Arhiva MujoreJune 2015

0 1457

S’di as vetë si kisha dalë këtu, as se si e kisha lënë lulen dhe e kisha nisur rrugëtimin tim. Krejt m’u kishte dukur si një ëndërr e bukur, e kur zgjohesh, ndien mallëngjim për të. Mërzitesh, por e këtillë është jeta, shfrytëzoje atë që ke para, mos mendo për të kaluarën, por përqendroju për atë që të vjen në të ardhmen.

Nejse, duke menduar kështu, kur ja lulja e radhës më ishte ngjitur në dorë, sytë i kisha pasur drejt saj, por si i hutuar në mendime, ende s’i kisha hapur mirë dhe të kënaqem me të.

Pas një shkundjeje në veten time, e mora atë dhe ia nisa leximit: Omer ibën Hatabi ka thënë: “Agjërimi nuk është vetëm largimi nga ushqimet dhe pijet, por ky është edhe largimi nga gënjeshtra, e pavërteta dhe fjala apo vepra e kotë.”

Një rrëqethje më përfshiu tërë trupin dhe një shikim i shtangur u hodh diku pa qëllim. Shpërblimi s’fitohet vetëm të kryhet adhurimi, por duhet të dihet edhe mënyra se si të kryhet ai. Kur veten e fut në kontroll nën kornizat e kufijve të besimit, prej teje dalin vetëm gjëra që të tjerët shohin shembull në ty.

Për këtë, aty ku besimi lëshon rrënjë, aty mbijnë mëshira dhe durimi të cilat së bashku të bëjnë që tjetrit t’ia shuash etjen së pari e veten ta mbash të etur. Nëse udhëtimi yt drejt shtigjeve të jetës të duket i vështirë, mos harro se “pas çdo vështirësie ka lehtësim, pas çdo vështirësie ka lehtësim,” prej ku mësohesh se në durim kalohen çastet më të bukura të jetës. Më mirë heshtë, se sa ta mbash gjuhën të mos flasë, sepse gjuha ruhet aq sa heshtet, kurse zemra pastrohet aq sa besimi forcohet në të.

Besimi e mbron njeriun nga veprat që ky s’donë t’i sheh të tjerët duke i kryer ato vepra, i cili besim, më shumë se çdo gjë, flet pa fjalë dhe dëgjohet pa zhurmë. Si është e bukura, të tërheq edhe pa e parë dhe të nxit t’i bindesh vetëm me të dëgjuar. Aty ku zemra e ruan syrin, syri bëhet shkak që njeriu ta ruajë besimin, kur ruhet besimi, ai bëhet udhërrëfyesi yt në jetë. Andaj, dije se mendja dhe prova flasin edhe në heshtje, kurse një fjalë e mirë e mundi heshtjen kur foli: Fjala e mirë të ëmbëlson si mjaltë, e fjala e keqe të errëson si baltë! Pas tërë kësaj, lulja veç se më kishte rënë nga dora, isha bërë gati të vazhdojë ecjen time.

Vërtetë, një habi e madhe me këto lule shumëkuptimëshe të cilat ta japin më të mirën e tyre dhe kuptimin e vërtetë e sheh me sy. Kaq, duke u ndarë prej saj u kujtova në një thënie të hershme se, njeriu siç u ngjitet shkallëve, ashtu edhe zbret teposhtë, e Vërteta me heshtje të kotën e mposhtë!

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

0 2326

Allahu,- xhele ue ala!,- thotë: “Vërtetë zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut.” (Rra’d: 28).

O agjërues: dije se kush e njeh madhështinë e Allahut, atëherë ai e përmend shpesh Allahun , e kush e përmend shpesh Allahun është shenjë se ai është i sinqertë me Allahun.

Muhamedi,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- ka thënë:

” Shembulli i atij që e permend Allahun dhe atij që nuk e përmend Allahun, është sikurse shembulli i të gjallit me të vdekurin.” (Imam Buhariu rahimehullah).

Muhamedi,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- ka thënë:

” Le te jetë gjuha jote vazhdimisht e njomë nga përmendja e Allahut.” (Imam Tirmidhiu rahimehullah).

O agjërues: përmendja e Allahut të ngrit në grada të larta, të shlyen mëkatet, të largon fatkeqësitë dhe brengat, të hapet kraharori, të zgjerohet dhe qetësohet zemra.

Një njeri erdhi tek Hasan el Basriu, rahimehullah, dhe i tha: “Jam duke vuajtur nga ashpërsia e zemrës. Më trego ilaçin?” Hasan el Basriu rahimehullah ia ktheu: “Zbute zemrën tënde me përmendjen e Allahut.”

Njëri prej ulemave të selefit ka thënë: “Përmendja e Allahut është shërim për zemrën e muslimanit, kurse përmendja e njerëzve është sëmundje për zemrën e besimtarit.”

Dhe në fund!

O agjërues; kuptoje se përmendja e Allahut të sjell;

       1. Gëzim

  1. Lumturi
  2. Furnizim.
  3. Shpëtim nga dënimi i Allahut.
  4. Të afron tek Allahu.
  5. Të kthen nga rruga e devijuar e shejtanit drejt rrugës së vërtetë të Allahut.

Përgatiti: Suad Burhan Shabani

Burimi: albislam.com

0 1060

Lufta për ndërrimin e koncepteve dhe kuptimeve të tyre të vërteta nga armiqtë e islamit – Fatkeqësi dhe dukuri e rënde negative me të cilën ballafaqohen pasuesit e së vërtetës

E vërteta asnjëher nuk ka mundur të bashkohet dhe të shoqëroj gënjeshtren dhe të kotën sikurse mosbesimi dhe besimi që nuk kan mundësi të gjinden në një zemër ngase këto jan ligje univerzale që ne duhet t’iu nënshtrohemi me dashje apo padashje.

Kur njerëzit e së kotës vërejtën se ngadhënjimi ndaj së vërtetës dhe pasuesve të saj është i pamundur dhe së e vërteta gjithmonë del fitimtare ata u perpiqen me ane disa levizjeve dhe mjeteve t’i mashtrojnë njerëzit duke u’a prezentuar atyre të keqen si të mirë dhe të kotën si të vërtetë dhe anasjelltas.(Pra te mirën si të keqe dhe të vërtetën si të kotë) duke thirrur vazhdimisht në ket frymë me gjitha metodat dhe mjetet e tyre të mundshme e prej mjteve më efikase që përdorin jan mediat e sistematizuara që veprojnë per arritjen e ketij qellimi te ulte dhe të prishur. Ky është një mashtrim i qartë i djallit të mallkuar dhe një strategji e njohur e tij. Allahu shum qartë na tregon në kur’an për ket fakt me fjalët: ” (Iblisi) tha: “Zoti im, meqë më ke shpie në humbje, unë në Tokë do t’ju zbukuroj atyre sendet dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim”(Kur’an 15:39)

Iblisi bile u perbetua për këtë. Allahu cekë në librin e Tij:” (Iblisi) tha: “Pasha madhërinë Tënde, unë do t’i mashtrojë ata të gjithë – përveç robërve Tu të sinqertë!” (Kur’an,38:82,83)

Për ta kuptuar këtë më qartë do t’i sjellim disa shembuj konkret që vetëm jan një realitet në shoqërinë tonë.

A nuk është vërtete se shkulja e vetullave tek femrat në ditën e sotit është bërë gjëja më normale dhe që konsiderohet si diçka e mirë?! Kjo në të vërtetë është ajo çka dëshiroi të arrinte djalli i mallkuar. Pra ndryshimin e krijmit të Allahut. Edhe kjo strategji e djallit ceket në Kur’anin famëlartë:” Ai (djalli) ka thën: “Unë, doemos do të marr një pjesë të caktuar të robërve Tu (nën ndikimin tim); dhe unë doemos do t’i shpie, me siguri, në rrugë të shtrembër dhe do t’i tërheq, pa dyshim, me shpresa të rrejshme, dhe gjithsesi do t’i urdhëroj t’u presin veshët kafshëve, si edhe do t’u urdhëroj të ndryshojnë krijesat e All-llahut”. Kush e bën mik djallin, e jo All-llahun, ai vërtet ka pësuar humbje të mëdha.”) (Kur’an,4:118,119)

Mirëpo më e keqja është se ata armiqte e së vërtetës nuk mjaftohen me kaq por i qortojnë,kritikojnë dhe i nënvlerësojnë ndoshta ato vajza besimtare të cilat nuk e veprojnë ket gjest të ulët. Në ket metodologji pra, në ndryshimin e krijimit të Allahut dhe duke vlerësuar bile ket gjest si të mirë dhe mospranimit të asnjë kritike me pretekst se kjo është gjë normale dhe e pastërt, ata, pra armiqte e se vertetës kan punuar dhe jan angazhur shum. Shembuj të tjerë në ket fryme ka shum sikurse p.sh. rrujajtja e mjekrres së burrit. Për hirë të Allaht po ju pyes. Sa prej njerëzve ditën e sotit e shohin rrujatjen e mjekrres si një vepër të ndytë dhe jo në rregull?! A nuk është e kundërta?! Pra edhe kështu ata arritin t’i ndërrojne konceptet në mënyre që ajo çka është e vërtetë dhe e mirë të duket si diçka e rrallë dhe e jo e hijshme. Pastaj shume operacione plastike të panevojshme veprohen pa asnje far mëdyshje dhe pa asnjifar kritike dhe ndalese. Kjo sa i përket ndryshimit dhe deformimit të krijimit të Allahut qe me lufëtn e nderrimit të koncepteve duke u udhëhequr nga djalli i mallkuar ata arritën t’ua prezantojnë të keqen dhe të ndaluarën si të mirë dhe normale dhe të miren si diçka jo të mirë.

Nuk do te mjaftohemi vetem me kaq por do t’i cekim edhe disa shembuj qe nuk lidhen me ndryshimin e krijimit të Allahut por që janë padyshim ndalesa të Krijuesit dhe që mëherët me të vërtetë edhepse ndoshta jan vepruar sëpaku jane qortuar, kritikuar dhe jan ditur se jane vepra të fëlliqura nga masa e gjërë. Në ket kategori po i cekim këto shembuj.

– Pirja e alkoolit e që konsiderohet dhe quhet thjesht “Pije”. Kjo na vërtetohet nga Pejgamberi sal-Allahu alejhi ve sel-lem në hadithin që transmeton Ebu Malik el Esharij:” Me të vërtetë, njerëz nga ummeti im do të pijnë alkoolin e do t’i quajne me emërtime të ndryshme…” (Shënon Ibn Maxheh dhe Shejh Albani e konsideron hadithin autentik)

Në kët kategori hyjnë edhe këto vepra.

– Bixhozit i thonë thejsht “fat”.

– Muzikës dhe shume veprave të ndyta e maskarallaqe si gëdhendjës së skulpturave etj. i thonë thjesht “art”.

– Kamatës i thonë thjesht “tregëti”.

– Zhveshjes dhe zbulimit I thonë “modë,elegancë”

– Përzierjes mes dy gjinive I thonë thjesht “civilizim”

– Zinase dhe prostitucionit I thonë thjesht “dashuri dhe liri”

– Paturpësise I thonë “përparim”

– Hipokrizisë I thonë thjesht “politikë”

– Mbytjes së fëmiut në bark i thonë thjesht “abort”

Pastaj ekzistojnë edhe shumë vepra qe posedojne vlera dhe virtyte të larta mirëpo që me ket metodologjine e nderrimit te emërtimeve iu humben apo zbehen këto vlera. E kjo ndodh qëllimisht prej armiqve të Islamit në mënyre qe keshtu ta përhapin të keqen dhe t’i humbin vlerat tek masa e gjërë. Në ket kategori i cekim këto shembuj.

-Martesës i thonë “e keqja e domosdoshme”

– Urdhërimit për të mirë i thonë “ashpërsi ose secili le ta shikon punën e vet”

– Ndalimin nga e keqja I thone “ekstremizëm,fanatizëm,shiko punën tënde”

[- Nje djaloshi dhe një vajze të udhëzuar i thonë “fundamentalista, ekstremista,te financuarit e arabise”

Pastaj fenomenit ‘ Nënë’ që përmbanë vlera shum të larta dhe status të veçant në fenë tonë nuk i kushtohet rëndësi dhe respekt ashtu si e meriton në shoqërinë tonë dhe nënvlerësohet duke u vlerësuar më shumë ajo që del dhe punon jashtë shtëpise e që nuk është nënë. Kështu ata e luftojnë edukimin e mirëfilltë të gjeneratave të ardhshme me pretkstin e emancipimit.

Ky është një realitet i urryer që rrjedhon prej hovit të madh dhe përhapjes së shumt të punëve të ndyta dhe të këqija meqë e mira u bë e keqe dhe e keqja e mirë e ne i kërkojmë strehim dhe mbrojtje Allahut të lartësuar nga kjo sprovë dhe musibet. Allahu është mbrojtesi yne e sa mbrojtes i mirë është Ai.

Zgjidhja e problemit

Kjo dukuri negative do të zhduket atëherë kur mileti do të udhezohet ne Kur’an dhe sunnet dhe kur t’i bindet dhe nënshtrohet urdhërave të Allahut denjësisht.Padyshim se udhezimi nuk është në duart e hoxhallarëvë mirëpo atyrë i takon thirrja dhe udhrrëfimi për tek kjo fe e pastërt e Allahut. Allahut i kërkojme ndihmë dhe sukses. Allahu e din më së miri!

Shkruan: Ardian Elezi

Burimi: albislam.com

0 1037

Hap pas hapi dhe nuhatje pas nuhatjeje po shkoj lule më lule. S’po i marrë të gjitha në dorë, por veç ato që po më vrasin syrin në ecje. Edhe pse krejt i kanë porositë e mëdha që i përmbajnë në vete, por koha e bën të veten në tërë këtë.

Lules së radhës veç më kisha qenë duke iu afruar, dhe sa hap e mbyll sytë, e pata në dorë. E lexova në vete para se t’jua tregojë juve, kurse mbresën që la në mua, më nxiti sa më shpejtë t’ju lexojë juve. Aty shkruante: Jahja ibën Muadhi ka thënë: “Në qoftë se adhurimi do të ishte një zog, atëherë krahët e tij do të ishin agjërimi dhe namazi.”

Të habit fakti se si janë adhurimet e lidhura njëra me tjetrën, kryerja e njërës prej tyre është zinxhir që të nxit në kryerjen e tjetrës. Kur je mirënjohës ndaj një dhuntie, dhuntitë tjera të shoqërojnë në jetë dhe pastaj jeta jote jetohet në mirësi. Këto dy lloj adhurimesh i japin baraspeshë njeriut në përditshmërinë e tij, prej ku zemra orientohet me nxitjet e mendimit të shëndoshë në ecjen e një rruge ku para se të arrijë te shpërblimi duhet t’i tejkalojë sprovat. Sa e qetë bëhet zemra kur ushqehet me adhurime, dhe sa e matur tregohet kur ballafaqohet me sprova. Për këtë thuhet se, diçka që zemra pëshpërit e nxitur nga besimi nxjerr në pah një dritë që pasqyrohet nga vepra.

E ky Muaj, përmes këtyre veprave e mbjell në ne frytin e durimit që të na nevojitet kur t’i ngritëm duart tona drejt Tij dhe t’ia kërkojmë atë që na e qetëson zemrën. Shpirti e ka adhurimin dritë që ia ndriçon rrugën drejt qëllimit të tij, ndaj kur shpirti është i ngopur, trupi s’ndien uri, sepse adhurimi për shpirtin është si drita për syrin. Kur njeriu e di rolin e tij, s’mjaftohet me gjëra të pakta dhe i paktë i duket tërë angazhimi që bën për t’u afruar sa më parë aty ku synon. Çiltëria në brendi jep rezultate të pastra në publik, sepse atë që njeriu e do, aty edhe mendja i rri atij. Sa ushqim i shijshëm që është adhurimi, sa do të ushqehesh me të, sërish veten e ndien të uritur, dhe sa do të jesh i ngopur, ende ke etje për to.

E tillë është jeta kur ndërtohet me adhurime të bëra në bazë të besimit, pasi besimi e ruan njeriun, aq sa njeriu e forcon atë. Më kujtohet se i Dërguari para se të ndahet prej kësaj bote, fjalët e fundit që i la ishin: “Namazi, namazi!”, për këtë, me çka jeton, me aso veprash edhe të vjen fundi, e si është fundi, tregon se si ke qenë në jetë.

Një zemër e bardhë ndriçon në errësirë kur gjumi i ka nxënë të tjerët, e ajo e ka kërkon prej Atij atë që ia bën të bardhë jetën. Dhuntia më e madhe që e përfshin “tokën” është udhëzimi në besimin e vërtetë, e besimi i vërtetë është ta falënderosh Allahun që të ka pajisur me këtë dhunti…

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

0 1355

Meditova rreth gjendjes së umetit në raport me librin e Allahut, Kur’anit Famëlartë, e vërejta se njerëzit në raport me Kur’anin, janë tre lloj:

  1. Njerëzit që janë larg Kur’anit, për të cilët Pejgamberi, alejhi selam, do të jetë i distancuar nga ta në ditën e gjykimit. Allahu xhele ue ala, thotë:

“Dhe, Pejgamberi (Muhamed) tha: “O Zoti im! Me të vërtetë, populli im (po) e merr këtë Kur’an, si (diçka) të urrejtur.” (El Furkan: 30).

  1. Njerëzit që e lexojnë Librin e Allahut, mirëpo nuk e ndjejnë madhështinë e leximit të tij, nuk e kuptojnë arsyen e zbritjes së tij, urtësinë dhe begatinë e tij.
  2. Njerëzit që përpos leximit të Kur’anit, lexojnë libra të Tefsirit, duke tentuar t’i kuptojnë drejtë porositë Kur’anore, mirëpo edhe kjo kategori apo ky lloj i njerëzve e vërejnë se janë larg meditimit të vërtetë të Kur’anit dhe porosive të tij.

Duke medituar rrethë kësaj gjendje, u habita nga rasti i një arabiut injorantë (i paditur), Velid Ibn Mugires i cili thotë: “Pasha Allahun kam ndëgjuar fjalë të Kur’anit nga goja e Muhamedit, alejhi selam, fjalë që nuk janë nga njerëzit e as nga xhinët. Por, ato fjalë janë të ëmbla për t’i ndëgjuar, fjalë të cilat nuk mund të thurren nga askush, pos nga Krijuesi.”

Gjithashtu, më habitën fjalët e filozofit francezë, Xhozef Ernest Renan, i cili thotë për Kur’anin: ” Bibloteka ime është e stërmbushur nga libra të shumtë. Libra mbi: Politikën, shoqërinë, Edukatën, Sociologjinë, Psikologjinë, Filozofinë. Të gjitha nga këto ndjej ironi t’i lexoj nga dy herë. Libri i vetëm i cili saherë që e lexoj më tërhjek ta lexoj përsëri, ngase çdoherë që e lexoj mësoj gjëra të reja, me leximin e tij më zgjerohet kuptimi i thellë i gjërave. Ky libër është libri i muslimanëve, Kur’ani. Kurrë nuk ndjej neveri, lodhje në leximin, meditimin dhe studimin e tij. Përkundrazi, ndjehem i qetê, i lumtur dhe i kënaqur me leximin e tij.”

Çfarë e shtyu Velid Ibn Mugiren dhe Xhozefin t’i thonë këto fjalë në lidhje me Kur’anin Famëlartë!

Po, umeti ynë, si e ka gjendjen me Kur’anin, leximin dhe meditimin rreth porosive të tij!?

Allahu e përmisoftë gjendjen e umetit në lidhje me Kur’anin Famëlartë!

Shkroi: Shejh Isam Ibn Salih Ibn Muhamed el Uvejid, Allahu e ruajtë. Profesor nê fakultetin e Imam Muhamed Ibn Su’ud el Islamije në Rijad.

Nga arabishtja: Suad Burhan Shabani Medine

Burimi: albislam.com

0 1418

Pas këtij zgjimi vazhdova rrugëtimin tim nëpër kopsht. Dora e djathtë pa ndonjë shkak i afrohej syrit dhe e fërkonte sikurse kur flenë njeriu. Por, e vërteta ishte se mendimet rreth adhurimeve e kishin treguar ndikimin e tyre në mua. Një ndjenjë gëzimi në ato çaste u zbulua te vetja ime, ku ende e ndieja aromën e lules të cilën e lashë pak më parë. M’i mori mendtë dhe thuajse e harrova krejtësisht lulen që e lëshova kur sytë m’i mori shkëlqimi i lules së radhës që për pak sa nuk e shkela. Me të kapur në dorë fitova përshtypjen se do të më befasojë, as vetë s’e dija pse, por përshtypjen që la në mua e tregoi këtë. Pa humbur kohë, po ia japë fjalën lules ta shpalos atë të cilën e ka brenda.

Aty shkruante: Ali ibën Ebu Talibi ka thënë: “Gjatë muajit të Ramazanit ju duhet t’i shtoni kërkesat e lutjes për falje, ngase lutja ua largon fatkeqësitë, kurse kërkimi i faljes ju shpëton nga mëkatet.”

Dihet se besimi e kufizon njeriun në vepra, mirëpo e nxit atë në mirësi pakufi. Në këtë muaj lutjet e zemrës i drejtohen Atij mbi Arsh me duart e kthyera kah Ai dhe të shoqëruara me sytë e njomura. Nevoja për Të është më e madhe se sa që janë të mëdha dëshirat e njeriut, kurrë gjuha s’duhet të pushojë nga përmendja e Atij për të ta dhënë atë që s’e ke dhe për të ta shtuar atë që e ke.

Njeriu duhet që të tregohet i varfër karshi kërkesave të tij drejtuar të Madhit dhe duhet të bëhet një besimtar falënderues për lutjet që Ai ia pranon. Sepse aty ku ekziston lutja, aty ka dëshirë, e aty ku ka pendim, aty ka falje. Durimi nevojitet në shpëtimin e vetes nga rrëshqitja në të këqija, ngase dera e mëkatit është një derë e mbyllur, e nëse hapet, vështirë se mbyllet. Vetja si angazhohet, aso rezultatesh edhe jep, nëse loton për mëkatet e bëra, e ujit të ardhmen e ndritur. Gjëja e cila është e fshehur mund të kuptohet veç nga njohuria të cilën e posedon njeriu mbi gjënë në fjalë. Një fjalë që buron nga zemra ndikon në qëllimin për ku është dedikuar, ndaj sa ma të pastra zemrat, aq më të sinqerta do të jenë fjalët. Në çast, sytë më ishin marrë nga lulja, ku dielli i kishte rënë me rrezet e veta dhe shkëlqimi i saj ishte reflektuar në sytë e mi. U largova pak si anash, por pa e lëshuar fare nga dora. E afrova edhe një herë ta nuhasë, ku për një copë herë u kujtova se lutja e largon të keqën që ka pasur të të vijë dhe e afron të mirën që ka pasur për të t’u larguar. Ndjeva një lloj frymëmarrjeje të thellë në brendinë time prej ku ofshave, por me qëllim të mirë mbi këtë ndjenjë.

Si është jeta, koha kalon, për atë që shfrytëzohet, kujtohet me gëzim, për atë që të ikë, pendohesh pse s’e ke shfrytëzuar. Ndaj, fitimi është që ta nxësh çastin, e jo ta grumbullosh mallin. E unë, e mora mirësinë e lules, kurse atë e lashë në vendin e saj…

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

0 1781

VLERA E RAMAZANIT:

Shejh Muhamed Ibn Salih el Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

Vëllezër të mi: Po fillon një muaj i bereqetshëm dhe i begatshëm, një garë e madhe.

Allahu në këtë muaj shumëfishon shpërblimet e robërve të Tij, i hap dyert e mirësive të shumta për ata që dëshirojnë kryerjen e veprave të mira gjatë këtij muaji të bekuar.

Ky është muaj i bereqetshëm, i stërmbushur me faljen e Allahut dhe me nxjerrjen e robërve të Allahut nga zjarri i Xhehenemit.

Njëherit, është edhe muaj i zbritjes së Kur’anit dhe i ndarjes së hakut (të vërtetës) nga batili (të kotës).

Allahu i Madhëruar, thotë: “Këto ditë janë, ditët e muajit të ramazanit, në të cilin muaj ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me argumente të dokumentuara për rrugën e drejtë dhe dallues i së mirës nga e keqja. Pra, kushdo që nga ju gjendet në këtë muaj – le të agjërojë.” (El Bekare: 185).

Allahu i Madhëruar na dhuroi pesë karakteristika dhe na veçoi neve nga të gjitha umetet e mëparshme dhe na premtoi se do të na plotësoj shumë begati e mirësi, e sa begati të shumta na i ka plotësuar dhe dhuruar i madhi Allah neve.

Allahu i Madhëruar, thotë: Ju (besnikët e Kur’anit) jeni njerëzit më të mirë nga i gjithë populli që janë paraqitur ndonjëherë: dhe besoni Allahun.” (Al Imran: 110).

Pesë karekteristiakt apo veçoritë që na dhuroi Allahu neve si agjërues , janë:

  1. Era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë se era e parfumit.
  2. Melaiket luten për agjëruesit derisa të bëjnë iftar.
  3. Allahu çdo ditë e zbukuron xhenetin për robërit e Tij agjërues të mirë.
  4. Shejtanët lidhen e prangosen, dhe nuk kanë mundësi t’u pengojnë në adhurim robërve të Allahut agjërues, si dhe nuk kanë mundësi t’i devijojnë ata nga rruga e hajrit dhe mirësisë.
  5. Allahu ia falë mëkatet agjëruesve të umetit të Muhamedit, alejhi selam, ditën e fundit të Ramazanit, nëse ata kanë agjëruar dhe kanë kryer obligimet ashtu siç ka kërkuar Allahu i Madhëruar, qoftë kryerjen e agjërimit, namazit, e të gjitha këto t’i kenë kryer vetëm për hir të Allahut.

Vëllezër të mi: Arritja e Ramazanit është një nga mirësitë më të mëdha për robërit e Allahut, është mundësi e mirë që robërit të pendohen nga mëkatet e t’i kthehen Allahut, ta largojnë përtacinë dhe të bëhen aktiv në adhurimin e Allahut, nëse janë larguar nga rruga e Allahut deri këto momente, atëherë në Ramazan është mundësia të kthehen në rrugën e Allahut.

Shejh Muhamed Ibn Salih el Uthejmin, Allahu e mëshiroftë.

Nga arabishtja: Suad B. Shabani

Burimi: albislam.com

0 2038

Pyetje: Një motër thotë: Mu shfaqen mentruacionet menjëher pasi bëra iftarë, agjërimi i kësaj dite a është në rregullë?

Përgjigje: Po, agjërimi yt i kësaj dite është në rregull.

Përderisa ke bërë iftar dhe gjaku i menstruacioneve ka filluar pasi ke bërê iftarë, agjërimi është në rregull dhe nuk ke nevojë ta kompenzosh agjërimin e kësaj dite.

Por, po të kishin ardhur menstruacionet para iftarit, atëherë agjërimi i kësaj dite nuk do të ishte i saktë, por do të ishe obliguar më pas ta kompenzosh këtë ditë.

Përderisa, gjaku i menstruacioneve ka ardhur pas perëndimit të diellit(pas iftarit) atëherë, themi se agjêrimi i kësaj dite është i saktë, dhe nuk obligohesh ta kompenzosh inshallah.

Shejh Abdullah el Humejdi, rahimehullah.

Nga arabishtja: Suad Shabani

Burimi: albislam.com

0 1679

Pyetje :

I sëmuri prej veshkave në momentin kur është agjërueshëm ai duhet patjetër t’i pastroj veshkët, a është i saktë agjërimi i tij në këtë rast apo jo?

Përgjigja:

Arsyetohet ky njeri që mos të agjërojë ditët në të cilat ai e bën pastrimin e veshkave.

Sepse gjatë pastrimi ai fut barëra në gojën e tij, të cilat ia prishin agjêrimin.

Ky person obligohet t’i kompenzojë ditët në të cilat ka bërë pastrimin e veshkave, edhe po të agjëron ato ditë, agjërimi i tij nuk është i saktë, sepse në gojën e tij ai ka futur barëra, ujë apo gjëra të cilat ia prishin agjërimin.

Autor: Shejh Dr. Salih bin Feuzan el Feuzan,- Allahu e ruajtë!

Nga arabishtja: Suad B. Shabani

Burimi: albislam.com

0 1471

I zhytur në mendime rreth bukurisë së luleve dhe urtësisë së fjalëve të tyre, m’u duk vetja sikurse të jem futur në një botë krejtësisht tjetër prej kësaj ku jetoj. Disi një botë e mbushur me përjetime dhe ndjenja të cilat më shumë të bëjnë që të heshtësh se sa të flasësh. Vetë e ndien urinë dhe etjen, por përkushtimi në të bërit adhurime, e largon prej teje lodhjen dhe në ty e ngjallë freskinë e ndikimit të besimit. Ah, sa e ëmbël kjo shije dhe sa i shijshëm ky angazhim! E mora në dorë lulen e radhës prej Hasan El-Basriut, i cili ka thënë: “Allahu e ka bërë Muajin e Ramazanit mjet të përfitimit për krijesat e Tij.

Në këtë muaj, robërit e sinqertë të Allahut garojnë ta arrijnë kënaqësinë e Tij përmes nënshtrimit ndaj Tij.” Në jetën e besimit, kënaqësia vjen nga qëllimi, ndaj për ku je nisur, të tregon caku kur do të arrish. I dhënë pas veprave, më duket vetja më i fortë përkundër tërë mundit që jam duke e bërë në to. Ekziston një vullnet i brendshëm i cili me nxitjet e tij nuk më lë të qetë, por më mundëson që qetësinë ta gjejë në kryerjen e adhurimeve.

S’ka lodhje në adhurime, ka plogështi në të lënit e tyre, kisha dëgjuar më herët nga të diturit. Veprat e tyre flasin me gjuhën e adhurimit dhe këto dëgjohen me zemrën e shëndoshë. Vepra e cila nuk shihet, kuptohet vetëm kur do të dalë në shesh, sepse fara mbillet, por pa rënë shi, ajo nuk mbinë. Kur njeriu e angazhon veten me adhurime, ngjallet në brendinë e tij një dritë që këtë e mbulon të tërin, e tjetri prej anash s’sheh asgjë, përveç lumturisë që shkëlqen në pamjen e tij. I varfër është ai që s’e përjeton këtë dhe i pasur është ai që jeton me këto ndjenja.

Bota e angazhimit me vepra të mira është bota e Parajsës që jetohet në këtë botë dhe se kjo është enkas vetëm për ata që e përjetojnë këtë. Një zemër do veç diçka që i shkon për shtati asaj dhe e respekton atë që e rehaton këtë. Ecja e zemrës në adhurime është burimi i vetëm që ajo gjithnjë të ndjehet e lumtur dhe t’i bëjë të lumtur edhe të tjerët që e ndjekin atë…

As vetë s’di si me lule e preka hundën dhe më doli “gjumi” nga kjo “ëndërr” që më kishte kapluar. Një mori mendimesh më kishin përfshirë në këto çaste duke e mbajtur lulen në dorë, e unë thuajse asgjë nuk kisha ndier, sepse i vërtetë është fakti se të gjitha thuhen me fjalë, por krejt burojnë nga zemra. Ndaj, edhe njeriu sa më shumë di ta zbërthejë dijen, aq më shumë i bindet asaj. Vepra është dëshmitari më i mirë i dijes, kurse nxënia e dijes është orientuesi më i mirë për të kryer vepra. E njeriu i cili ka zemër të pastër dhe ka qëllim të kryejë një vepër, atëherë duhet të dijë se shpirti s’e lë të qetë derisa ta kryejë atë… Në largim e lashë siç edhe e mora…

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

NA NDIQNI NË