Arhiva DitoreSep 9, 2014

0 1229


Pyetje: a lejohet te jap selam gjatë kohës kur hatibi mban humben si dhe a lejohet të pranoj selamin nga dikush në të njëjtën kohë dhe t’ia them lutjen atij që teshtin?

Përgjigje: falënderimi i takon Allahut, lavdia dhe bekimi i tij qofshin mbi Muhamedin, familjen, shokët dhe ithtarët e tij:

Ndalohet të folurit gjatë mbajtjes së hutbes ditën e xhuma, madje edhe t’i thuash ndonjërit hesht nuk është e lejuar. Muhamedi, salallahu alejhi ve selem ka thënë: “kush i thotë vëllait të tij hesht gjersa imami mban hutben, ka humbur (shpërblimin e xhumasë).”[1]

Përjashtim nga ky rregull bën të folurit direkt me hatibin për ndonjë çështje që e kërkon nevoja dhe anasjelltas. Argumente për këtë janë rasti kur një beduin kërkon prej të Dërguarit që ta lus Allahun të bjerë shi për shkak thatësisë që i kishte kapluar[2] si dhe rasti kur i Dërguari e pyet një besimtar i cili hyri në xhami gjersa ai mbante hutben “a je falur?”[3]

Për sa i përket dhënies se selamit, kthimit të tij dhe lutja për atë që teshtin me fjalën “jerhamukallah” (Allahu të mëshiroftë), lidhur me këtë dijetarët nuk janë në ujdi. Mendimi më i saktë është se të gjitha këto ndalohen. Komisioni i Përhershëm për Fetva shkruan: “Nuk lejohet të lutemi për atë që teshtin si dhe të japim selam gjersa imami mban hutben sipas mendimit më të saktë të dijetarëve duke u mbështetur në kuptimin e përgjithshëm të hadithit që ndalon fjalët tek sa mbahet hutbeja.”[4]

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] Buhariu dhe Muslimi

[3] Buhariu dhe Muslimi

[4] 8/243

0 4889


Pyetje
: Pse e falim drekën dhe ikindinë pa zë kur në Kuran është cekur qartë se: “E ti mos ngrit zërin (duke lexuar) në namazin tënd, po as mos e ul tepër në të, mes kësaj kërkoje një rrugë mesatare”. (Isra 110)

Përgjigjje: Falënderimi i takon Allahut…

Namazi i drekës dhe i ikindisë janë veçuar me lexim heshtazi për arsye se koha e tyre është ditën, e njeriu në këtë kohë mund të jetë me mendje i preokupuar, i mblidhen shumë gjëra, është i preokupuar me punën e tij, me tregtinë, zanatin e tij, që po të ishte leximi me zë do të preokupohej zemra e tij dhe nuk di ishte e qetë për të dëgjuar  leximin e Imamit si dhe për të medituar rreth leximit të tij, por i vijnë atij preokupimet, prandaj është bërë që të lexojë ne veten e që kjo ta tërheq për meditim dhe kuptim. Është e ditur që në rast se janë xhemat në namazin drekës dhe të ikindisë të mos ngrit zërin me lexim,ngase kjo shkakton  zhurmë ndaj njëri tjetrit, pra imami dhe xhemati duhet të lexojnë me zë të ulët. Ndërsa në namazin e natës (akshamin e jacinë) njeriu në të shumtën e rasteve është i ndarë prej obligimeve, prandaj është urdhëruar të ngrit zërin imami me lexim që të ketë dobi edhe dëgjuesi.

Ndërsa ajeti i cili u përmend është i veçantë për namazin e natës dhe namazin vullnetarë, që nëse njeriu falet dhe rreth tij ka njerëz që dëgjojnë leximin e tij dhe të tjerë që janë duke fjetur, nuk e ngrit zërin që të mos u pengojë atyre që janë fjetur, e as të e ulë gjithë zërin që të mos humbë dobia e dëgjuesve, por duhet ta ngre zërin pak  aq sa mund të dëgjohet.

Dijetari i njohur: Ibn Xhibrin Allahu e mëshiroftë

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

0 1347


Pyetje:
Nëse teshtij gjatë namazit, a duhet të them Elhamdulilah (Falënderimi i takon Allahut)? Dhe a është mirë t’ia kthejë ai që e dëgjon, duke i thënë:  JerhamukAllah (Allahu të udhëzoftë)?

Përgjigje: Falënderimi takon Allahut….

Po, është e preferuar që kur të teshtish të thuash “Elhamdulilah”, dhe preferohet për atë që e dëgjon, e që nuk është në namaz të thotë: “Jerhamuk Allah”.

Shejh Muhamed  Salih Munexhid

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

0 3611

Pyetje: A ka dallim në mënyrën e faljes së namazit mes burrit dhe gruas?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut…

Në origjinë qëndron se gruaja në të gjitha dispozitat e fesë është e njëjtë me të burrit, mbështetur në fjalën e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem: “Gratë janë gjysmat e burrave” e transmeton Imam Ahmedi kurse hadithi është i saktë, pos nëse vjen ndonjë argument që i veçon ato me obligim të veçantë. Prej asaj që kanë përmendur dijetarët në lidhje me këtë temë janë:

–          Nuk ka ezan dhe ikamet për gruan, ngase për ezanin detyrohet të ngrit zërin , e gruaja nuk lejohet të ngrit zërin. Ibn Kudame, Allahu  e mëshiroftë ka thënë: “Në lidhje me këtë nuk dimë ndonjë kundërshtim” Libri Mugni 1/438.

–          E gjithë gruaja është avret në namaz pos fytyrës së saj, dhe atë mbështetur në fjalën e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem: “Nuk e pranon Allahu namazin e gruas pos e mbuluar (gjithë trupin)”. Këtë hadith e transmetojnë pesë koleksionerët e hadithit. Ndërsa në lidhje  me mbulimin e këmbëve ka mendime të ndryshme[1], shih fusnotën!

–          Gruaja duhet ta mbledh veten gjatë rukusë dhe sexhdes në vend se të zgjerohet, se kjo gjë është që fsheh trupin e saj.

Neveviu ka thënë: Shafiu në librin “Muhtesar” ka thënë: Nuk ka dallim mes burrave dhe grave në veprat e namazit, pos se për gruan preferohet të bashkojë gjymtyrët e saj, të bashkojë barkun me kofshët në sexhde, që të jetë më e mbuluar dhe kjo preferohet për të edhe gjatë rukusë dhe gjatë gjithë namazit. Mexhmu’ 3/429.

–          Preferohet që gratë të falen me xhemat kur xhemati përbëhet vetëm prej tyre (pa burra), duke qenë imame njëra prej tyre, mbështetur në hadithin: I Dërguari salallahu alejhi ue selem ka urdhëruar Umu Verakna që të prijë në namaz familjarët e saj. Dhe gruaja ngre zërin me lexim nëse nuk e dëgjojnë burra që nuk i ka mahrem.

–          Lejohet që gratë të dalin prej shtëpive me burrat e tyre për namaz në xhami, mirëpo namazi i tyre në shtëpi është më mirë për ato, mbështetur në fjalën e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem: “Mos i ndaloni gratë që të dalin në xhami, e shtëpitë për to janë më mirë”.

–          Imam Neveviu Allahu e mëshiroftë në librin Mexhmu’ 3/455 ka thënë: “Gratë dallohen në namazin me xhemat prej burrave në disa gjëra:

1-    Namazi me xhemat nuk kërkohet prej tyre ashtu siç kërkohet pre burrave.

2-    Aj e cila del imam qëndron në mes të safit.

3-    Gruaja qëndron pas burrit e jo në anën e tij, për dallim prej burrit.

4-    Nëse falen me burra, safet e fundit të tyre janë më të mira për to se të parat, e prej dobive që janë cekur më herët prej kësaj kuptohet ndalesa e përzierjes mes dy gjinive.

Shejh Muhamed Salih Munexhid

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

[1] Për më shumë në lidhje me këtë çështje shiko përgjigjen  (http://www.albislam.com/namazi/1812-a-duhet-ti-mbuloje-femra-kembet-ne-namaz.html)

0 3646


Pyetje:
Nëse koha e një namazi ka kaluar, a lejohet që sunetet e atij namazi t’i kompenzoj mëpastaj, gjegjësisht mundësia e kazasë a vlen për sunetet, apo bie?! Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigje: Bie mundësia që t’i falësh ato sunete nëse u kalon koha, përveç sunetit të sabahut, të cilin sunet mund ta falësh edhe pas sahabut apo pas lindjes së diellit. Ngase i Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, dhe shokët e tij, kur patën fjetur në kohë të namazit të sabahut në një udhëtim të tyrin, e patën kompenzuar sunetin e sabahut bashkë me farzin; I Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, ka pasë urdhëruar që kush nuk arrin t’i falë sunetet e sabahut, t’i falë ato pas lindjes së diellit; Gjithashtu i Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, kishte parë dikë që falte sunetet e sabahut pas lindjes së diellit, porse nuk e ndaloi nga diçka e tillë. Njëjtë qëndron puna edhe me sunetet e para të drekës, të cilat mund të kompenzohen pas faljes së namazit të drekës bashkë me sunetet në vijim, ngase një herë kur ato s’i kishte falë i Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, i kishte kompenzuar pas namazit. Prej Allahut vjen suksesi!

Shejh Imam Abdulaziz bin Baz[1]

Nga arabishtja: Mirsim Maliqi

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

[1] “Fetava ibni Baz” vëll. 11, f. 385

0 1297

Pyetje: Një njeri ka qenë duke fjetur gjatë kohës së namazit të drekës dhe nuk i ka dalë gjumi vetëmse pas ezanit të ikindisë, përkatësisht pasi koha e drekës veçse ka përfunduar; Atëherë, çfarë bën ky, a e fal drekën në shtëpinë të tij, e pastaj del në xhami ta falë aty me xhemat ikindinë?! Apo, falet me xhematin e namazit të ikindisë, kurse ky në vetvete e bën nijet namazin e drekës, e pastaj e falë i vetëm namazin e ikindisë?!

                 Përgjigje: Hamdin ia kushtojmë Allahut; Realisht duhet ta falë drekën para ikindisë nëse mes të dyjave ka kohë të mjaftueshme, pra e fal drekën së pari, pastaj e falë ikindinë me xhemat; Mirëpo nëse nuk mundet ta falë drekën për shkak të kohës, atëherë le të hyjë në xhematin (që e falin namazin e ikindisë), porse ai ta falë këtë namaz me nijet të drekës. Mirëpo megjithëkëtë, edhe nëse e falë ikindinë së pari, e pastaj e falë drekën, një gjë e tillë është valide, kurse ajo e para që përmendëm është më e sigurt dhe më e qetë për zemrën, pra të ruash renditjen, gjegjësisht drekën para ikindisë. Allahu është më i Dituri!

Shejh Abdurrahman El-Berrak

Fetvaja me nr. 37,630, e dhënë nga shejhu në faqën e tij

Nga arabishtja: Mirsim Maliqi

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

0 1552

Pyetje: Një grua në muajt e fundit të shtatzënisë së saj, nuk mundet dot të rrijë në këmbë kur falet, a i lejohet asaj të ulet kur kryen namazin?!

Përgjigje: Hamdin ia kushtojmë Allahut; Po, i lejohet asaj që të falet ulur, duke u bazuar në fjalën e Allahut: “…Andaj druajuni Allahut sa të mundeni”[1]; Gjithashtu në fjalën e të Dërguari të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, kur i tha Imran bin Husejn-it, -radijallahu anhu!-: “Falu duke qenë në këmbë! E, nëse nuk mundesh dot, atëherë duke qenë ulur! E, nëse (prapë) s’ke mundësi, atëherë duke qenë i shtrirë!”[2]

Shejh Abdurrahman El-Berrak

Fetvaja me nr. 39,190, e dhënë më datë 21.03.2011 në faqën e tij zyrtare

Nga arabishtja: Mirsim Maliqi

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

[1] Kurani, et-Tegabun: 16

[2] Shënon Buhariu në “Sahih” (1117), Ebu Davudi në “Sunen” (817), Ibën Maxhe në “Sunen” (1213), Ahmedi në “Musned” (19375), Hakimi në “El-Mustedrek” (1119), Bejhakiu në “Sunen” (3369, 5058), etj. Sh. P.

0 1274


Pyetje: unë udhëtoj në drejtim të lindjes me orë të tëra. Ndonjëherë udhëtimi zgjatë 13 orë dhe nuk e di se si të falem, sidomos kur dihet fakti se udhëtimi drejt lindjes me aeroplan bën që kohët e namazit të jenë shumë afër njëra tjetrës, më tregoni si duhet të veproj?

Përgjigje: falënderimi i takon Allahut, lavdia dhe bekimi i Tij qofshin mbi të Dërguarin, familjen dhe ithtarët e tij:

Udhëtari me aeroplan e falë namazin kur të hyjë koha e tij. Njohja e kohës mund të bëhet me shikim për sa i përket namazit të akshamit, jacisë dhe sabahut. Kur të perëndojë dielli, hyn koha e akshamit. Kur të humbet drita e kuqe në perëndim hyn koha e jacisë dhe kur të paraqitet drita në lindje, hyn koha e sabahut.

Për sa i përket drekës dhe ikindisë, mund që të bësh ixhtihad dhe të mundohesh t’ia qëllosh. Për shembull nëse e di se mbi cilin vend je duke fluturuar dhe shikon kohët e namazit për atë vend (me takvim apo nw ndonjë mwnyrw tjetër),  atëherë do vonohesh pak nga koha e atij vendi, pastaj do falesh sepse koha e namazit në lartësi nuk është njëjtë me kohën e namazit në tokë. Ke të drejtë të bashkosh drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë në kohën e namazit të parë (xhemu takdim) apo të dytë (xhemu te’hir) sipas asaj që është më e lehtë për ty.

Një mundësi tjetër është të pyesësh personelin e aeroplanit, të cilët mund të kenë aparate me të cilat mund të përcaktojnë kohët e namazit në lartësi.

Për njohjen e kohëve të namazit në tokë, në shumicën e vendeve të botës është mirë të vizitohet ueb-faqja e Ministrisë së Vakëfit dhe Çështjeve islame të Arabisë Saudite:

http://prayer.al-islam.com/default.asp?l=Arb

duke printuar kohët e namazit në vendet mbi të cilat do fluturosh apo do t’i vizitosh. Duhet të mësosh gjithashtu se kush nuk e di kohën e namazeve dhe përpiqet aq sa ka mundësi t’i gjejë, pastaj falet sipas asaj që mendon se është më e përafërt, namazi i tij është i saktë, përveç nëse i bëhet e qartë se është falur para hyrjes së kohës, atëherë duhet që namazin ta përsërit. Nëse nuk i bëhet e qartë se vallë është falur në kohën e duhur të namazit apo jo, atëherë ajo që ka bërë merret si e saktë.

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

0 2253

Pyetja: A është obligim të përsëritet teshehudi pas sehvi sexhdes?

Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut…

Nuk thuhet teshehudi pas sehvi sexhdes ngase i Dërguari salallahu alejhi ue selem nuk e ka thënë, siç aludojnë hadithet e vërteta, prandaj po ta kishte vepruar me siguri do transmetohej nga shokët e tij, kurse i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: Faluni ashtu siç më shihni duke u falur.

Ibn Sirini dhe Ibn Mundhir kanë thënë për dy sehvi sexhdet: pas tyre ka selam pa teshehud.

Neveviu rreth dobive të hadithit Dhul Jedejni ka thënë:

–          Konfirimimi i sehvi sexhdes.

–          Janë dy sexhde, për secilën thuhet tekbir, në formën e sexhdeve të namazit, ngase është përmendur  në përgjithësi,  dhe sikur tw ishte ndryshe do e kishte sqaruar. Jep selam pas sehvi sexhdes, pa thënë teshehudin, dhe se sehvi sexhdeja veprohet pas selamit nëse ka shtesë në namaz. “Sherh Muslim 5/71.

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

0 1284


Pyetje: nëse filloj namazin pas një njeriu i cili është ulur apo duke u falur duke e marr atë për sutre, pastaj ai largohet para se të përfundoj namazin, a duhet të lëviz deri te ndonjë sutre tjetër?

Përgjigje: falënderimi i takon Allahut, lavdia dhe bekimi i tij qofshin mbi të Dërguarin, familjen dhe ithtarët e tij:

Nëse ke afër ndonjë sutre, qoftë ai ndonjë njeri apo objekt siç mund të jetë shtylla, muri e tjerë, atëherë mund të lëvizësh në mënyrë që të marrësh para vetes sutre dhe kjo lëvizje është e falshme sepse është në dobi të namazit. Nëse sutreja është larg atëherë nuk lëviz por e përfundon namazin aty ku je. Lëvizja mund të bëhet në të djathtë, në të majtë, përpara ose prapa. Këto rregulla janë transmetuar nga imam Maliku dhe janë shënuar në librin Mudevvene 1/202.

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

NA NDIQNI NË