëkatet të cilat janë shkak i çdo të keqeje, fatkeqësie.

Mëkatet të cilat në zemër mbjellin errësirën dhe vrazhdësinë.

Mëkatet të cilat ndërhynë mes teje dhe Zotit.

Vëlla i nderuar!

Ti i cili e ke stërngarkuar veten me mëkate ja sezoni i faljes erdhi, dëgjo këto hadithe të vërteta që të njohësh lumenjtë e faljes në këtë muaj të bekuar.

1-    Ebu Hurejra, radijallahu anhu, se i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Kush agjëron muajin e Ramazanit, me besim dhe shpresë, i falen atij mëkatet e mëhershme.” E transmeton Buhariu në librin e tij.

2-    Njashtu nga Ebu Hurejra, radijallahu anhu, se i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Pesë namazet, xhumaja deri në xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër, janë shlyerje të mëkateve mes këtyre, nëse largohen mëkatet e mëdha.” E transmeton Muslimi.

Sa përgëzim i madh, përgëzim i faljes, ti që e agjëron këtë muaj duke shpresuar Fytyrën e Allahut, kërko shpërblimin nga Allahu dhe përgëzohu me falje me lejen e Allahut.

Vëlla i nderuar!

Nëse dëshiron faljen le të jetë agjërimi jot agjërim nga haramet para se të agjërosh nga gjërat e lejuara, le të agjërojë dëgjimi jot, shikimi, gjuha, çdo gjymtyrë. Allahu e ka bërë haram për ty ngrënien dhe pijen gjatë ditës së agjërimit që në origjinë janë të lejuara, që të tërheq vërejtjen për lënien e harameve si më primare. Nëse ti nuk vepron ashtu, atëherë dëgjoje këtë hadith në të cilin thotë i dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem: “Kush nuk e le gënjeshtrën, injorancën dhe  të vepruarit me të, Allahu nuk është i nevojshëm që ai të braktis ushqimin e pijen.”

Dëgjo edhe njëherë thënien tjetër tw tij ku thotë: “Sa agjërues, nuk i mbetet nga agjërimi i tij pos urisë dhe etjes dhe sa namaz falës nuk i mbetet nga namazi i tij pos qëndrimit dhe lodhjes.”

Sa njerëz ka që vetëm se kanë qëndruar në uri, sa kanë qenë të etur, sa janë lodhur, por nuk ju mbet atyre asgjë nga shpërblimi, se ata nuk agjëruan nga haramet.

Vëlla i nderuar!

Allahu është i panevojshëm për ty, për urinë dhe etjen tënde, mirëpo Allahu prej teje dëshiron diçka që fshihet pas agjërimit, që është devotshmëria.

Ky është qëllimi për të cilin e bëri Allahu të obliguar agjërimin “O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë juve obligim, ashtu siç ka qenë edhe për ata para jush që të und të bëheni të devotshëm.”

Pra, bëhu i devotshëm që të meritosh faljen, ruaje gjuhën, ule shikimin, ruaje dëgjimin nga ndalesat derisa të kënaqen në xhenetit me lejen e Allahut.

Adhurimi gjatë Ramazanit:

3-    Ebu Hurrejra, radijallahu anhu, transmeton se i dërguari, sal-Allahu alejhi ve sele ka thënë: “Kush falet gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë, I falen atij mëkatet e mëhershme.” E transmeton Buhariu në librin e tij.

Janë net të caktuara, drejtoji këmbët për Allahun , falu për Të, të arrish këtë falje, vendos që tani dhe je i sinqertë me Allahun

Bile dëgjo këtë përgëzim nga i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, sikur që është shënuar në sunenet, hadithi që e transmeton Ebu Dheri, radijallahu anhu, se i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Njeriu nëse falet me imamin deri sa të përfundon, i llogaritet atij namaz nate.”

Adhurimi në natën e kadrit:

4-    Ebu Hurejra radijallahu anhu transmeton se i dërguari salallahu alejhi ve selem ka thënë: “Kush kryen adhurim gjatë natës së kadrit me besim dhe shpresë, i falen atij mëkatet e mëhershme.” E transmeton Buhariu në librin e tij.

Një natë e vetme, të mundohesh të kryesh adhurime, për të cilën natë i dërguari salallahu alejhi ve selem bënte itikaf dhjetë netët e fundit prej Ramazani për shkak të kësaj nate, të përfiton prej saj, ndërsa Allahu atij ia kishte falur mëkatet e mëhershme dhe ato të mëvonshme, sa nevojtar që jemi ne, ne që e dimë rrugëtimin tonë të gjatë, gjendjen tonë në ditën e Kiametit, të mundohemi në këtë natë, që është më e vlefshme se 83 vite.

Vëlla i nderuar!

Regjistrat janë mbushur me mëkate e gabime, a të mos i pastrojmë ato me një natë të vetme? Që ta arrish këtë natë duhet që dhjetë netët e fundit të japësh mundin tënd në adhurim, nëse vërtetë je i sinqertë të kërkosh falje.

Faljen e kemi para nesh,  lumenjtë e faljes, që po ecin për ty, eja dhe zhytu në ato që të pastrohesh, ndoshta kjo ti shlyen ty fletët, sado që të zeza qofshin ato, ndoshta ti shlyen ty mëkatet, sado qoftë që kanë ndërhyrë mes teje dhe Zotit.

Betohem në Allahun, se Allahu nuk i ka hapur dyert e xhenetit pos që ty të mundëson të futesh në të. Dhe nuk ka mbyllur dyert e zjarrit pos që ty të largon prej tyre.

Nuk i ka prangosur djajtë pos që ti të afrohesh afër Tij, të adhurosh atë, që janë shkaqe që Ai të jetë i kënaqur, dhe që ti të jesh i lumtur.

Vëlla i nderuar!

A ka më të mëshirshëm se Zoti, që është i panevojshëm për ne dhe adhurimin tonë? E pamundur. Shiko se si ai sillet me ty e si ti sillesh me Të.

I bën mëkat, e Ai ta mbulon, rebelohesh me mëkate e Ai është i butë me ty, ngarkohesh me mëkate e Ai të thërret në falje dhe pendim. Allahu thotë: “Thuaj: O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten me shumë gabime, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut, me të vërtetë Allahu i falë të gjitha mëkatet, vetëm Ai është Falësi dhe Mëshiruesi”.

Vëlla i nderuar! Medito rreth këtij ajeti, sa i do Allahu robërit e Tij, jo vetëm ata të mirët, por ata që ngarkohen me gabime, të drejtohet dhe thotë: “Robërit e mi” që të bën me dije se ti sado që ke vepruar mëkate, ti ende vazhdon të jesh rob prej robërve të Tij.

Pastaj të tregon që të mos humbësh shpresën në mëshirën e Tij, dhe se Allahu i fal që të gjitha mëkatet, sado të mëdha që janë ato, nëse ti pendohesh.

Muaji i Ramazanit dhe mundësit për falje janë vetëm se për ty, që të fshihen mëkatet tua.

Falja e mëkateve është ëndërr e të mirëve, Abdullah ibn Mesudi thotë: “Do kisha dashur që Allahu të më fal një mëkat.”

Mirëpo, subhanallah! Ka prej muslimanëve të cilët nuk dëshirojnë faljen e mëshirën, e bënë Ramazanin muaj të lojërave dhe dëfrimit, humbin ditët në harame, ndeja të natës në mëkate, mëkatet e tyre, faqet e zeza në regjistrat e tyre vetëm se shtohen.

A nuk kujtohen me hadithin e Xhabir ibn Semure, radijallahu anhu, i cili ka thënë: I dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Më erdhi xhibrili, dhe më tha: O Muhamed! Ai i cili takon Ramazanin e nuk i falen mëkatet dhe hyn në xhehenem, e largoftë Allahu! Thuaj amin, e unë thashë amin.”

Shiko vëlla i nderuar, se kush po lutet dhe cili po bën Amin, ai që lutet është Xhibrili, alejhi selam, ndërsa Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ve selem, thotë Amin, padyshim që lutja është e pranuar.

Vëlla i nderuar! A ke pyetur veten, se për kë janë gjithë këto vlera? A janë për melaqet? Për kafshët? Jo, asnjëherë, ato janë për ty dhe vetëm për ty.

Vëlla i nderuar! Ditët e ramazanit janë ditë të faljes, mëshirës, të shlyerjes së mëkateve.

A nuk ka ardhur koha që të falen mëkatet e tua.

O ti i cili kërkon falje, ja shkaqet e faljes para teje, para duarve tua.

Allahu dëshiron që t’i fal mëkatet robërve të Tij: “Allahu dëshiron që tua falë juve.” Por, nuk ia jep faljen pos atij që e meriton.

Nëse nuk na falen mëkatet në Ramazan, kur do të na falen? Nëse Allahu nuk na pranon pendimin në Ramazan, kur do të na e pranon?

Vëlla i nderuar! Mos e nënçmo asnjë mëkat, se Allahu një grua e futi në zjarr për shkak të një mace që e kishte prangosur, kujdes, që të asgjësosh mëkatet, mos shiko në mëkatin sa i vogël që është, por shiko Madhështinë e Atij që mëkat po i bën.

Vëlla i nderuar! Shpejto në muajin e faljes, muajin e mëshirës, jepe mundin tënd në adhurime, shpeshtoi, largohu prej mëkateve, sepse nuk ka mundësi të arrihet falja pos se në këtë mënyrë.

E lus Allahun, të na ndihmon në këtë muaj të Ramazanit, të na jep sukses në vepra të mira, e të na fal mëkatet që të gjithve.

Muhamed Xhabiri

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

0 1533

I nderuari vëlla Musliman !

Nëse i  përmbushë  këto rregulla dhe  cilësi të cilat do ti cekim më poshtë, atëherë dije se je njëri prej respektuesve të fqinjit.

E, ato rregulla apo cilësi janë:

1: Duhet vëlla ta nderosh atë (fqinjin), e kjo bëhet duke i mësuar atij çështjet e Fesë Islame, nëse ai është xhahil (I paditur) rreth tyre, por  edhe ti duhet të mësosh nga ai nëse nuk ke njohuri për Dinin Islam

Po ashtu, mundohu  që ta urdhërosh për të mirë dhe ta ndalosh nga e keqja, si  dhe ta thërrasësh në rrugën e mirësisë dhe anasjelltas mundohu të  pranosh edhe ti një gjë të tillë prej tij.

2: Bëhu prej atyre që ia ruajnë nderin , pasurinë dhe gjakun e tij. Qoftë kur ai është i pranishëm apo kur nuk është i pranishëm. E mundohu të gjitha këto ti veprosh me  sinqeritet, vetëm e vetëm duke kërkuar Fytyrën dhe kënaqësinë e Allahut.

3: Mundohu ti parandalosh të gjitha rrugët të cilat mund ti sjellin dëm apo bezdi fqinjit dhe familjes së tij. Sidomos në pikat si, shtyrja për pjesë të tokës (megjes), nëse e sheh se këmbëngulë fqinji dhe me këtë lëvizje megjeje ti nuk dëmtohesh shumë, atëherë bën sabër dhe lute Allahun që ta kompensojë këtë gjë  me diçka më të mirë, në mënyrë që ti ruani marrëdhëniet dhe lidhjet e juaj, Sepse ky është një problem aktual dhe prezent në mesin tonë.

4: Nderoje atë duke i blerë dhurata të ndryshme kohë pas kohe. Sepse dhurimi i dhuratave i largon urrejtjet,ofendimet,dyshimet nga gjokset e juaja, gjithashtu zemrave tuaja u sjellë dashuri dhe respekt të ndërsjellë.

5: Bashkëngjitu gëzimeve të fqinjit për sa kohë që ato janë të lejuara ne Fe dhe në këto raste ji pranë tij duke i ofruar ndihmë, sidomos në momentet kur atij i vështirësohen punët, qofshin ato gjatë mundimeve apo edhe dëshpërimeve.

6: Nëse ndonjëherë i shkakton dëm apo edhe i hyn në hak diçka, qoftë ti apo edhe ndonjë person tjetër i familjes tënde, atëherë shpejto nisu tek ai e kërkoi ndjesë(falje), dhe vendos drejtësi e harmoni mes jush. Në këtë mënyrë do të bësh fqinjin të ndiej se ai ka vlerë dhe pozitë tek ti dhe prej atij momenti ai do të jetë i kënaqur me ty dhe tek ai do të llogaritesh si njeri i besueshëm dhe me vlerë.

7: Mirëpo ai mund të jetë i cili ndonjëherë të shkakton ndonjë dëm apo bezdi, në këtë rast mundohu të durosh sa më shumë, dhe nëse përmbahesh për hir të Allahut, do ta shohësh edhe vet se si Allahu do të bëj rrugëdalje për ty (nga problemet që ti shkakton fqinji).

8: Nëse është i varfër dhe ke mundësi që ti ndihmosh qoftë aspekte ushqimore ose të holla (para), atëherë mos e anashkalo, por kujdesu për të dhe ndihmojë po aq sa ke mundësi, sigurisht duke mos lënë anash familjen tënde.

9: Mos u bënë prej atyre të cilët i kanë shtëpitë ngjitur me fqinjin e tyre, dhe ruana Zot aq rrallë shkëmbehen vizitat mes tyre, vetëm se në raste vdekje, kjo është për të ardhur keq dhe realisht jemi prezent dhe e përjetojmë këtë veprim të ligë dhe në kundërshtim të plotë me rregullat islame.

10: Kudo që të jesh dhe e ke fqinjin afër vete, atëherë mundësoja atij të kuptoj se e respekton dhe nuk e anashkalon, se për fat të keq kemi të atillë që vetëm në nevoja vështirësie apo gjatë qëndrimit nëpër shtëpitë e tyre sillen mirë, ndërsa kur i bashkëngjiten ndonjë rrugëtimi me shoqëri të ndryshme e sheh se e harron fqinjin e tij, e ky veprim e lëndon dhe largon fqinjësinë tënde me të.

Përzgjodhi dhe përshtati: Suad Shabani

Burimi: albislam.com

0 2120

Edukata dhe rregullat që kanë të bëjnë duanë apo lutjen

Muslimani duhet të jetë i vëmendshëm që të bëjë dua gjatë kohërave të begatshme, siç janë: Duaja në ditën e Arafatit, muajin e Ramazanit, ditën e xhuma, kohën e syfyrit, koha kur bie shi, ballafaqimi në frontin e luftës në rrugën e Allahut, momenti kur bën sexhde, etj.

Transmetohet nga Ebu Hurejre,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Muhamedi,- salallahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Robi është më afër Allahut në momentin kur është në sexhde, shpeshtoni lutjet e juaja (kur bëni sexhde).”[1]

Gjithashtu, muslimanu duhet t’i shpeshtoj lutjet në kohën mes ezanit dhe ikametit.

Muhamedi,- salallahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Lutja (duaja) e cila bëhet mes ezanit dhe ikametit nuk kthehet mbrapa (pa përgjigje, pranim).”[2]

Muslimani kur vendos t’i lutet Allahut, duhet të jetë vendosur dhe i bindur se Allahu do t’i përgjigjet duasë së tij.

Muhamedi,- salallahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Mos të thotë (mos të lutet) askush nga ju në këtë mënyrë: Allahu im më fal nëse do Ti, Allahu im më mëshiro nëse do, le të jetë i vendosur në lutje, sepse nuk e detyron askush për këtë gjë.”[3]

Njashtu, prej gjërave të pëlqyera është edhe kur musliman lutet  të jetë i pastër, ta bëjë lutjen i kthyer kah kibla dhe ta përsërisë lutjen tre herë.

Transmetohet nga Ibn Mes’udi ,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Muhamedi,- salallahu alejhi ue selem!,- kur lutej e përsëriste lutjen tre herë, dhe kur kërkonte, kërkonte tre herë.”[4]

Muslimani kur lutet, para lutjes duhet së pari ta lavdëroj e madhëroj Allahun, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, pastaj të dërgoj salavate mbi pejgamberin,- alejhi selam!,- dhe përmend nevojën që ka (apo lutjen që ka për ta bërë). Lutjen e tij e përfundon duke dërguar salavate mbi pejgamberin,- alejhi selam dhe duke e falënderuar Allahun,- xhele ue ala.

Muslimani duhet të mundohet të hajë ushqimin hallall, të mos lutet për mëkate ose për ndërprerje të lidhjeve farefisnore.

Muslimani nuk duhet të nxitojë për përgjigjen e lutjes si dhe nuk bënë të thotë: Unë u luta, por Allahu nuk po i përgjigjet lutjes sime.

Sepse, në lidhje me këtë transmeton Ebu Hurejra,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Muhamedi,- salallahu alejhi ue selem!,- ka thënë: ” Allahu iu përgjigjet lutjeve tuaja, përderisa ju nuk thoni: ” Bëra dua (u luta) por nuk mu përgjigj (Allahu).”[5]

Ibn Batali,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- thotë: ” Nga hadithi kuptojmë se njeriu mërzitet dhe e braktis duanë, e kjo ngjanë njësoj me njeriun i cili lavdërohet me lutjen që ka bërë, ose ai mendon se aq lutje të bukur ka bërë, patjetër duhet të marrë përgjigje nga Allahu. Me mendime të këtilla robi e llogarit Allahun koprrac edhe pse Allahu është Fisinik dhe Bujarë. Allahu nuk bëhet i paaftë me lutjet e gjithë njerëzve, si dhe Allahu nuk bëhet i varfër nëse i përgjigjet lutjeve të gjithë njerëzve.”

Nga ky hadithë muslimani nxjerr dhe mëson shumë edukata dhe rregulla që kanë të bëjnë me duanë.

Dhe në fund!

Muslimani nuk duhet të mërzitet, por duhet të jetë këmbëngulës në lutjet e tij, sepse me këto veprime ai tregon se ai i dorëzohet, nënshtrohet dhe ka nevojë në çdo moment për Allahun,- xhele ue ala.

Autor: Ahmed Ferid

Nga arabishtja: Suad B. Shabani

Burimi: albislam.com

_______________

[1] (Shënon: Muslimi: 4/200(kapitulli mbi namazin), Ebu Davudi: 3/128(kapitulli mbi namazin), Nesaiu: 2/226(kapitulli mbi namazin).

[2] (Shënuan: Tirmidhiu: 2/13(kapitujt e namazit), Ebu Davudi: 517(kapitulli mbi namazin), Tirmidhiu e vlerësoi hadithin si hasen, kurse Shejh Albani e vlerësoi si sahih).

[3] (Shënuan: Buhariu: 11/139(kapitulli mbi lutjet), Muslimi: 17/6(kapitullu mbi dhikrin-përmendjen e Allahut).

[4] (Shënon: Muslimi: 12/153(kapitulli mbi xhihadin).

[5] (Shënon: Buhariu: 11/140(kapitulli mbi lutjet), Muslimi: 17/51(kapiulli mbi dhikrin), Tirmidhiu: 12/272(kapitulli mbi lutjet), Ebu Davudi: 1470(kapitulli mbi namazin).

NA NDIQNI NË