TË PËRGËZUARIT ME XHENET – ALI IBN EBI TALIB

TË PËRGËZUARIT ME XHENET – ALI IBN EBI TALIB

0 2684

Ai është Ali ibn Ebi Talib ibn AbdulMuttalib ibn Hashim ibn AbdulMenaf, ndërsa nëna e tij ishte Fatime bint Esed ibn Hashim ibn AbdulMenaf, ai është nga fisi hashimitë dhe nga më të ndershmit dhe më bujarët e kurejshëve, gjithashtu ai është edhe djali i xhaxhait të Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem), pra baballarët e tyre janë vëllezër.

LINDJA DHE RRITJA E TIJ

Ali ibn Ebi Talib lindi dhjetë vite para misionit profetik dhe u edukua në shtëpinë e Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem), para dhe pas shpalljes së tij, kjo nga shkaku se atë kohë Mekën e kishte kapluar uria, ashtu edhe Ebu Talibin dhe shumë nga fëmijët e tij e kishte goditur gjendje varfërie. Abasi e donte vëllanë e tij dhe ishte në gjendje më të rëndë se ai, dhe i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve sel-lem), për ta ndihmuar atë dhe për t’ia lehtësuar gjendjen, secili morri nga një fëmijë prej fëmijëve të tij, kështu që ishte fat i Aliut, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, që t’i takojë Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem).

MARTESA E TIJ

Ali ibn Ebi Talibi, (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), u martua me vajzën e Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem), Fatimen, e cila i dhuroi atij Hasanin dhe Husejnin, për të cilët i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve sel-lem), tha se këta dy do të jenë zotërinjtë e rinj të Xhenetit. Ai i dontë shumë ata dy, i hipte në shpinë dhe lozte me ta, si dhe i puthte ata shpesh edhe në prani të prindërve të tyre.

NOFKAT E TIJ

Ali ibn Ebi Talibi, (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), kishte më shumë se një nofkë, ai kishte nofkën “Ebu Hasan”, për shkak të birit të tij të madh Hasanit, (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), si dhe gjithashtu ka pasur nofkën edhe “Ebu Turab” (I pluhurosuri), kështu e kishte emërtuar i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve sel-lem), për shkak se e donte atë shumë dhe pëlqente që ta merrë atë me vehte.

Është transmetuar nga Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, me zinxhir të saktë në Sahihun e tij nga Sahl ibn Sa’d, (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), i cili ka thënë: “Nuk kishte emër më të dashur për Aliun (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), se sa emri “Ebu Turab” (I pluhurosuri) dhe ai ishte shumë i kënaqur kur thirrej me këtë emër. (Vazhdon duke treguar transmetuesi): “Erdhi i Dërguari i Allahu (salAllahu alejhi ve sel-lem), në shtëpinë e Fatmes, (Allahu qoftë i kënaqur prej saj), dhe nuk gjeti askënd në shtëpi. Ai tha: “Ku është djali i xhaxhait tim?”

Ajo tha: “Ndodhi diçka midis nesh dhe ai u zemërua, pastaj doli pa thënë asgjë.”

I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve sel-lem), i tha një njeriut: “Shiko se ku është ai dhe le të vijë!”

I thanë: “O i Dërguari i Allahut, ai ishte i shtrirë në xhami.”

Atëherë i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve sel-lem), shkoi dhe u shtri tek ai pranë qafës së tij, I hudhi pak pluhur dhe e fshiu, pastaj i tha: “Zgjohu o Ebu Turab (I pluhurosur).”

Ai gjithashtu ka edhe një emër tjetër “Hajdareh” që do të thotë “Luani”, ai përmendej kështu kur u ballafaqua me njërin ndër heronjtë e çifutëve të Hajberit.

VDEKJA E TIJ

Ishte AbduRrahman ibn Mulxhemi, Allahu e dënoftë, ai i cili e goditi Aliun, (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), në natën e trembëdhjetë të Ramazanit të vitit të dyzetë hixhrij. Thuhet në një transmetim tjetër se është vrarë në natën e njëzet e një të Ramazanit. Ai, (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), ishte i gjallë të premten dhe të shtunën, ndërsa vdiq të dielën, e morrën fëmijët e tij për ta larë, pastaj ia fali xhenazen dhe u lut për te Hasani dhe e varrosi atë në kohën e vonshme të natës.

Shkroi: Shirin Ahmed

Përktheu dhe përshtati nga gj. arabe: Amir Shabani